FIFA ka lënë pas dore shumë vende, përfshirë këtu edhe Kosovën. Gazetari i pavarur Steve Menary ka përpiluar një tekst, ku ka përmendur vendet e shumta të harruara nga shtëpia e futbollit botëror për arsye të ndryshme. Shumica prej tyre janë krahina, ishuj dhe pjesë të shteteve të tjera, që nuk e kanë fituar pavarësinë, për dallim bën Kosova, e cila vazhdon të mbetet e izoluar. Menary insiston se FIFA duhet t’i thotë ‘PO’ Kosovës.
Kosova është njëri prej vendeve të harruara nga FIFA. Gazetari i pavarur, Steve Menary, ka përgatitur një shkrim ku ka përmendur vendet e harruara nga Federata Ndërkombëtare e Futbollit, ku nuk e ka anashkaluar Kosovën, e cila mbetet jashtë institucionit më të rëndësishëm të futbollit në botë. Menary ka shkruar një libër me titullin “Të dëbuarit”.
Gazetari i pavarur, i cili kohë pas kohe shkruan për “World Soccer”, “When Saturday Comes”, “PlayTheGame.org” e “The Blizzard” e ka nisur shkrimin me ishujt St Pierre et Miquelon (SPM), që gjenden në pjesën lindore të Kanadasë, e që kanë formuar ekipin kombëtar, i cili kishte marrë pjesë në edicionin e dytë të Coupe de l’Outre Mer, që u mbajt në Paris në vitin 2010.
Më tej, në shkrim përmenden edhe disa pjesë tjera të botës, të cilat kanë ekipet e tyre kombëtare, por që nuk janë pranuar në FIFA. Gjithashtu, gjatë verës së këtij viti pritet të mbahet një turne, ku do të marrin pjesë 23 skuadra të papranuara nga FIFA: Makin, Butaritari, Marakei, Abaiang, North Tarawa, Betio,Tarawa Teinainano, Maiana, Kuria, Aranuka, Abemama, Nonouti e Tab North, Onotoa, Banaba, Tab South, Beru, Nikunau, Tamana e Arorae, Christmas, Tabuaeran dhe Teraina.
Natyrisht, Kosova nuk mund të krahasohet me këto vende, pasi është e pavarur prej gati 5 vjetësh, e pranuar nga pothuajse 100 vende. Mirëpo, ajo mbetet jashtë FIFA-s dhe nuk ka të drejtë të zhvillojë ndeshje miqësore ndërkombëtare. Menary e përmend në detaje udhëtimin e drejtuesve të futbollit kosovar për ta futur FFK-në nën ombrellën e FIFA-s dhe UEFA-s, refuzimet dhe shtyrjet e shpeshta që iu bënë kërkesave të palës kosovare.
Ai cek shumë fakte, të cilat herët ose vonë do ta bindin FIFA-n që t’i thotë ‘PO’ Kosovës. Ai në fund flet edhe për rastin e Gjibraltarit, i cili u bë pjesë e UEFA-s pasi e paditi këtë të fundit në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv. / Gazeta Express