Aleks Ferguson ka mbetur i befasuar nga paraqitja e talentit shqiptar, Adnan Januzaj, i cili luan me skuadrën U-21 të “Djajve”. United fitoi 2-0 ndeshjen e fundit, kundër West Ham, me dy gola të shënuar nga sulmuesi Nick Powell, ndërsa Januzaj luajti direkt pasi tij. Siti i klubit anglez në internet ka shkruar se skocezi e ka ndjekur më parë këtë dyshe në takimin kundër Arsenalit dhe ka vënë në dukje potencialin e 18-vjeçarit shqiptar, mesfushor sulmues, për t’u bërë një lojtar i madh. “Adnani është një lojtar me ekuilibër”, është shprehur Ferguson për “Inside United”, revista e klubit. “Është vetëm 18 vjeç dhe ende në rritje. Por ka ekuilibrin e duhur, akselerimin e duhur dhe është shumë i mirë teknikisht. Nga të rinjtë, ai dhe Nick janë në majë, lojtarë shumë të mirë”. Muajin e kaluar, Sir Aleks ishte shprehur se të dy ata janë pa diskutim lojtarë që bëjnë për skuadrën e parë të United. Januzaj është zhvilluar si lojtar te Anderlehti i Brukeslit, prej nga u transferua te Manchester United.