Fijet e filosllavizmit, ose grabitja e madhe

redaktor

Pas botimit të “Kandidatit”, libri i fundit i deputetit socialist Blushi, u rikthye në vëmendjen e opinionit publik shqiptar roli i Lef (Elefter) Nosit, firmëtar i Deklaratës së Pavarësisë, intelektual i kalibrit europian, filo anglez dhe regjent kuisling gjatë pushtimit nazist. Blushi junior kërkoi publikisht, që të rrëzohej shtatorja e Lef Nosit në Elbasan. Këtë kërkesë publike deputeti socialist i Qarkut të Elbasanit e justifikoi edhe duke bërë një krahasim banal me fatin në vitin 1945 të Mareshalit Petain, kuislingut Nr. 1 të Francës. Në këtë shkrim unë nuk do të diskutoj se cilët kishin të drejtë komunistët shërbëtorë të Titos, që e kishin Moskën Mekën e tyre, apo kuislingët “Deutsche Culture”, apo edhe filo anglezë si Lef Nosi. Fakti historik është, që luftën e fituan komunistët shqiptarë, të cilët i trajtuan kundërshtarët e tyre (ndër ta edhe Lef Nosin) sipas formulës së Cezarit “Vae Victis” d.m.th mjerë të mundurit. Në shkrim po ashtu do të diskutohet roli i sllavëve në plaçkitjen e Shqipërisë, plaçkitje kjo e filluar rreth 70 vjet më parë dhe sesi kjo trashëgimi e turpshme shërben sot edhe si burim e nxitje për “sherret” e intelektualëve shqiptarë.

Problemi është se deklarata e deputetit Blushi ra në kundërshtim me fjalën e urtë popullore: Mos i ço qentë peshë. Pas kësaj deklarate pa shumë vështirësi dolën prova, që Blushi i kundërvihej Lef Nosit të gjykuar e pushkatuar në vitet e largëta 1945-1946, thjesht për të vazhduar veprën e gjyshit të vet. Gjyshi i Blushit ishte shkrimtari, studiuesi, ish Kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve Dhimitër Shuteriqi, njëkohësisht edhe shkrimtar e studiues plagjiat “Par Excellence”, pro sllav (pro titist e më vonë zhdanovist-stalinist) i deklaruar etj. etj. Letra e Dhimitër Paskos alias Mitrush Kutelit për Greblleshin është vetëm maja e ajsbergut e dokumentacionit, që ekziston për raportet e tija miqësore e të bashkëpunimit me jugosllavët etj.

Arkiva e OZNA-s

Në vitin 1991, kur u shpërbë Jugosllavia titiste, u zhvillua një luftë e ashpër, kush e kush të shtinte në dorë sa më shumë asete të Jugosllavisë së vjetër. Ashtu siç u luftua për të kapur armë, municione e pajisje të ish JNA (Ushtrisë Popullore Jugosllave), rezerva e materiale të depove të enteve federative u luftua edhe për të kapur arkivat e ndryshme të shtetit jugosllav. Kuptohet që serbët shtinë në dorë pjesën e luanit të arkivave federative shtetërore civile, ushtarake e të shërbimeve sekrete. Kroatët arritën që të kapin vetëm arkivën e armëve kimike të JNA-së, sepse shefi i armës së kimisë ishte kroat. Një luftë e ashpër u bë sidomos për arkivin federativ të SDB-së (ish UDB-ja). Fatkeqësisht kroatët shtinë në dorë pjesën me materialet më të vjetra, me më pak vlerë të këtij arkivi. Dosjet, që ranë në duart e kroatëve i përkisnin kohës së OZNA-s (deri në fund të vitit 1946) dhe degës së zbulimit të jashtëm të UDB-së deri në periudhën e luftës kundra informbyroistëve stalinistë. Kuptohet, materialet më sensitive dhe më me vlerë të arkivit të OZNA-s ishin transferuar me kohë në Beograd.

Në dosjet e rëna në duart e kroatëve ka mjaft materiale për Shqipërinë, për udhëheqësit komunistë shqiptarë të kohës, për mënyrën sesi motra e madhe Jugosllavi e plaçkiti Shqipërinë e vogël. Si këshilltarët jugosllavë udhëzonin “hyzmeqarët” shqiptarë të vrisnin reaksionarët etj. etj. Në këto dosje të vjetra të OZNA-s gjen edhe familjen e vjehrrës së Berishës (gjenerali partizan malazez Todoroviç) edhe fashikuj mbi personelin e Legatës Shqiptare në Beograd nga kol. Hysni Kapo te kap. Riza Hoxha apo edhe të kafazit të ambasadës (si punë bodigardi), vjehrrit të ardhshëm të Berishës. Me interes për të ndjerin Shuteriqi janë raportet e një këshilltari boshnjak, pot/pukovnik më vonë pukovnik (kolonel) Safet Filipoviçit për Maks Bace (pseudonimi Miliç) shefi i degës së zbulimit të OZNA-s më vonë UDB-së. Safet Filipoviçi ishte zgjedhur personalisht nga Miliç (kroat nga Spliti, veteran i Luftës së Spanjës) si këshilltar i SEMP-it (paraardhësit të Sigurimit të Shtetit). Në dosje ka të dhëna të hollësishme për plackitjen e Shqipërisë nga jugosllavët. U plaçkitën që nga lugët e aluminit (220 000 copë) të tregtarëve tiranas, te manifaktura e ortakëve durrsakë Lluka&Kalemi, te sapuni e tekstilet e tregtarëve elbasanllinj si Domi, Palluqi, Haxhiademi etj. Me vlerë janë edhe informacionet për plaçkitjen e vlerave kulturore shqiptare. Serbët në plaçkitjen e këtyre vlerave u ndihmuan edhe nga pseudointelektualë shqiptarë, kryesisht ish partizanë me shkollim të mangët apo të ndërprerë. Në dosje ndesh emra si i Sterjo Gjokorecit në rastin e pisqollave me zbukurime filigram argjendi. Përfshirë këtu edhe një pisqollë dhuratë e Knjaz Millosh Obrenoviçit për Bushatllinjtë si shpërblim për ndërhyrjen e Bushatllinjve te Selihdari (armëmbajtësi) i Sulltan Mahmudit II, për të mbyllur incidentin e përgjakshëm te Kroi i Gjaurit, midis ushtarëve turq të garnizonit të Beogradit dhe banorëve serbë të qytetit. Ndër vlerat kulturore të plaçkitura nga jugosllavët është edhe shpata e zbukuruar me gur agate e smeraldë e Khanit Shahin Gjirej të Tartarëve të Krimesë. Atë shpatë e kërkuan dhe nuk e plaçkitën dot në 1910-1911 hordhitë e Turgut Pashës por e bënë jugosllavët në shtator 1945. Ndër rastet tipike të plaçkitjes nga jugosllavët janë edhe sahatët me vleftë të lartë të familjes Vlora, pjesërisht arkiva dhe artifaktet arkeologjike të Institutit San Severian të katolikëve, arkiva e Lef Nosit sidomos letërkëmbimi i tij me zj. Magret Hezllak, me gjen/major Sër Xhoselin Përsin, me kol. Okli Hillin etj. Në dosjet e OZNA-s dokumentohet sesi me kontributin e këshilltarit jugosllav për arsim-kulturën Mirko Çukoviç, u plaçkitën edhe kësombla librash me vlera të rralla të kohës së Shtypshkronjës së Gutenbergut apo edhe shkrime në pergamenë me përmbajtje fetare katolike, administrative në sllavishten mesjetare dhe berate, irade e diploma të sulltanëve në osmanisht. Sipas relacioneve të Safet Filipoviçit, këto plaçkitje u bënë me ndihmën e shqiptarëve dhe sidomos të pseudointelektualëve shqiptarë. Interesant është fakti se argatët shqiptarë të jugosllavëve, njëlloj si gjyshi i deputeti Blushi, shpërbleheshin dhe bënin karrierë, ndërsa kundërshtarët e jugosllavëve edhe kur kishin qenë partizanë e përkrahës të zjarrtë të Nacionalçlirimtares përfundonin burgjeve, kënetave ose hanin plumbin.

Intelektualët dhe klerikët ortodoksë

Në udhëzimet, që sillte Filipoviçi për SEMP-in (raporti i Filipoviçit i prillit 1946 për shefat e tij në OZNA -Oddelek za Zascito Naroda), ndërsa thekson likujdimin e katolikëve e myslymanëve shqiptarë me “odred” d.m.th në tufë, në grupe të mëdha, për ortodoksët shqiptarë jep udhëzime për likujdimin vetëm të disa intelektualëve e priftërinjve, që edhe kur janë antifashistë konsiderohen si të domosdoshëm për t’u likujduar. Në listë krahas emrave si Lef Nosi (kushëriri i tij Frederik Nosi konsiderohet projugosllav, megjithë shkollimin amerikan) e Jakov Mile (i akuzuar si antijugosllav, shqiptaromadh e filo nazist) kemi edhe të tjerë emra intelektualësh të shquar. Kemi emrin e Dhimitër Paskos, që përfundoi në Kampin e Maliqit në Vloçisht, ndonëse shpëtoi nga gjermanët dokumentacionin e arit shqiptar të marrë nga Banka e Rajhut Gjerman me sebepin e sigurimit të tij nga lufta. Kemi emrin e Taq Bozos, borgjez i madh nga Myzeqeja, kur i gjithë fisi i Bozallarëve me kuç e me maç u bashkua me Nacionalçlirimtaren. Vetë Taqi, që përfundoi në Kampin e vdekjes së Vloçishtit, i kishte dhënë lëvizjes, napolona ar, mall e gjë, madje edhe gjakun e fëmijve të plagosur në rrjeshtat e guerriljeve shqiptare. Në listë ishin edhe priftërinj ortodoksë si At Kokoneshi i Mokrës, ndonëse kishte dalë në mal partizan, apo at Zegali nga Myzeqeja, që familjarisht kishte marrë pjesë në rezistencën antifashiste, ndërsa papu Paisi Vodica konsiderohej si prosllav dhe i dobishëm. Vasil Llazari, antifashist i shquar pas kërkesës personale të Filipoviçit u arrestua nga Sigurimi me sebepin fals të shpërdorimit të 600 lekëve, ekuivalenti i vlerës së 30 kileve misër. Sipas udhëzimeve të Filipoviçit, prokopi bënin vetëm këpucarë, teneqexhinj, zdrukthtarë kryesisht shule e vrakacorrë e sigurisht edhe i ndjeri Shuteriq, ndryshe nga të krishterë të tjerë të Lagjes Kala të Elbasanit (familja Fullani, Buda, Santo, Popaj etj.), që edhe pse kishin luftuar me armë në dorë në formacionet partizane, ishin tepër shqiptarë për të qenë të besuar të këshilltarëve jugosllavë.

Problemi me arkivat

Berisha në kohën e vet e kishte kuptuar thelbin e shprehjes: Kush kontrollon të shkuarën ka shans të kontrollojë edhe të ardhmen. Duka ia ditur vlerën arkivave, ai caktoi për të punuar me to profesionistë të mirë. Normalisht Berisha ia pa hajrin materialeve arkivore, duke mos lejuar bërjen publike të materialeve problematike për të si psh. dosjet e punës së sigurimsave për gra serbo-sllave të martuara me burra shqiptarë si Olivera Milutin Dibra (Iliç), Stana Bilbija, (aktualisht banon në Paris) dhe Vidosava Duro, të arrestuara nga Sigurimi në vitin 1962. Berisha, materialet arkivore i përdori si mjet presioni për t’i mbajtur bashkëpunëtorët të lidhur pas qerres së tij apo për të bërë diversion në rradhët e të majtëve.

Kryeministri Rama me sa duket nuk e ka kuptuar rëndësinë e dosjeve, prandaj edhe si në shumë raste emërimesh të tjera të tipit si shala gomarit, ka gabuar, për rrjedhojë nuk ka pasur të dhëna të dobishme shtesë për të qeverisur vendin. Materialet, arkivat ish jugosllave në duart e kroatëve, që kanë të bëjnë me Shqipërinë, mund të konsultohen me pak vështirësi, por kot nuk thonë paraja çan detin! Ia vlen të evidentohet me saktësi dhe në detaje se çfarë përmbajnë këto arkiva për Shqipërinë dhe shqiptarët. Materialet e këtyre arkivave mund të na ndihmojnë të kuptojmë edhe pse e si janë sjellur, kanë vepruar e kanë bërë karrierë, personazhe të caktuara VIP të politikës, ekonomisë, gazetarisë dhe letrave shqipe, para, por edhe pas vitit 1990. Një konsultim i tillë arkivash ka pak gjasa të ndodhë, sepse fatkeqësisht materialet arkivore nuk kanë fort lidhje me artet figurative!

Share This Article
11 Comments
  • Nje shkrim qe ja vlen per ta lexuar dhe per te mesuar shume.
    Konsiderate per kete shkrim ndaj autorit Gjergj Thanasi.

  • Mire e beri Blushi kete pune,sepse nxorri nga gropa ku e kishin mbuluar thesarin e patriotizmit te kulluar,Lef Nosin.Mire thone,qe floriri nuk vdes kurre.

  • Or gjergj thanasi,shqiperia esht vazhdimi i perandorise se madhe russe ose me mir te themi serbise e carve te saj pavarsisht se ne na rembeu e pushtoj turku dhe nuk je i lire ashtu si une te refesh te verteten pa pjesen e inferjoritetit?
    Ne shqipri e ne politiken e saj refehet si ne perallat ku hamzane pushtuesin e bejne vlla te skenderbeut,edhe pse hamzaj ju imponua gjergjit qe te mohonte gjyshin e mamane e tij vojsaven e gjyron gjithnje nga nje familje e madhe feudale te car stefan llazar qe trashegoj fronin te njerit nga nipat e tij gjyro gjergj brankovic e tjetri vuk brankovic i xhaxhaj i vojsaves!
    Ne nje loje kaq bajate te kundershtarve te inflyences russe ne ballkan austro hungaria u dhe shtet pushtuesve qe deri ne 1912 mbanin flamurin turk si ne kosove maqedoni dhe shqiperi pervecse shum trimave komite qe luftonin se bashku perandorin turke si mihal grameno e cerciz topulli qe kishin kuptuar te paret se ne jemi te pushtuar nga dushmani otoman dhe duhet te clirohemi nga ky pushtim!
    Politika e rishfaqjes se nje shteti te pa kuptimte ne sy te botes nga austro hungaria vazhdon edhe sot mes divergjencash te medhe e pjes e inferjoritetit e mosmarveshjeve te medha ideologjike e nacionaliste fetare ne ate te quajtur shqiperi por qe esht vazhdimsi e serbis jugore por e pushtuar nga orjentalizmi e inferjoriteti qe nuk shfaqet haptazi sikur une pa dorashka jo per ttet bindur ty por nje realitet qe historia e historjanet nuk kan guximin njelloj si ben blushi qe thot nje te vertete per kolaboratoret?

  • nuk besoj se varen fatet e zhvillimit te vendit nga dosjet e kohes se Luftes.Kjo shfrytezohet keq ne sherbim te nje anarkie dhe lufte te re klasash.Psh, Blushi qenka legen se gjyshi ka vjedhur doreshkrime.Po te thoshte Blushi ti shtonin dhe dy metro piedestal shtatores se Lef Nosit me gjasa nuk do publikohej letra e Kutelit.Gjelle pa kripe, e zjere shpejt e shpejt, prandaj me duket se hapja e dosjeve do sherbeje per larje hesapesh sesa per te nxjerre mesime nga e shkuara.

  • Nuk e kuptova autorin.
    Nuk arrita te lidh fundin me fillimin.
    Nuk mora pergjigje per temen e dites, per lidhjet e Nosit dhe Shuteriqit me jugosllavet. Arkivi sekret i sherbimeve sekrete te ish Jugosllavise, ka patur dhe ka rregulla ruajtje, dhe nuk mund te merret nga kruatet apo serbet sipas qefit. Permendja nga autori e disa emrave te sherbimeve jugosllave ne menyre te çorientuar, krijon idene se ky djali di shume, por ne fakt ka shume hapsira bosh dhe kapercime jo rastesore, nga Spliti ne Maliq. Nga Ali Komiku kroat, tek luga e aluminit, nga Khanet e azise tek emerimet e gabuara te Rames, te cilat edhe pa keto legjenda te provinces, jane perseri te gabuara.
    Eh çte them tjeter, nuk ja vlen.
    Perqendrou, koncentrou, merre subjektin nga fillimi dhe çoje deri ne fund more djale, se na habite.

  • Nje shkrim-mesim cilesor per gazetarine tone,qe ne pergjithesi permban parulla-patetike pa fund ,material kafenesh per turmen cehre-dembeli arnautase.
    E pra ky shkrim ka brenda STATISTIKE dhe ANALIZE,ku qytetari ndjen kenaqesi te vertete intelektuale kur e lexon.
    Mirpo qe te besh shkrime te tille duhet tru i kultivuar,kembe per te rendur mbas dokumentit apo ngjarjes dhe bythe te forta,per tu ulur dhe per ti bashkuar te dyja.

  • Morret vesh gje juve nga ky shkrim ? Se une nuk arrita te “lexoj” asnje mendim koherent dhe aq me pak ndonje fakt te ri !

    Pooo , ka nje hakerrimi ndaj Shutes se riqit dhe nipit te tij Ben bibilushit , qe i ngjan me shume nje sherri kalamajsh ! Madje do te thoja kopje si politika e sotme , ku shahen me nene dhe me moter , por askush nuk na nxjerr fotot e tyre me kembe perpjete , per te provuar sharjet !

    Shkrim analitikisht Zero , logjikisht Zero , historikisht Zero , rrugacerisht 10 me Kryq Nazist alla Lejfen Nosi ! Kaq morra vesh une !

  • Nuk pashe ndonje dokument ketu qe verteton lidhjen e Dhimiter Shuteriqit me fijet e filosllavizmit apo grabitjen e madhe apo qe Dhimitri te kishte kycet e depove dhe jua hapi Jugosllaveve. Do flisni me fakte apo thashetheme, o zoteri, dhe pastaj ajo mbyllja “shkoni e gjeni dokumentet” une kujtova se ju o autor I kishit gjetur ato dhe po shkruanit ne baze te tyre.
    Fatkeqsisht ka hyre ne Histori, ju pelqen apo jo, lef nosin u be Regjent me grupin e Kuislingeve duke mbuluar vehten me turp. Me vjen vertet keq, po kjo eshte e vertete dhe nuk e beri Blushi apo Dhimitri te tille. Kush ju ngre monumente bashkpuntoreve te pushtuesit , me falni, po sikur nuk shkon e ndodh ne vende te Europes apo USA. Kur plotson dokumentat per USA ka nje pyetje”Ke qene anetar I ndonje Partie naziste apo bashkpuntor” dhe nje tjeter “Ke qene antar I Partise Komuniste?” Dhe po qe se thus “PO” zor se aprovohesh per te hyre atje. Me deshire te mire per te vertetat dhe respektin njerzor ndaj tjetrit.

  • O vasil, o trap, ku e shikon statistiken ne kete shkrim? Ketu nuk ka ligje se ky tipi fare mire po shpif pa dhene asnje fakt per Dhimiter Shuteriqin.

  • Lef Nosi eshte pushkatuar si bashkepunetor i nazifashizmit dhe si i tille nuk duhet te kete ne qytet nje bust te tille.S kemi pse te nderojme fytyra te tilla te urryera,kur mund te nderojme partizanet tane trima qe dhane jeten per clirimin e popullit e te atdheut e qe jane te padiskutushem ne vepren e tyre madhore.Lavdi te perjeteshme partizaneve tane heroike.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *