Kanë qenë të tensionuara minutat e para të emisionit “Opinion” në Tv Klan, ku i ftuar ishte kryetari i Partisë Demokratike dhe Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha. Replikat mes gazetarit Blendi Fevziu dhe kryeopozitarit lindën pas disa ndërprerjesh të fjalës së Bashës nga drejtuesi i emisionit. Ankesave të Bashës, Fevziu u është përgjigjur se për të ishte i rëndësishëm ritmi i emisionit.
“Këtë nuk e bëni me të gjithë” u shpreh Basha. Fjali që duket se ka nervozuar Fevziun, i cili u shpreh se kryeministrit Rama i kishte bërë më shumë ndërprerje. “Nuk keni ardhur këtu për të replikuar me mua”, tha drejtuesi i emisionit. Ai kujtoi se të njëjtën i kishte thënë edhe një politikan tjetër. “Atëherë duhet të ketë një problem (me ju)”, tha Basha. Ka qenë i menjëhershëm një tjetër reagim i Fevziut.
“Është problem i paranojës së politikanëve”, ndërhyri drejtuesi i “Opinion”-it. Më tej, Basha kërkoi sërish të mos ndërpritet gjatë përgjigjeve të tij. “Kam edhe unë një mendim politik, ndaj dua të flas pa u ndërprerë”, u shpreh Basha. E gjithë kjo dukej si një shfaqje me aktor të dobët. Luli që donte ngrinte zërin, por pa ndonjë shkak të madh, dhe Fevzos që po i pëlqente ky shpërthimi kot i Bashës dhe i shkonte pas avazit në të njëjtin tonalitet zëri.
