Nga EDMOND HOXHAJ
Prej më shumë se pesë vitesh abuzohej seksualisht nga bashkëjetuesi i nënës së saj. Por ditën e djeshme (të premten), e shoqëruar edhe nga i ati, fëmija ka denoncuar në policinë e Fierit, gjithçka i kishte ndodhur në dijeni e në prani së të ëmës. Historia e rëndë që ka rrëfyer e mitura 13-vjeçare E.Y., banuese në një fshat në rrethinat e qytetit të Fierit, ka tronditur punonjësit e policisë dhe psikologen që kanë administruar deklarimet e të dëmtuarës në prani të babait të saj, duke bërë që të nisin menjëherë verifikimet lidhur me pretendimet e paraqitura.
Abuzimi
Nga burime të gazetës është mësuar se e mitura 13-vjeçare E.Y., ka deklaruar para hetuesve dhe psikologes se prej rreth pesë vitesh ishte abuzuar seksualisht nga bashkëjetuesi i nënës së saj. E mitura ka theksuar se abuzimi e kishte tronditur dhe kishte kundërshtuar, por nuk ka arritur dot të ndalë dhunuesin. Sipas të dëmtuarës, nëna e saj, 40-vjeçarja S.Y., ishte në dijeni të këtij fakti dhe se kishte ndikuar që kjo gjë të ndodhte. Ndërkohë, mësohet se e ëma së bashku me bashkëjetuesin e kanë shtyrë që ajo të kryejë marrëdhënie seksuale edhe me të tjerë persona, kundrejt pagesës.
Hetimi
Ka qenë babai i të miturës ai i cili, pas marrjes së informacioneve për atë që po i ndodhte të bijës, ka komunikuar me të dhe i ka kërkuar që së bashku të denoncojnë abuzimin që i ishte bërë. Pas marrjes së deklarimeve, është kryer edhe ekspertimi mjeko-ligjor, nga ku është konkluduar se 13-vjeçarja ishte abuzuar seksualisht. Pas kësaj, hetuesit në shoqërinë e psikologes kanë shkuar së bashku me të miturën në shtëpinë e nënës së saj, ku mësohet se kanë gjetur edhe disa degë lëndë narkotike të llojit kanabis sativa të varura në një dhomë për tu tharë. Sipas burimeve të gazetës, policia ka lënë vetëm 40-vjeçaren S.Y. së bashku me të bijën, ndërkohë që e kanë pasur nën vëzhgim. Mësohet se në këto momente e ëma i ka thënë 13-vjeçares që të tregonte për lëndën narkotike por “jo për atë muhabetin tjetër”. Pas kryerjes së veprimeve speciale të hetimit nga janë siguruar edhe prova të tjera që kanë vërtetuar pretendimet e të miturës, policia ka ndaluar 40-vjeçaren S.Y. dhe bashkëjetuesin e saj Y.H. .
Precedenti
Më 19 Janar të këtij viti, policia e Fierit vuri në pranga 13 persona, nga të cilët gjashtë ishin femra që u kapën duke ushtruar prostitucion. Mes femrave të arrestuara ishte edhe 40-vjeçarja S.Y., e cila është nëna e 13-vjeçares së abuzuar seksualisht. Vite më parë, 40-vjeçarja S.Y. ishte divorcuar nga bashkëshorti i saj, i cili ishte larguar nga fshati ku kishin jetuar së bashku dhe ishte shpërngulur në një fshat tjetër të Bashkisë së Fierit, ku kishte krijuar familje të re. Por, ai ka mësuar informacione për atë që po i ndodhte vajzës dhe ka komunikuar me të duke e bindur që të denonconin së bashku nënën dhe abuzuesin e saj.
