Ndërhyrja në kohë e Policisë së Fierit parandalon një krim brenda familjes. Sipas të dhënave, efektivët kanë ndaluar dhunuesin, i cili ishte me precedentë penal të mëparshëm. Në pranga ka rënë Ervin Saliaj, 27 vjeç, banues në lagjen “29 Nëntori” Fier.
Ndalimi i të riut u bë pasi rreth orës 17:00, të së hënës, në lagjen “Apollonia” Fier, në ambientet e një agjencie udhëtimesh, ka kanosur me jetë ish-bashkëshorten, shtetasen E.S, 27 vjeçe, banuese në lagjen “8 Shkurti” Fier, punonjëse në këtë agjenci.
Menjëherë në vendngjarje ka shkuar patrulla e policisë duke bërë të mundur neutralizimin e autorit dhe ndalimin e tij. Nga martesa çifti i divorcuar kanë një fëmijë tre vjeç, për të cilin gjykata ka vendosur të mbahet nga nëna, por shtetasi Ervin Saliaj e mban vetë dhe nuk e kthen në kundërshtim me vendimin e gjykatës.
Materialet i kaluan Prokurorisë Fier për veprat penale “Dhunë në familje”, “Kanosje serioze për hakmarrje”, “Marrja e padrejtë e fëmijës” dhe “Veprime në kundërshtim me vendimin e Gjykatës”.
