Renditja e parë e FIFA-s për këtë fillim viti e gjen Shqipërinë një pozicion më lart se në muajin dhjetor, konkretisht në vendin e 56-të. Kombëtarja kuqezi, edhe pse vazhdon të jetë në kuotën e 571 pikëve, ka ngjitur një shkallë në klasifikimin e përgjithshëm botëror, falë edhe rrëshqitjes së Norvegjisë që më parë ndodhej para nesh, ndërsa tani ka humbur 5 pozicione. Në renditjen e fundit, veç kombëtares nordike, Shqipëria pasohet edhe nga Australia, Burkina Faso, Sllovakia e Guinea, ndërsa nuk ka asnjë surprizë përsa i përket 25 vendeve të para, që mbeten të pandryshuara në raport me dhjetorin.
Renditja
Spanja, kampione në fuqi e Europës dhe e Botës, prej shtatorit 2011 vazhdon të mbajë të pacenuar vendin e parë me gati 200 pikë më shumë se Gjermania e udhëhequr nga Joachim Low, që konsiderohet një nga skuadrat më favorite për trofeun e Botërorit në Brazil. Me diferencë më të ngushtë pikësh, podiumi plotësohet me Argjentinën, që pasohet nga Kolumbia e vendit të katërt, Portugalia, Uruguaji, Italia, Zvicra, Holanda e Brazili. Në përditësimin e fundit nga FIFA për muajin janar, ekipet përfaqësuese që kanë bërë hapa galopantë janë Arabia Saudite, ka fituar plot 14 vende dhe renditet e 73-ta, Egjipti ndodhet në vendin e 31-të pasi ka ngjitur 10 shkallë, si dhe Emiratet e Bashkuara Arabe që pasi kanë parakaluar 8 kombëtare, pozicionohen në vendin e 63-të. Për klasifikimin e ardhshëm të FIFA-s në muajin Shkurt do të merren parasysh edhe rezultatet nga Kampionati i Kombeve Afrikane, që po zhvillohet në Afrikën e Jugut.
Renditja e FIFA-s:
1. Spanja 1507
2. Gjermania 1318
3. Argjentina 1251
4. Kolumbia 1200
5. Portugalia 1172
6. Uruguai 1132
7. Italia 1120
8. Zvicra 1113
9. Holanda 1106
10. Brazili 1102
56. Shqipëria 571
