Një biznesmen karburantesh i ka shpëtuar mrekullisht një atentati. Ngjarja ka ndodhur ditën e enjte, por policia e ka mbajtur si informacion të rezervuar, për vetë mungesën e pasojave. Atentati ndodhi në aksin rrugor Fier – Patos, në lokalin e shitjes së karburantit pronë e 53 vjeçarit Namik Suli.
Persona të paidentifikuar i janë afruar pikës së karburantit me një makinë tip “Alfa Romeo” dhe kanë qëlluar me breshëri automatiku në drejtim të 53-vjeçarit Suli. Ky i fundit nuk është prekur nga plumbat por një klient në lokal është prekur shkarazi në qafë nga një plumb . Klienti ka marrë ndihmën mjekësore në spital dhe ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore. Autorët janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.
Policia u vu në kërkim të tyrë por ka mundur të gjejë vetëm automjetin e braktisur në afërsi të fshatit Verbas. Automjeti u gjet i djegur plotësisht ndërsa brenda tij ishte edhe automatiku me të cilin autorët qëlluan drejt biznesmenit. Dyshohet që ngjarja të jetë vazhdim i një konflikti që ka shkaktuar vrasjen e vëllait të biznesmenit. Sulit afro dy vjet më parë. Neim Suli u vra nga fqinji i tij për konflikt pronësie.
Gëzim Sulo dhe dy djemtë e tij Endri dhe Ervis Sulo janë në burg dhe presin vendimin e gjykatës. Gjashte muaj pas vrasjes, vëllait të autorit iu vu tritol në makinë por ai dhe gruaja e tij dolën përpara se makina të shpërthente. Ngjarja nuk është zbardhur ende nga policia por dyshohet të kishte motive gjakmarrje.
Vrasja e Neim Sulit
Neim Suli 44 vjeç u vra në 10 Nëntor të vitit 2012. Gëzim Sulo dhe djemtë e tij Ervis dhe Endri Sulo u akuzuan për krimin pas konflikteve të vazhdueshme për tokën ku ishte ndërtuar servisi. Viktima Sula dhe fqinjët e tij që banonin në një pallat ishin në sherr për servisin shumë pranë vilës ku viktima jetonte së bashku me dy vëllezërit dhe nënën e tij. Ngjarja e rëndë ndodhi në orën 21.00 të mbrëmjes së 10 Nëntorit. Biznesmeni Suli u qëllua me armë zjarri automatik, duke hyrë për në banesën e tij. Ai ka qenë duke zbritur nga autovetura me targa TR 7835 C, që drejtonte, kur është përballur me breshërinë e automatikut. Ka mundur të largohet duke bërë disa hapa brenda në oborr, por është ndjekur pas dhe është qëlluar disa herë të tjera. Polica tha se një nga autorët e ka qëlluar edhe një herë në kokë viktimën, për t’u siguruar se ai kishte vdekur. 46-vjeçari pësoi vdekje të menjëhershme për shkak të plagëve të rënda të marra në gjithë trupin dhe në organe jetësore. Sipas policisë, ai u qëllua 11 herë.
Tritoli
Më datë 3 Maj 2013, në orët e para të mëngjesit, në aksin rrugor Fier – Lushnjë, në afërsi të fshatit Vajkan, një automjet “Skoda” me targa TR 2661 S me drejtues shtetasin Sulejman Sulon, 56 vjeç, banues në Fier i cili udhëtonte me bashkëshorten e tij Alie Sulon, ka shpërthyer duke u djegur plotësisht nga flakët. Si pasojë, u dëmtuan të dy personat që ndodheshin në mjet të cilët janë u dërguan në Spitalin Rajonal të Fierit dhe dolën jashtë rrezikut për jetën. Sulejman Sulo është vëllai i Gëzim Sulos, i akuzuar për vrasjen e Neim Sulit. Policia dyshoi për hakmarrje, por ngjarja nuk është zbardhur ende.

pune sulosh
koken hengershi more egersira se njerez nuk jeni dhe juve beni mire te xhdukeni nje sahet dhe me pare se nuk kemi se çu duame.