Festat e fundvitit, grafik pune për urgjencat dhe qendrat mjekësore

anazapta

Urgjencat dhe shërbimet e tjera mjekësore do të qëndrojnë në gjendje gatishmërie përgjatë ditëve festive. Autoriteti Shëndetësor Rajonal ka hartuar një program të detajuar pune për të gjithë institucionet e mjekësore që do të jenë në gjendje gatishmërie për çdo problem komplikacion të lindur gjatë ditëve festive.

Drejtoresha e ASHR-së, Liljana Ramasaço, ka deklaruar dje se “në gatishmëri të plotë do jetë, Shërbimi i Urgjencës Mjekësore, duke iu përgjigjur të gjithë qytetarëve në rast nevoje. Nisur nga eksperienca e viteve të kaluara në lidhje me problematikat, të cilët kryesisht kanë qene intoksikacionet, përdorimi i tepërt i alkoolit, dëmtimet  nga fishekzjarrët, ju bëjmë apel qytetarëve të jenë të kujdesshëm në lidhje me  këto problematika të lartpërmendura”.

Ramasaço bëri të ditur me tej se edhe qendrat shëndetësore do të jenë në gatishmëri të plotë  gjatë gjithë ditëve të festave  dhe janë porositur në veçanti që të marrin masat për të mos munguar perfuzionet, medikamentet e urgjencës dhe të jetë në gatishmëri të plotë dhe shërbimi në dhomat e urgjencës. Shërbimi i epidemiologjisë është porositur të bashkëpunojë me sektorin e higjienës publike dhe sektorët e tjerë të shërbimit të higjienës për të mbajtur nën kontroll situatën epidemiologjike.

Pas udhëzimeve të marra Instituti i Shëndetit Publik dhe Inspektorati sanitar kanë nisur kontrollet në të gjitha subjektet e shërbimit social duke kontrolluar kushtet higjieno-sanitare dhe dokumentacionin. Kjo duke qenë se gjatë ditëve të festave konsumohen më shumë ushqime jashtë shtëpisë në bare dhe restorante.

“Kkemi kushtuar rëndësi marrjes së mostrave të produkteve të ndryshme ushqimore dhe bërjes së  analizave pranë laboratorit të higjienës ushqimore. Po kështu janë marrë mostra për të analizuar shkallën e pastërtisë të enëve dhe materialeve të tjera ndihmëse në guzhinat e këtyre subjekteve. Një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet lokaleve, që bëjnë rezervime për Krishtlindje dhe për Natën e Vitit të Ri. Monitorimi duhet të jetë më rigoroz në lokalet, ku shumë institucione dhe shkolla kanë pronotuar për të kryer festimet”, ka shtuar Ramasaço.

Sipas programit në bare dhe restorantet nuk do të mungojnë, inspektimet për respektim të ligjit kundër produkteve të duhanit gjatë gjithë ditës dhe në orët e mbasdites. Në lokalet e natës do të kontrollohet dhe niveli i zhurmave për të shmangur ndotjen akustike. Ndërsa sektori i higjienës publike vazhdon të monitorojë në 31 pikat fundore çdo ditë ujin e pijshëm në gjithë territorin e kryeqytetit duke bashkëpunuar dhe me Drejtorinë e ujësjellësit.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *