Festivali i këngës shqipe në Gjilan

Ornela

Me “Mjeshtrin e Madh” Ermir Dizdariishim ftuar në edicionin e 28 të “Fest Flaka 2019”, organizuar në kuadrin e 20 vjetorit të çlirimit të Gjilanit. Ndonëse rrugës binte dëborë dhe kristalet e saj ishin si boçe pambuku, me rrezikun e bllokimit të rrugëve, nuk mund ta humbisnim rastin për të përjetuar atë magji muzikore që do të na mrekullonte.

Historikisht jeta kulturore e Gjilanit, ka patur për protagonist të saj intelektualë dhe shkrimtarë të mirënjohur, midis të cilëveSabitRrustemi dhe BeqirMusliu, kontributi i të cilëve në vitet e dhunës e okupimit serb pas viteve 1990, ka qenë vendimtar në krijimin e vlerave artistike, duke e bërë qytetin e Gjilanit një nga qendrat e kulturës kombëtare që mban gjallë fjalën e bukur artistike, me ngjyrime e frymëmarrje sa më të lirë e të vlerësuar nga të gjitha trevat shqiptare. Në këtë periudhë (viti 1992) u promovua për herë të parë edhe manifesti  në shkallë kombëtare “Flaka e Janarit”, e cila me shumë dinjitet ruajti vazhdimësinë dhe misionin e përkushtimit ndaj martirëve të lirisë  dhe njerëzve të shquar të kombit, përmes vlerave të artit.

“Flaka e Janarit”, si manifestim gjithëpërfshirës brenda e jashtë kufijve etnikë  të qenësisë shqiptare, qysh nga themelimi, ka krijuar ura lidhëse me të gjitha trevat shqiptare. Ky manifestim i përvitshëm kulturor, për tre javë rresht, organizohet për të nderuar dëshmorët dhe sakrificën e tyre për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Ai promovon vlerat artistike të artit letrar, artit dramatik, artit muzikor dhe arteve figurative  në Gjilan.

Në këtë mori veprimtarish artistike, vendin kryesor e zë Ansambli “Gjilani”, i themeluar në vitin 2003, nga një grup artistësh me  kontribute qysh në vitin 1947. Shtrirja gjeografike e jetës koncertale të Ansamblit “Gjilani” ka qenë në Turqi, Bullgari, Maqedoni, Mal të Zi, Shqipëri. Misioni i tij ka qenë grumbullimi, kultivimi dhe ruajtja e vlerave të përgjithshme etno-kulturore të melosit shqiptar, si dhe promovimi i dokeve, zakoneve dhe traditat popullore autoktone  të kësaj treve. Ansambli “Gjilani” veç kontributeve në zhvillimin e artit në të gjitha fushat e krijimtarisë artistike, ka meritën edhe të aktivizimit dhe përgatitjes permanente të talenteve të reja.

Në mbyllje të këtij manifestimi madhështor që ndiqet nga shumë intelektualë e qytetarë nga Gjilani dhe të ftuar të tjerë, më 31 janar, u organizua  “Festivali i këngës shqipe” në të cilin morën pjesë Kryetarja e Këshillit Komunal Shpresa KurteshiEmini, deputetja e Kuvendit të Kosovës ValentinaBunjaku Rexhepi, zv/Minstri i Kulturës të  Malit të ZiArmendMilla, nga Tirana ishte ftuar drejtuesi i shume festivaleve kombëtare në Shqipëri dhe Kosovë, Mjeshtri i Madh Ermir Dizdaridhe personalitete të tjera të ftuara me këtë rast. E gjithë veprimtaria u mbështet nga kujdesi i veçantë i kryetarit të Komunës së Gjilanit, LutfiHaziri.

Festivali ishte një befasi e këndshme që do të na shoqëronte edhe pas largimit nga Gjilani, sepse organizohej kryesisht vetëm me këngë shqiptare të para viteve ’90 si: “Margjelo”, “Kur bien fyelli e çiftelia”, “Grurë dhe këngë”, “Vajza me kaçurrela” e AvniMulës etj.

Para konkurrimit festivali u hap me këngët për Idriz Gjilanin, kënduar nga  QemajlMusliu, NehatFerati, Afrim Haziri, Adnan Leka dhe këngën për Gjilanin kënduar nga FatonIsufi, më pas vazhduan këngët e përgatitura për konkurrim. Binte në sy interesimi i madh i komunitetit të Gjilanit për këto veprimtari kulturore, veçanërisht për “Festivalin e këngës shqipe”. Të dy anët e sallës, të cilat përdoreshin për kalim, ishin mbushur me spektatorë, ndoshta aty kishte më shumë, se sa spektatorë të ulur në sallën e koncerteve.

Koncerti u prit mjaft mirë, këngët tingëlluan si aromë lulesh ardhur nga Shqipëria. Këngët e bukura dhe me përmbajtje të shëndoshë të kompozitorëve tanë, shëtisin nëpër dekada po aq të freskëta e me vlera estetike, sa edhe kur u krijuan. Ato kanë brenda shpirtin shqiptar, optimizmin dhe vlera të pastra estetike. Festivali ishte një pjesë nga nektari shpirtëror i popullit, krijuar nëpër dekada. Ishte një muzikë që na elektrizoi, na ngacmoi ndjenjat fuqimisht, pse këngët u interpretuan me patos, dinamikë, lirizëm, ritëm, optimizëm. Nëpër këngët shqiptare, solistët përcollën emocion dhe kënaqësi të pafundme nga shpirti i popullit, përcollën krenarinë që na dhuron historia, botën e pasur shpirtërore dhe vlera të larta morale.

Duke dëgjuar  këngët e hershme, përjetonim estetikisht emocione që shkaktonin nuanca nostalgjie, një drithërimë që pushtonte zemrat e spektatorëve. Ishte një atmosferë që na elektrizoi, na krijoi një gjendje shpirtërore tepër të gëzuar. Orkestra dhe solistët sollën një mbrëmje muzikore me shumë emocion dhe bukuri estetike, që kishim kohë pa e shijuar.

Ajo që e mrekulloi tepër më sallën, ishin zërat shumë të intonuara të solisteve të shkollës së mesme të muzikës, si të ishin soliste profesioniste:  Arta Elezi, Erletë Rexhepi, FatjonaMalsiu, motrat Ardita dhe Rreze Ismajli, KadrieKaraliti dhe gjithë të tjerat. Veçanërisht tek disa nga solistet e reja, erdhi një  interpretim që shkonte deri në perfeksion, me zëra të papërsëritshëm, me tone të ngrohta që dilnin nga shpirti plot ëmbëlsi si fllad deti në vallëzim. Ato i gjallëruan këngët në mënyrë të përsosur, plot patos dhe interpretim emocional. Bukuria e timbrit zanor të tyre sillte kënaqësi shpirtërore.

Kur spektatori duartrokiste me ovacione të zgjatura, vajzat dukeshin sikur fluturonin, e jetonin këngën si të ishin në ëndërr, përhumbeshin mes melodive dhe melizmave, ndërkohë tingujt u dilnin nga thellësia e shpirtit, ato ndiheshin të shkrira  me spektatorin. Zërat e tyre tingëlluan si instrumente delikate, përmes të cilëve krijuan mjeshtërisht atë produkt magjepsës, që ne e kishim përjetuar dekada më parë. Kishin një pastërti intonative dhe kumbim muzikor që na emocionoi, aq sa spektatorët të kënaqur nuk largoheshin nga salla edhe pas çmimeve të Jurisë. Ngrohtësia dhe duartrokitjet e të pranishmëve, ishin frymëzim për këngëtarët dhe orkestrën.                                    Arta Elezi u shqua për zërin natyror, zë i plotë, i pastër, gurgullues si një gurrë me ujë të kristaltë. Një zë kumbues, tepër i rrallë dhe origjinal, përmes të cilit përjetonte një forcë të brendshme të pakrahasueshme, herë-herë rrënqethëse. Shpërthimet e furishme të tingujve, krijonin një emocion elektrizues.

Erletë Rexhepi, te kënga “Kur bie fyelli e çiftelia”, krijoi emocionet e një atmosfere baritore me emocione që zhvillohet brenda poetikës letrare, brenda mjedisit natyror të përtërirë. Zëri i solistes gurgulloi si vesa nën spektrin e ylberit. Erleta prezantoi një vokal me ngjyrë të thellë, të ngrohtë, e solli materialin muzikor të thjeshtë, por të bukur, emocionues, e lëmonte fjalën, e gdhendte frazën, e zbërthente në detaje anën ideo-emocionale të këngës, e cila ndriçoi plot vezullime.

Befasues ishte edhe interpretimi i solistes Rina Kurteshi, me këngën “Margjelo”. Me vokalin e saj të artë, me timbrikën e veçantë dhe mjaft të ngrohtë, që gjendet rrallë, prezantoi një tingëllim me ngjyra vokale origjinale që flisnin për një kualitet artistik. Zotëronte një teknikë vokale që i dha këngës madhështinë e një arie. Ishte një zë i fuqishëm dhe mjaft e intonuar. Në interpretimin e saj kishte një përndritje diamantesh, një melodi rrjedhëse nëpër ujëvarë, që buron nga shpirti njerëzor. Ajo mrekulli artistike na bëri që edhe pasi mbaroi kënga, të jetonim nën tingujt e zërit të saj.

Fituesja e çmimit të tretë, Elona Sadiku me këngën “Po m’rrahzemra”prezantoi një teknikë të rrallë në interpretimin e karakteristikave melodike e melizmave të këngës. Zëri i saj ishte plot elegancë, emocion dhe estetikë. Në të njëjtin nivel artistik ishte edhe  fituesi i çmimit të parë, Sokol Latifi, me këngën “Zëri i Atdheut“, i cili me interpretimin e tij gjallërues, na shpuri në kufijtë e legjendës. Kënga i doli nga shpirti, ndaj na bëri  të ndihemi krenar, që kemi një art aq të bukur dhe të pastër, por njëkohësisht edhe një Atdhe madhështor. Me timbrin e bukur plot ngjyra vokale, me mjeshtëri profesionale, Sokoli i vuri në funksion të këngës, duke u paraqitur si një individualitet i spikatur, me zë të kristaltë.

Të dy motrat, Ardita dhe Rreze  Ismaijliishin virtuoze me zërin e mrekullueshëm që u gurgullonte brenda shpirtit, sepse e ndienin që kënga ishte mbështetur në palcën shqiptare. Tek ato bashkohej  bota e pastër shpirtërore me talentin rinor.                                                        Këngët u shoqëruan nga orkestra profesioniste e Gjilanit, e cila falë një dirigjimi tepër profesional të FlorentinaRushiti Bajrami, tingëlloi pastër, duke krijuar një atmosferë sa festive aq edhe epike. Meritë të veçantë kishin edhe orkestracionet e studiuara mirë që krijonin një harmoni dhe muzikalitet midis instrumenteve, e që na e sollën besnikërisht kohën kur ishin krijuar këto këngë. Për to kishin punuar muzikantët e talentuar BurhanAzizi,Dëfrim Behluli dhe Flamur Bucaliu. Puna shumë e mirë e orkestrës dhe e solistëve, na bindi për një kolektiv të përkushtuar ndaj muzikës dhe artit, si formë e rëndësishme e ndërgjegjes shoqërore.

Duartrokitjet e ngroha të spektatorëve, ishin të pranishme gjatë gjithë koncertit. I dëgjova nga afër vlerësimet e të pranishmëve, direkt pas interpretimit të tyre dhe më dukej se nuk flisnin spektatorët, por vetë zemra e tyre! Është tej kënaqësisë, të thuash kam qenë në koncert ku këndonin artistët e Gjilanit,  por është fat, të thuash se kam marrë pjesë në një festival të mrekullueshëm, ku këngët shqiptare të kompozitorëve të dikurshëm, të gërshetuara edhe me ato të kompozitorëve kosovar, tingëlluan të freskëta dhe plot emocion estetik.

Ishte një punë kolektive e admirueshme e tërë grupit organizator: MuratIsmajli, përgjegjësi artistik BurhanAzizi, administratori, NehatFerati, Bekim Rexhepaj, Diana Toska, Fazli Berisha, etj., pasioni i të cilëve për ta përcjellë artin shqiptar tek populli, ishte i dukshëm.

Është detyra jonë – theksoi administratori NehatFerhati – ta përcjellim artistikisht trashëgiminë kulturore dhe artistike të popullit tonë, që brezat e rinj ta njohin dhe ta duan këtë pasuri, që flet për një popull artist, me ndjenja të pasura artistike dhe estetike, me kulturë qytetare.

Aktualisht Ansambli “Gjilani” është kompletuar me të gjitha seksionet dhe ka në veprimtarinë e vet mbi 100 anëtarë të rritur dhe të rinj. Veprimtaritë e tij muzikore janë periodike, ç’ka e gjallërojnë jetën kulturore të qytetit dhe promovojnë në vazhdimësi vlerat artistike të krijuara prej popullit shqiptar.

Fitim Çaushi

Share This Article
1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *