Festivali i RTSH-së gjithmonë ka qenë në thumbin e kritikave, pasi shumë herë është përfolur për paracaktimin e fituesit. Për këtë arsye, prej kohësh ai është braktisur nga ata që konsiderohen si këngëtarët kryesorë në tregun shqiptar. Këngëtari Selami Kolonja, i cili është zhgënjyer shumë nga juria e festivalit të 51 të RTSH –së, që paraqitjen e tij në këtë festival e vlerësoi me zero pikë, ka thënë se ky festival është si një dasmë e bukur, që prishet në fund nga 3-4 pijanecë. Mllefin e tij ndaj jurisë, ai e ka paraqitur edhe në rrjetin social Facebook, duke shkruar: “Artistët e vlerësojnë lart këtë skenë të magjishme, shkruajnë, muzikojnë, këndojnë! Dhe gjithçka rrjedh bukur! Deri sa shfaqet “juria” Aty prishet gjithçka! Si një dasmë e bukur, kur në fund 3-4 pianecë e prishin! Kjo lë pasoja tek artistët (jo për radhitje çmimesh), por për përbuzjen që u bëhet me nënvlerësimin(0 pikë). Ky rezultat na ka sjellë që këngëtarët më të mirë të skenës shqiptare të refuzojnë të marrin pjesë në atë festival! Kësaj i thonë VETËVRASJE KULTURORE”, shprehet ai.
