Fenomeni “domino” ul “moshën e pensionit” në qytetin e Lushnjes

editor

Lulishtja kryesore, që ndodhet në qendër të qytetit të Lushnjes,e cila mund të themi se është një nga vendet më të frekuentuara,pse jo,dhe më të bukura të këtij qyteti,u ka shërbyer qytetarëve,duke provuar destinacione të ndryshme,në kohë të ndryshme. Edhe në periudhen kur pushoi së qënuri lulishte,duke u kthyer në një vend të tejmbushur me kioska dhe bar-kafe,ku e jeshilta i fshihej syrit te kalimtarëve,ky vend nuk e humbi asnjëherë emrin që kish;njihej dhe vijonte të identifikohej prej të gjithëve si “Lulishtja e qytetit”. Po ashtu,ka shërbyer dhe vazhdon të shërbej si një vend orientues ose pikëtakimi midis qytetarëve të ndryshëm dhe sigurisht,si një park shlodhës me stola dhe gjelbërim,duke ofruar kështu,qysh në shikim të parë një panoramë të këndshme për syrin.

Sidomos në ditët e nxehta të verës,ky vend merr karakteristikat e një pylli të gjelbër,të cilin sikur ta përshkonte mespërmes rrjedha e një burimi të ftohtë,të jep një ngasje dhe ta ka ënda të ndalosh e të freskohesh në të.Gjithashtu dhe fëmijët e kanë gjetur dhe vijojnë ta gjejnë  këtë hapësirë si më të përshtatshmen për lojërat e tyre në një pjesë të ditës,zakonisht gjatë mbrëmjeve në pranverë e verë.Në verilindje,përgjatë lulishtes shtrihet dhe bulevardi kryesor,segmenti i të cilit absolutisht ka qenë dhe mbetet më i populluari në Lushnje,gjë që të jep idenë e një harmonie zonale për këtë pjesë të qytetit,përsa i takon popullimit…Ndërtimi i disa kolibeve prej druri me tavolina brenda tyre kohët e fundit,ka rregulluar ndjeshëm “shërbimin” e kësaj lulishteje,si të thuash,ka ndihmuar dhe në krijimin e një lloj familjariteti në të gjatë ditës,por më së shumti ka zgjatur frekuentimin deri në orët e vona të pasmesnatës.Ky vend,po ashtu,njeh frekuentues dhe gjatë gjithë natës,pasi deri në mëngjes,zakonisht bëhen banorë të kolibeve të tij njerëz  pa familje e të pastrehë…

Kësisoj,në një vështrim të parë,të jepet përshtypja sikur jeta e qytetit gjallon më shumë brenda kësaj lulishteje dhe përreth saj në një rreth relativisht të ngushtë sesa gjetiu.Mirëpo,me gjithë multifunksionalitetin e këtij parku të vogël në këtë qytet,ai që s`ka reshtur së funksionuari asnjëherë,pavarësisht destinacioneve të ndryshuara në kohë të ndryshme,madje pavaresisht dhe stinëve,është fakti që ka qenë dhe mbetet si vendi ku luajnë domino pensionistët.Pra,aq sa njihet si lulishtja e qytetit,po aq njihet edhe si vendi i “kampionatit te dominove për pensionistët”,le të themi.Në gjuhën e qytetarëve lushnjarë,si të thuash,në atë konfidenciale,edhe gjatë trotuarit përkarshi mund të të kapë veshi biseda,që duan të thonë se,nga një njeri në aktivitet,që merresh me punë çdo ditë,që mbrëmjeve ose në kohën e lirë xhiron në bulevard dhe bën një jetë aktive,do vijë koha që do dalësh në pension dhe do kalosh në “sektorin” tjetër,në atë vendin me gjelbërim aty pranë dhe do luash domino gjithë ditën. Fjalë të tilla,edhe të dëgjuara përciptas,të japin të kuptosh që mbartin një ton emocional brenda tyre,tamam sikur ai kapërcim fizik i vetëm një hapi,nga trotuari në lulishte,të ndryshonte si me magji shumëçka nga jeta e një njeriu,hap ky,që brenda këtij konteksti do nënkuptonte vite jetë.Pra,kalimi i pjesës më të madhe të ditës në atë ambjent,duke luajtur domino, sipas perceptimit të zakonshëm qytetar,lidhet me moshën e kaluar,me atë të të qënurit  pensionist.Në zhargon,fjalët :”lulishte,pension dhe domino” gjenden aq te lidhura me njëra-tjetrën sa,të japin përshtypjen e një togfjalëshi,i cili i njeh të gjitha kombinimet e këtyre tre fjalëve,përsa i takon formës,por që ruan me fanatizëm një domethënie të vetme;një domethënie,që ka nuanca paksa  dramatike me doza keqardhjeje brenda,dhe që tek njerëzit e moshës së mesme,të ngjan se ngjall një lloj frike,e cila sikur gjendet e stacionuar,e materializuar në atë panoramë çlodhëse,që të shoqëron përgjatë bulevardit dhe është aty për të të ofruar shërbimin e llojit të vet,duke patur si kriter kryesor lodhjen;atë lodhje,që e vulosin vitet e jetës.…

Mirëpo,përsa i takon atij,që po e quajmë “fenomeni domino”,i cili lidhej detyrimisht me moshën dhe të zhvilluarit të asaj loje në lulishten kryesore të qytetit,duket që vitet e fundit e ka thyer apo shpërfillur një nga rregullat bazë të tij;le të themi,atë më kryesorin: Tanimë vihet re që nuk është kusht i domosdoshëm mosha e pensionit për të qenë pjesë e atij aktiviteti,që gjithësesi zhvillohet me po atë frymë,me po atë urtësi,pa nerv dhe me batuta,që referojnë vite të shkuara,duke u shoqëruar me të qeshura të shkëputura,fragmentale dhe gati të pazëshme,sikur të donin të ruanin qetësinë dhe seriozitetin,që gjithësesi edhe ky,në një farë mënyre është atribut i moshës së pensionit…Në ditët e sotme të bie në sy një prezencë e shtuar thuajse gjatë gjithë ditës e njerëzve që luajnë domino në lulishte,gjë që mund të jetë e lidhur padyshim dhe me konditat,që u përmendën në krye të herës. Por,ai çka vërtet përbën lajm në llojin e vet,është pikërisht fakti që,tanimë në ato grupimet,që në qendër kanë lojtarët dhe anash tyre në këmbë spektatorë,ndjekës kuriozë,bëjnë pjesë dhe njerëz me distancë të ndryshme kohore nga mosha e pensionit.Pra,mund të të hasë syri në çdo kohë një numër jo të vogël të rinjsh,të cilët ose bëhen spektatorë,ose janë lojtarë të përditshëm të lojës me domino. Rëndom,bashkë me të moshuarit,shihen 30-vjeçarë,40-vjeçarë,që të japin përshtypjen se janë shkrirë me ambjentin në aspektin e lojës dhe gjenden të përfshirë brenda grupit,duke krijuar një miniskuadër kompakte,në të cilën duket që nuk ka dallim moshe;të gjithë ndihen të barabartë në të.

Nëse, teksa kalon nëpër pllakat që orientojnë kalimtarët me rrugica në forma lakore mespërmes lulishtes,vë re nga afër ndonjë të ri,të cilin e njeh dhe mund ta pyesësh për arsyen e qëndrimit aty,shumë gjasa ka që si përgjigje të marrësh një pauzë retorike,e cila dhe në atë formë do të thotë shumë,tamam si të ta linte në dorë ty vet përgjigjen, me të cilën ishte i gatshëm të pajtohej pa mëdyshje tjetri.Sigurisht që një përgjigje të vetën mund ta ketë cilido qytetar për një fenomen të tillë,e cila sikur gjendet në forme pigmenti në sytë e të riut dhe që aktivizohet nga çdo pyetje apo shigjetim sysh. Sipas perceptimit në masë të njerëzve,stacionimi i të rinjve në atë ambjent dhe luajtja në pjesën më të madhe të ditës domino aty,lidhet në mënyrë të padiskutueshme me papunësinë së pari,dhe me faktin që,është ndoshta e vetmja hapësirë,qëndrimi në të cilën nuk ka kosto; kjo,pa e llogaritur si kosto kohën që shkon…Dalëngadalë, grumbullimi dhe bërja pjesë e atij aktiviteti thuajse gjatë gjithë ditës,përveç të moshuarve,gjithmonë e më tepër,edhe e të rinjve në moshë,po merr statusin e të zakonshmes,edhe pse në trotuarin ngjitur dhe kudo gjetkë,ajo hapësirë vijon të quhet si vendi ku luajnë domino pensionistët.

Sokol Jeshili, lexues Lushnje

Share This Article
3 Comments
  • Po cfare prespektive ka populli thjeshte ne shqiperi ,vec dominove ,poker ,bingo ,hashish ,apo po i ruhet salehut dhe lulushit per popullin .

  • SH BUKUR SOKOLI.. SHKRIM SH SENSIBILIZUES DHE SH REALIST… FATKEQESIA E MADHE PAPUNESIA SIDOMOS E TE RRINJEVE CDO GJE GRI CDO GJE NDIKON NEGATIVISHT ,CDO GJE ME SHUME AFER KRIMIT DHE VESEVE..SHKRIME TE TILLA DUHEN TE SHPESHTA DHE MEDIAT TE JAPIN KONTRIBUTIN E TYRE…URIME

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *