Fier, dëshmia e rreme, arrestohet nusja. Akuzoi vjehrrin për ngacmim seksual

redaktor

Konfliktet nuse-vjehërr në të shumtën e rasteve janë komike. Por ka dhe raste kur sherret ndryshojnë rrjedhën e jetës së njërit apo tjetrit. Afro një muaj më parë, një 60-vjeçar nga fshati Topojë i Komunës së Semanit përfundoi në pranga, pasi nusja e djalit e denoncoi në polici për ngacmim seksual. Pas hetimeve të bëra nga prokuroria e Fierit gjatë kësaj kohe, rezultoi se ngjarja nuk ishte e vërtetë dhe se nusja kishte shpifur dhe akuzuar me pa të drejtë babain e bashkëshortit të saj. Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Qarkut të Fierit, bëjnë me dije se pasditen e së hënës është arrestuar 35-vjeçarja Lindita Çala, pasi akuzohet për kallëzim të rremë. Sipas hetuesve të çështjes, nëna e dy fëmijëve nuk shkonte mirë me vjehrrin e saj, Margarit Çalën, ndaj për inat e ka denoncuar atë se e ngacmonte seksualisht. Mësohet se ka qenë 35-vjeçarja që e ka provokuar vjehrrin.

Burimet e mësipërme sqarojnë se afro një muaj më parë, Lindita, në prezencë të vjehrrës i është ulur Margaritit në prehër, ndërsa nga ana tjetër, me telefonin celular e ka filmuar. “Prova materiale” është dorëzuar në polici, ndërsa 60-vjeçari është prangosur. Pas arrestimit të vjehrrit, 35-vjeçarja rrinte në shtëpi, ndërkohë që bashkëshorti i saj punonte tokat në pronësi të familjes, kurse vjehrra ruante bagëtitë. Burime nga prokuroria e Fierit pohojnë se ishte vetë nusja që tërhoqi kallëzimin ndaj vjehrrit të saj. Gjithashtu, pohohet se nuk ishte rasti i parë që Lindita Çala bënte denoncime të tilla. Ajo kishte denoncuar dhe burra të tjerë të fshatit për ngacmim seksual. Afro një vit më parë, ajo ka denoncuar bashkëfshatarin L. Zarka, duke thënë në polici se “sa herë që unë shkëmbehesha me Zarkën, ai më nxirrte një kartëmonedhë 5 mijë lekëshe dhe e tundte në dorë. Edhe në atë rast policia ka shoqëruar Zarkën, por më pas ka rezultuar se gjithçka ishte e gënjeshtërt. Pas zbardhjes së ngjarjes pritet që Margarit Çala të lihet i lirë. Aktualisht ai ndodhet në dhomat e paraburgimit në Burgun e Rrogozhinës./BW

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *