Mesazhi i Fidel Castros: Nuk i besoj SHBA-së, por mbështes dialogun

Ornela

Lideri kuban Fidel Castro ka thyer heshtjen prej më shumë se një muaji për afrimin historik të SHBA-së dhe Kubës duke theksuar se nuk beson te Shtetet e Bashkuara dhe se ai nuk ka dialoguar me Uashingtonin

Lideri kuban Fidel Castro pohoi në një mesazh për studentët e Universitetit të Havanas se nuk beson në politikën e Shteteve të Bashkuara, edhe pse mbështet “zgjidhjen paqësore” të konflikteve sipas normave ndërkombëtare. “Nuk besoj në politikën e Shteteve të Bashkuara, as nuk kam shkëmbyer asnjë fjalë me ta, por kjo nuk do të thotë se refuzoj një zgjidhje paqësore të konflikteve, apo rreziqeve të luftës”, tha lideri kuban në një mesazh të lexuar nga Presidenti i Federatës Studentore Universitare (FEU), Randy Perdomo dhe që u transmetua në televizionin shtetëror. Duke iu referuar rivendosjes së marrëdhënieve mes Kubës dhe SHBA, Fidel Castro ka deklaruar se “presidenti i Kubës (Raúl Castro, vëllait të tij) ka bërë hapat përkatës sipas prerogativave dhe kompetencave që i japin Asambleja Kombëtare dhe Partia Komuniste i Kubës”.  “Mbrojtja e paqes është detyrë e të gjithëve. Çdo zgjidhje paqësore dhe e negociuar për problemet midis Shteteve të Bashkuara dhe popujve, apo çdo populli të Amerikës Latine, që nuk përfshin përdorimin e forcës, duhet të trajtohet sipas parimeve dhe standardeve ndërkombëtare”, shton udhëheqësi i revolucionit kuban. Ai gjithashtu thekson se Kuba gjithmonë do të mbrojë “bashkëpunimin dhe miqësinë me të gjithë popujt e botës, duke përfshirë edhe ato të kundërshtarëve tanë politikë. Kjo është ajo që ne po kërkojmë për të gjithë”.

Fjalët e Fidel Castros në këtë mesazh janë deklarimi i tij i parë për afrimin historik diplomatik mes Kubës dhe Shteteve të Bashkuara, të armiqësuara që nga 1961.

Ish-presidenti kuban nuk është shfaqur në publik që nga janari 2014 dhe fotografitë e tij të fundit u publikuan në gusht gjatë një vizite që ai i bëri Presidentit të Venezuelës Nicolas Maduro. Ky mesazh vjen tri ditë pas mbarimit të raundit të parë të kontakteve zyrtare mes Havanës dhe Uashingtonit të mbajtur në Kubë më 21 dhe 22 janar për të ndjekur rrugën e shkrirjes diplomatik.

Castro, 88 vjeç, u tërhoq nga pushteti për shkak të një sëmundjeje në 2006, ashtu si ai e kujton në fillimin e mesazhit të tij për studentët. Pasi kujtoi pranimin e tij në Universitetin e Havanës 70 vjet më parë, si dhe ndikimin që ushtruan mbi të në atë periudhë Karl Marksi dhe Lenini, Castro paralajmëron se “idetë revolucionare duhet të jenë gjithmonë në gatishmërisë me shumëfishimin e njohurive të njerëzimit”.

 

Share This Article
1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *