Aleks Ferguson: Viktoria shkatërroi karrierën e David Beckham

anazapta

“Viktoria shkatërroi karrierën e David Beckham”. Kështu shkruan Aleks Ferguson në autobiografinë e tij, e cila del në shitje sot në Britaninë e Madhe. Ferguson, që në fund të këtij sezoni u tërhoq nga Manchester United pas 27 vjetëve në drejtimin e tij, rrëfen se si njohja me ish-vajzën e “Spice Girls” e ndryshoi David Beckham. “Problemi më i madh me mua është se unë jam njeri i futbollit. Ai ra në dashuri me Viktorian. E dija që më duhej të përballesha me probleme në horizont që në momentin kur mësova se David kishte ndërmend të shfaqte një model flokësh të çuditshëm para ndeshjes me Leicesterin”, shkruan Ferguson.

Ikona e United thotë se fill pas kësaj, Beckham nisi t’i kushtonte më shumë rëndësi pamjes se sa stërvitjes apo paraqitjes në fushën e lojës. Ai e fajësoi Davidin për humbjen ndaj Arsenalit në FA Cup, çka solli më vonë “incidentin e famshëm të këpucës”. “Në momentin që po i flisja, Beckham më ndërpreu. Unë u afrova dhe nga nervat godita një këpucë, e cila e kapi në vetull”, shkruan Sër Aleks.

Menjëherë pas këtij incidenti, tekniku skocez thotë se kishte kuptuar që kishte ardhur koha që Beckham të lihej i lirë të largohej nga Manchester United. Dhe lëvizja nuk vonoi, “Spice Boy” u transferua te Real Madrid ku luajti për 4 vjet, për t’u hedhur më pas përtej Atlantikut, te LA Galaxy. Sot, kur ka kaluar shumë kohë, Ferguson që për një kohë të gjatë nuk ka folur me Beckham, thotë se David zgjodhi famën përpara futbollit. Skocezi kritikon ish-kapitenin e Anglisë sidomos për transferimin e tij në SHBA dhe thotë se nëse Beckham do të kishte zgjedhur futbollin para famës, arritjet e tij do të ishin në të tjera nivele.

 

 

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *