Alex Ferguson trajneri legjendar i Manchester United që e drejtoi këtë ekip për plot 27 vjet, mbështet Louis van Gaal në iniciativën për të krijuar grupin e tij tek ekipi i United. Skocezi ka bindjen se holandezi është duke vepruar drejt. 63-vjeçari Van Gaal e nisi eksperiencën e tij si teknik i klubit anglez me afrimin e 6 lojtarëve të rinj përfshi këtu transferimin prej 75 milionë eurosh të Angel Di Marias nga Reali i Madridit që ishte edhe blerja rekord në Britani, si dhe atë të Radamel Falcaos nga ekipi i Monacos. Por reformat e Van Gaal nuk u ndalen me kaq, pasi ai lejoi largimin e Nanit, Wilfried Zahas, Shinji Kagawas, Javier Hernandez, Danny Welbeck dhe Tom Cleverley nga “Old Traford”. Bazuar në lëvizjet e fundit, Ferguson që ndjek me kërshëri mbarëvajtjen e ekipit nuk ka veçse lavdërime për holandezin që tashme ka marrë plotësisht rolin e menaxherit të United.
“Louis van Gaal ka kryer shumë ndryshime dhe unë e shoh si diçka pozitive, pasi ka sjellë një frymë të re. Ai ka eksperiencën dhe aftësinë për të qenë trajner i madh. Mënyra se si po vepron tek United mendoj se është brilante”, tha legjenda skoceze. Ferguson u tërhoq nga drejtimi i djajve të kuq në vitin 2013. Fillimisht në vendin e tij u caktua David Moyes, i cili dështoi dhe nuk rezistoi dot asnjë sezon duke u zëvendësuar nga Ryan Giggs. Në përfundim të Botërorit, Brazil 2014, Van Gaal u zyrtarizua në krye të United, por rezultatet e arritura lënë shumë për të dëshiruar.
