Është përmbyllur me sukses mbrëmjen e djeshme në Përmet edicioni i parë i Festivalit iso-polifonik i sazeve “Laver Bariu”. Kanë qenë tri ditë të bukura për përmetaret, por edhe për dashamirësit e muzikës. Por nuk kishte vetëm këngë e valle. Gjatë këtij aktiviteti u bë edhe promovimi i CD-së, “Trashëgimia shpirtërore e Usta Laver Bariut”, në të cilën përurua edhe pllaka përkujtimore në pallatin ku banoi Usta Laver Bariu dhe u inaugurua rruga që mori emrin e tij. Realizimi artistik i pllakës përkujtimore është realizuar nga skulptori përmetar Anesti Shukraja. Ky festival u organizua në tri net, në nderim të mjeshtrit të klarinetës Usta Laverit, i cili u nda nga jeta më 26 janar të vitit 2014 dhe në kuadër të javës të aktiviteteve të diversitetit kulturor e mbështetur nga Ministria e Kulturës.
Sipas organizatorëve, ishte një aktivitet shumë i veçantë që përfshiu: koncerte nga formacionet pjesëmarrëse të sazeve, ekspozita, konferenca, promovime etj.
Muzikologu Vaso Tole, ideator i festivalit u shpreh se: “Çdo gjë shkoi më mirë seç e kishim parashikuar. Te sazet dhe te muzika tyre gjenden rrënjët e ekzistencës dhe identitetit tonë kulturor. Për më tepër, përdorimi i veglave muzikore europiane si: violina, klarineta dhe fizarmonika në muzikën iso-polifonike qytetare, që krijoi një bashkim origjinal të vlerave të së shkuarës sonë. Prandaj muzika me saze nuk është vetëm kulturë muzikore, ajo mbi të gjitha është trashëgimi shpirtërore e banorëve të rrënjës në Shqipërinë e Jugut dhe pjesë e gëzimeve dhe halleve të tyre”. Festivali u mbështetet financiarisht nga dashamirësit e sazeve.
Për organizimi
“Sazet lindën dhe u zhvilluan së bashku me njerëzit, me hallet dhe gëzimet e tyre, për gati 150 vjet. Ato përfaqësojnë muzikën e shpirtit njerëzor, krijuar nga njerëzit që transmetohet përmes njerëzve. Sot shohim se ka një shkëputje të rolit të tyre në shoqëri dhe rrudhje të përdorimit publik të tyre në të gjitha nivelet. Sazet dhe muzika me saze janë ekspozuar ndjeshëm, gjithashtu edhe ndaj përdorimit të teknologjive të reja muzikore digjitale dhe për këtë kërkohet përsëri një rigjallërim dhe ndërfutje e tyre në jetën e përditshme. Hartimi i politikave kulturore në ruajtje dhe mbrojtje të tyre, duke filluar që nga mësimi i gërnetës dhe i veglave muzikore të sazeve nga fëmijët pranë qendrave kulturore. Festivali iso-polifonik i sazeve “Usta Laver Bariu” kishte si synim edhe promovimin gjerësisht të kësaj kulture muzikore tradicionale të Përmetit, Leskovikut, Kolonjës, Beratit, Vlorës, Korçës, Odries, Pogradecit etj. Kjo trashëgimi, sipas gjithë pjesmarrësve, duhet t’iu kalojë brezave”- pohon Vaso Tole, akademik.
Koncertet
Koncertet e Festivalit të Sazeve u mbajtën në qendër të qytetit, në skenën natyrale që përmetarët e quajnë “Sheshi i Lapidarit”. Grupet pjesëmarrëse para fillimit të koncerteve u vendosën në krye të katër rrugëve me drejtim në sheshin e qytetit, ku ndodhet dhe shtëpia e Laver Bariut. Të gjitha grupet me tingujt e sazeve u drejtuan drejt sheshit dhe më pas u bashkuan pikërisht aty. Sazet pjesëmarrëse në këtë festival ishin: sazet e Përmetit, me gërnetë Sadik Zeqiri, sazet “Fllad Kolonjar”, me gërnetë Artan Stajo, Ersekë. Sazet e Gëzim Duralliut me gërnetë, Përmet, sazet e Delvinës, sazet e Ilir Duralliut, me gërnetë Ilir Duralliu, sazet e grupit “Onufri” në Berat, me gërnetë Adrian Koreci. Sazet e Josif Shukallarit me gërnetë, Përmet, sazet e Telando Fetes, me gërnetë Telando, Korçë etj.
Krahas koncerteve u organizua edhe një ekspozitë kushtuar sazeve dhe Usta Laver Bariut, promovimi i CD-së, “Trashëgimia shpirtërore e Laver Bariut në CD” dhe u e ekspozua për herë të parë gërneta dhe kostumi popullor me fustanellë i e mjeshtrit promovim librash kulturore dhe ekspozita fotografike dhe etnografike. Libri më interesant që përshkruan jetën e gjallë të sazeve dhe të pjesëtarëve të tyre në kontekstin e një jete shoqërore në Përmet, u cilësua “Jeta që na dhanë”, i poetit dhe shkrimtarit përmetar, Bardhyl Londo. Autori ishte prezent në Përmet për këtë promovim. Gjithashtu, u zhvillua dhe një ekspozitë e veçantë fotografike e titulluar “Përmeti etnografik”, në mjediset e jashtme të Kishës së “Shën e Premtes”, që mban statusin “Monument Kulture” në qytetin e Përmetit.
Çmimet e Festivalit të Parë të Sazeve “Laver Bariu”
Çmimi “Sulejman Lame” – këngëtarët Ahmet dhe Fatmir Lela
Çmimi “Jorgo Çulli” – këngëtarët e grupit të sazeve të Vrionit
Çmimi “Mentor Xhemali” – këngëtarët Alban Zeqiri dhe Jarek Muço
Çmimi “Hafize Leskoviku” – këngëtarët Donika Pecollari, Adriana Thanasi dhe Evgjeni Çulli
Çmimi i gërnetës “Mastora” – Artan Majko (Delvinë)
Çmimi i gërnetës “Lulushi – Novruz Nure” – Telando Feto (Korçë)
Çmimi i gërnetës “Çobani-Remzi Lela” – Aleks Xhelili (Kolonjë)
Çmimi i gërnetës “Usta Laver Bariu” – Josif Shukallari (Përmet)

Nje veprimtari kulturore mbreselenese edhe pse s’ka nevoje qe te jesh i pranishem ne kete eveniment. Gurra popullore eshte e pashtereshme dhe, vete emri i saj, te ben krenar qe je shqiptar. Ndoshta eshte i vetmi eveniment qe na ka mbetur sot si simbol i bashkimit kombetar. Para disa kohesh pati nje perpjekje, qe rezultoi e pasuksesshme, kur u kerkua qe te kendohej himni kombetar i flamurit neper shkolla. Kjo “flake”, ne dukje, sinjifikative, nuk pati vazhdimesi, sepse nuk behet me zor nje gje, te cilen e ke shkelur me kembe per vite me rradhe. “Tentakulat” politike i kane hyre ketij populli kaq thelle ne trupin e tij sa nuk po gjendet ilac per ta sheruar. Le te rroje sa malet muzika popullore, megjithese po dalin ca “trima” qe edhe kete “popullore” duan ta heqin nga fjalori. Turp kombetar…