Mbase u duket diçka e zakontë që rëndom kur flasim për marrëdhëniet midis feve, përdoret dhe fjala tolerancë, të cilët unë nuk e pranoj, pasi mbi të kanë kushedi se ç’peshë të vërtetë shprehëse harmonia dhe bashkëjetesa fetare.
Rreth tavolinës sime familjare ulen tri fetë: motra e vogël ka për bashkëshort një të fesë katolike, djali im ka për grua një orthodokse, ndërsa unë, edhe pse jo praktikant fetar, kam për grua një myslimane. As kemi pasë e as kemi ndonjë kompleks, jetojmë si jo më mirë, respektojmë bindjet e secilit dhe urojmë njëri-tjetrin edhe familjarisht në raste festash fetare.
Episodi i parë:
Familja ime është ndër më të vjetrat qytetare të Shkodrës. Gjyshi, ka pasë miqësi me një familje katolike në Gjuhadol. Shkonin e vinin me njëri-tjetrin në raste festash e gëzimesh, duke thyer edhe tabutë, për të cilat do të flas më poshtë. Nga ai dhe babai im kujtoj një detaj interesant: Nushi, se kështu quhej miku katolik, në një rast gëzimi në familjen e tij kishte ftuar edhe gjyshin me dy djemtë e tij. Sa u ulën rreth tavolinës për të ngrënë, Nushi i afrohet gjyshit tim dhe sa ta dëgjonin edhe dy të bijtë, i thotë: “Miku im Beqir, sot në tavolinën time nuk shtrohet mish derri, por për nder tuej kam ble nji koshë viçi dhe pjatat, lugët, pirunët e gotat ju kam dhënë porosi grave t’i lajnë tri herë që të mos keni asnjë siklet se në to asht gatue e hangër mish derri”.
Episodi i dytë:
Dy shekuj më parë, ndërsa ishim nën pushtimin turk, mes lagjeve të besimit mysliman e atij katolik në Shkodër ishte një vijë demarkacioni, e cila besnikërisht është pasqyruar edhe nga dom Ndoc Nikaj në veprën e tij “Kujtime të nji jetës s’kalueme”. Në faqet 77-78 të këtij libri ai ka një nënkapitull të titulluar “Lagjet muhamedane e krishtiane ishin krejtësisht të dame”. Mes tjerash këtu lexojmë: “Në lagjet muhamedane nuk mund të shkojshin persona të klerit katolik prej se kalamajtë u mveheshin mbrapa tue i sha e tue i gjuejt me gur”. Por ky prift, qe ndër të parët që e theu këtë akull dhe i ra rrugës terthuer ndërmjet të lagjeve myslimane, edhe pse kalamajtë e rrugës nisen me britë në mënyrë jo dashamirëse. Por ai nuk u tërhoq, nisi me ba vizita në miq të tij myslimanë dhe kjo shërbeu jo vetëm për atë vetë, por edhe të tjerë katolikë, të shiheshin me tjetër sy. Plus kësaj edhe ndjekja e shkollave nga fëmijët e myslimanëve ndikuan me u zbehë e zhdukë fanatizmi i tyre, aq sa, shkruan dom Ndoci, “Mbas pak vjetëve më ra me shkue në lagjet e muhamedanëve. Kalamajtë që ishin kenë tue luejt rrugës, porsa u afrova u çuen në kambë, u vuene në rresht dhe më përshëndetne ashtu sikur i kishin msue me përshëndetë hoxhen”.
Episodi i tretë:
Harmoni, bashkëjetesë mbi bazën e një patriotizmi të theksuar na vjen me një tjetër ikonë të tyre: Kupe Danen. Kësaj figure e aktit të tij sublim i janë drejtuar shkrimtarë e artistë, që e kanë përjetësuar atë, duke filluar që nga enciklopedisti i Shkodrës, Hamdi Bushati, Mësues i Popullit, shkrimtari Fadil Kraja, Mjeshtër i Madh, që i ka kushtuar romanin “Britma e një gruaje”, Heti i Molla Sylos e Arshi Pipa. Kupe (Jakup) Dania na paraqitet nga Hamdi Bushati, si qytetar i thjeshtë shkodran, që tek pa dy gra katolike, të mbuluara me çarçafë sipas zakonit të kohës, të cilat po tentoheshin të përdhunoheshin nga dy zabitë turq, thirrjes së tyre për ndihmë iu përgjegj jo me fjalë, por duke shkrehur koburen që mbante në brez e duke i lënë të vdekur të dy, pa pyetur për egërsinë si furtuna që do të ngrihej nga pushtuesit turq kundër tij e familjes dhe shtëpisë që iu vu flaka.
Shkodra nuk e dorëzoi Kupe Danen, e strehoi, e mbështeti, se ai s’kish mbrojtë nderin e dy katolikeve, por të dy motrave shkodrane: “Katilllëkun s’e kam dashtë/ Por kismet kshtu paska kenë,/ Se erzin e kena bashkë/ muslimanë e të kështenë/. M’u muer malli, m’u dogj shpija/ edhe robt m’janë ba hasi*,/ U çue prifti e popullsia/ E goditë m’i kanë përsri”, do të shkruante Heti i Molla Sylos, ky njeri i urtë i Shkodrës”. Në këtë linjë është edhe Arshi Pipa, i cili Kupe Danes i ka kushtuar një baladë tek “Libri i burgut”. Mes tjerash, kam dëshirë që dy strofat tetëshe të saj, t’ua përcjell sot, pasi është sintezë e gjithsa thashë: “Thrret kasneci, bjen nji lodër/ Qite Kupen, mori Shkodër!/ S’e qet Shkodra kurr’Jakupin,/ Se vrau t’flligunin, magjypin!/ Mos e mbajtë ana e vet/ E mban prifti njizet vjet/ Me fërrlik e me sherbet/. U çue pasha e prej inati/ I muer gjindt, ja hallakati/ I vue zjarmin me çka pati/ U çue prifti, vendi mbarë,/ sheherlinj e katundarë,/ Me t’ungjillit e t’Islamit/ Turrevrap iu gjenden damit./ Po n’at plang e n’ato troje/ Ma të bukur mbi rronoje, ja goditen nji konak/ Me nji qoshk përmbi çardak”.
Shkrimtari Fadil Kraja, si ka përshkruar plot pathos ngjarjen në fjalë, triumfin e Shkodrës e përshkruan në detyrimin që i bëri qeverisë pushtuese t’ia falte jetën Kupe Danes e në këtë gëzim që mori përmasa popullore veç lodrave që ranë për sihariqin e madh, “për çudinë e të gjithëve, nga dy kisha përnjëheri ranë kumbonët për një kohë të gjatë…Çështja e kafexhiut të pazarit Kupe Danes kish sjellë një paqe e harmoni mes dy besimeve që veç të mira i sillte këtij qyteti hallemadh”.
Episodi i katërt:
Familja e Spahijeve në Shkodër (bri stadiumit “Loro Boriçi) është e njohur mes familjeve autoktone, me shumë pjestarë e pasuri. Një ditë, para shumë dekadash, të zotit të shtëpisë një i panjohur i la tek dera e shtëpisë një vajzë të brishtë malësore. Se si e tek gjurmët kanë humbur, se ngjarja ka ndodhur rreth 150 vjet më parë, po Tringa (se vetëm emri i dihej) këtu i bëri vend vehtes me punën e ndershmërinë e saj, aq sa konsiderohej pas disa vitesh si pjestare familjeje. Nuk i hodhi fat vehtes. Tek Spahijet shpirti i saj u mbush me jetë. Kishte odën e saj të fjetjes, si katolike praktikonte të gjitha ritet në një familje tipike myslimane. Një shoku im nga kjo familje, Fejzi Spahia, ish aktor i teatrit “Migjeni” e deri sa doli në pension funksionar kulture, më ka treguar se para se të vdiste Tringa, kërkoi një prift. Nxituan t’ia plotësonin kërkesën dhe prifti hyri në një familje myslimane. Tringa vdiq diku nga vitet 30’të të shekullit të kaluar. Në ceremoninë mortore erdhi prifti, u përcuall me ceremoni si pjestare e familjes Spahia, por dhe si katolike e pas karrocës me arkivolin e saj me kryq përsipër, ecën me dhjetra e qindra myslimanë, pjestarë të familjes e të fisit spahijej, por dhe të tjerë, myslimanë, katolikë e orthodolsë, duke i ra mes për mes qytetit, me priftin në krye, në këmbë si atëhere, sheshit të Parrucës, në rrugën para prefekturës, nga pijaca e Shkodrës e drejt varrezave katolike të Rrmajt, si për të treguar se myslimanë, katolikë e orthodoksë mbi të gjitha ishin shkodranë e shqiptarë.
Episodi i pestë:
Në demonstratën antifashiste të shkurtit 1942 në Shkodër, mes shumë të plagosurve, qe edhe Tom Kola, sot Hero i Popullit. Shokët e morën në krahë, ashtu pa ndjenja dhe e çuan në lagjen Dërgut, në bazën e vëllezërve antifashistë Kapisyzi. Po, siç duket, hafijet e kohës nuk flinin. Megjithatë vëllezërit Kapisyzi u treguan më të shpejtë e atë natë, para se t’ia mbrrinin fashistët për kontroll në shtëpinë e tyre, e morën sërish në krahë Tomën dhe, si përshkuan disa bahçe, trokitën në një shtëpi dykatëshe. I thirrën lehtë të zotit të shtëpisë dhe nga një dritare e vogël e katit të dytë iu përgjigj një zë gruaje, se i zoti i shtëpisë ndodhej në Krajë dhe ajo ishte e vetme. Sërish këmbëngulën që t’i thonin diçka dhe ajo zbriti e ua hapi derën. Mbeti shtang kur pa në krahë të dy burrave një djalë të përgjakur, me kokën e varur, gati krejt pa ndjenja. Ai djalë mund të ishte, sikur të jetonte, edhe i biri. Ua hapi derën, e rehatoi në një dhomë të katit të parë, priste e përcillte në mesnatë mjekun që sillej nga ilegalët nepër bahçet e Shkodrës për t’i ndrruar plagën, i mëkoi si fëmijë gjersa erdh në vehte e nisi të komunikojë me të. Ndërkohë u kthye i shoqi, molla Muhja, pra klerik mysliman. Nuk i tregoi. Ato jetonin në katin e sipërm dhe tinës të shoqit i shërbeu edhe tri ditë të tjera Tom Kolës në katin e parë. Edhe kushërira ime qe myslimane e thekur, e mori vesh se i plagosuri, Toma, i takonte besimit katolik, por siç dhe më ka thënë ishte si ajo, njeri i zotit. E këtë të vërtetë, (veç atyre që e sollën dhe e morën e që ia kishin dhënë fjalën se sa të ishin gjallë askush s’do ta tregonte, pasi konsiderohej turp për një grua që fuste një burrë pa qenë bashkëshorti në shtëpi), i shoqi nuk e mori vesh sa qe gjallë. Ma tha vetëm mua në besë, që mund ta përshkruaja vetëm pasi ajo të vdiste. Dhe ia mbajta fjalën. Ajo quhej Fetije Kraja, ne e thërrisnim “halla Feta”.
Episodi përmbyllës:
Nëna e kryemyftiu të Shkodrës është e besimit katolik, nëna e popit të Shkodrës është e besimit mysliman
************
Autori është kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve Shkodër

Faleminderit z. Temali. Shkrimi juaj eshte nje shembull praktik, jetesor dhe i vertete i asaj cfare duhet te jene shqiptaret dhe si duhet te sillen ata me njeri-tjetrin. E ardhmja, paqja dhe e mira e kombit shqiptar e kerkojne kete model te menduari dhe sjelljeje. Prandaj edhe duhet t’ia japim.
“Nëna e kryemyftiu të Shkodrës është e besimit katolik” – me duhet t’ju qortoj kohen e foljes: “ishte katolike”, “Ishte kengetare” por tani nuk eshte me.
Ne Shkoder nuk ekzistojne me ekuilibrat e meparshem. Ardhja e malesoreve ka bllokuar pjesen myslimane, qe edhe kane ikur gjetke.
Nga ana tjeter nuk po na dalin me as politikane dhe as intelektuale ne zë te anes myslimane. Sa per myftiun ai me mire te ishte bere frat se vetem po na turperon me budallalleqet e tija.
Shkrim i mire i z. Temali. Ai ka qellimin e mire qe permes ketij shkrimi t’i bashkoje shqiptaret e besimeve te ndryshme. Por ky shkrim do te ishte perfekt nese ai nuk do te shkruante vetem per te mirat dhe ndihmat qe myslimanet u bene te krishtereve. Ai duhej te shkruante edhe per te krishteret katolike dhe ortodokse qe gjate historise u dolen ne ndihme myslimaneve shkodran. A thua gjate historise nuk ishte ndonje i krishtere qe ndihmoi myslimanet ?
Dicka e pa imagjinueshme per ate kohe ne Shkoder.
Te lumte Skender, me kete shkrim i tregon rinise e botes te verteta te jetueme.