Arshivisti, Arshivistja… dhe plani i ngjizur 24 vite më parë. Strategjia për ngritjen e një shteti berishian me filizat e fabrikuara në Fakultetin Juridik. Përse KLD, Fakulteti Juridik, Shkolla e Magjistraturës duhet të mbahen me çdo kusht? Çfarë do t’i ndodhte babë/bijës nëse vetëm një ditë nuk do kishin nën kontroll sistemin e drejtësisë në Shqipëri?
Duket si histori e filmit mbi realizmin socialist të viteve ‘60, “Fijet që priten”, ndërkohë që kjo është një kronikë e vërtetë e ngjarjeve që kanë ndodhur në Shqipëri, duke filluar që në shkurtin e vitit të largët 1991.
Portret i paautorizuar
Sali Berisha, Kryetar i Partisë Demokratike, zgjidhet në Shkurt 1991. Në verën e po këtij viti 1991, ai zgjidhet deputet. Ndërsa, në 9 Prill 1992 bëhet President i Republikës së Shqipërisë.
Argita Berisha (Malltezi) merr Titullin Jurist/ Doktor, nga Fakulteti i Drejtësisë, Universiteti i Tiranës në Korrik 1995, pasi filloi studimin në 1991.
Kudret Çela zgjidhet Ministër i Drejtësisë për vitet 1991 – 1994. Dekan i Fakultetit të Drejtësisë për vitet 1991 – 1997, pushon dy vite dhe në vitet 2000 – 2007 përsëri Dekan i Fakultetit të Drejtësisë.
Duket sikur kronologjizohen vetëm data të CV-ve në lidhje me këta personazhe të rëndësishme të vendit tonë.
Në të vërtetë, një dorë shumë e padukshme e ka projektuar të ardhmen e këtyre tre personazheve, që në vitin e largët ‘91.
Sipas një interviste të dhënë në lidhje me jetëshkrimin e saj, znj. A. Berisha(Malltezi), ishte në ndjekje të Fakultetit të Shkencave të Natyrës, në sezonin shkollor 1990-1991, Viti 1. Në shtator të vitit 1991, ndërron drejtim dhe i futet (pasi i del e drejta e studimit) Fakultetit të Drejtësisë. Është pikërisht vera e vitit 1991 kur babai i saj zgjidhet deputet, pasi ishte zgjedhur Kryetar i PD. Ishte koha kur projekti i pushtetit të “fijeve që priten” kishte vendosur që 5 muaj më pas ta çonte këtë yll demokratik në karrigen e presidencës.
Në verën e vitit 1991, për të fituar të drejtën e studimeve akademike me shkëputje nga puna (fakulteti ditën), duhej që të plotësoje kriterin e mesatares së shkollës së mesme të përgjithshme. Sistem përzgjedhës i trashëguar nga sistemi monist, ku nxënësit me mesatare më të lartë, kërkonin 3 mundësi për të drejta studimi në degë të ndryshme dhe pushteti i asaj kohe vendoste vetëm për njërën prej tyre. Fakulteti i Drejtësisë ishte shumë i vështirë për t’u arritur deri në verën e vitit 1991. Ishte degë e rezervuar për pinjollë dhe kuadro të sistemit monist.
Në verën e këtij viti ish-Ministri i Drejtësisë, Kudret Çela, kreu një transferim të shpejtë jashtë procesit të njohur shkollor, për miratimin e kërkesës së papritur për ndërrim studimesh nga Shkencat e Natyrës në Fakultetin Juridik të studentes Argita Berisha.
Ish-Ministri i Drejtësisë, z. Kudret Çela qëlloi që pikërisht atë vit të ishte edhe Dekan i Fakultetit të Drejtësisë. Pas 5 muajve të fillimit të studimeve të studentes Berisha, i ati i saj emërohet President i Republikës dhe z. Kudret Çela vazhdoi të jetë Ministër i Drejtësisë deri në 1994, ndërsa Dekan i Fakultetit të Drejtësisë, deri në vitin 1997, si edhe 7 vite pas viteve 2000.
Referuar të dhënave mësimore, studentja A. Berisha, rezultoi me rezultate të shkëlqyera në vitet akademike 1991-1995, ku menjëherë emërohet pedagoge, nga stafi i Fakultetit të Drejtësisë me në krye z. K. Çela, ku dhe fillojnë të përgatisin disa breza me juristë, të cilët ktheheshin në pedagogë apo pushtetarë të sistemit të ardhshëm të drejtësisë.
Sot, zonja në fjalë, njihet në pozicionimin akademik, si Pedagogia Prof. Asoc. Dr. Argita Malltezi, e cila jep “Të Drejtën e Shoqërive Tregtare” si edhe “Të Drejtën e Avancuar të Shoqërive Tregtare”, por edhe “Të Drejtën e Biznesit”.
Kurset e saj synojnë t’u mësojnë studentëve shqiptarë “një kuadër të përgjithshëm dhe të plotë të shoqërive tregtare që operojnë sot në tregun shqiptar, si edhe t’u thellojë atyre njohuritë në fushën e njohurive tregtare”.
Në vitet ‘90, njihej si e bija e presidentit, e cila përveç se profesor, shef katedre, dekan, Ministër Drejtësie apo drejtues teme studimore kishte vartësin e zellshëm të babait të saj, kishte edhe zell personal për studime.
Në historinë botërore njihen të dyja rastet e pinjollëve të kryetareve të shteteve, të cilët mbarojnë studimet universitare shkëlqyeshëm, me ose pa ndikimin e pushtetit prindëror.
Në rastin e portretit tonë nuk njihet vetëm fakti i përkimit dhe njësimit të beftë të karrierës së bijës, me babain si kreu i parë dhe aktual i sistemit të drejtësisë në Shqipëri, që prej 24 vitesh.
Ndërtimi i ngrehinës, apo “gjëmës” së sistemit juridik në Shqipëri
Një mendje e zgjuar i shtiu në mendje z. Berisha, që t’i ndërronte drejtimin të bijës në verën e vitit 1991. Duhet ta bënte juriste. Më pas… erdhi viti 2005.
Në kronikën e vitit 1993, brenda pothuajse dy javëve të Marsit ‘93, ish-presidenti ynë mori disa vendime të rëndësishme për të ardhmen e popullatës së Republikës së Shqipërisë.
Në datë 11, nxori vendimin për hapjen e kurseve 3-mujore dhe 6-mujore të përshpejtuara (Plepat) për gjyqtarë, prokurorë dhe avokatë. Në datë 19 nxori dekretin e famshëm nr. 37 “Për bllokimin e prodhimit dhe shkatërrimin e 235 ndërmarrjeve të mëdha ekonomike të vendit”. Pas dy ditësh shkoi dhe takoi z. Millosheviç, ish-presidentin e Ish-Jugosllavisë, në lidhje me ndihmën që të dy do jepnin për kosovarët, si edhe në 30 mars ai lejon pasi njoftohet nga stafi i ngushtë, krijimin e firmës së parë piramidale, të drejtuar nga znj. Maksude Kadena alias SUDE.
Ndër gjithë këto vendime, ai që godet edhe sot është krijimi i “profesionistëve” të plepave Durrës, të cilët mbushën menjëherë rradhët e sistemit të drejtësisë në të gjitha hallkat e tij. Këta janë pionierët, të cilët së bashku me pedagogët që përgatiste sezoni 1991-1995, do krijonin atë që në Shqipëri e quajnë të pamundur të shembet, sistemin apo ngrehinën e drejtësisë.
Në avangardë të krijimit të këtij sistemi janë personazhet që mban “arshiva”.
Kur ish-presidenti Berisha rrëshqet në nervozizëm flet për arshiva apo për dijeni që ka mbi to. Është e vërtetë, po aq sa edhe e thjeshtë ta besosh. Sipas kronikës kronologjike, ish-presidenti Berisha, me zellin që e karakterizonte që në vitin 1992 vendosi të kontrollonte ecurinë, biografinë, lidhjet, bindjet dhe zellshmërinë ndaj PD të çdo studenti që shkollohej sipas sistemit të rregullt arsimor (ditën), ashtu edhe për ata që shkolloheshin (natën) me korrespondencë, apo në (plepa) kurset e përshpejtuara. Për këta të fundit, zelli partiak apo krahinor duhej të ishte i detyrueshëm, në vend të mesatares së shkollës së mesme apo 8-vjeçare.
Interesante do ishte që qeveria e sotme të bënte një inventar të të gjithë emrave dhe mbiemrave të cilët kanë mbaruar kursin e përshpejtuar të plepave. Mbi 80% e tyre, janë sot kuadro të njohur të sistemit të drejtësisë në vend. Simboli i tyre për fatin e tij të keq qëlloi të jetë, z. Gjin Gjoni.
Problemi nuk duket të jetë Gjini, por arkitektët e vërtetë të këtij sistemi.
P.sh. një nga personazhet që sot është pjesë e arshivës së ish-presidentit Berisha është z. Kreshnik Spahiu, Kryetar i “AK”, opozitë e qeverisë dhe e “opozitës”, i cili ishte edhe Drejtues i parë i “Kursit të Plepave” dhe pedagog i komanduar në moshën 22-vjeçare. Është pedagogu i parë i Z. Gjin Gjoni. Ishin edhe kolegë në KLD.
Në pamjen e parë duket se shumë personazhe të rëndësishëm të sistemit tonë të drejtësisë, nuk kanë asnjë lidhje me arshivën, apo “arshivisten” që mori pas vitit 1997 stafetën e presidentit të rrezuar.
Në të vërtetë, pothuajse të gjithë juristët e pas vitit 1991, kanë kaluar nëpër filtrat e “arshivës”, apo ish-SHIK, ish-strukturave të PD.
Kjo është arsyeja e vetme që brezi i të diplomuarve së bashku, me zonjën A. Berisha(Malltezi), e më pas nën “kujdesin” mësimdhënës të saj, janë aktualisht ata që përbëjnë në tërësi sistemin juridik shqiptar.
Fabrika (Fakulteti i) e Drejtësisë dhe juristët e së njëjtës markë
Nëse Fakulteti i Drejtësisë do prodhonte vetëm të diplomuar, natën apo ditën me titullin “Jurist”, me siguri që në Shqipëri nuk do kishte asnjë problem që do zgjidhej me antagonizëm të thellë ndërkrahinor, ndërpartiak, apo thjesht ndërnjerëzor.
Por ky fakultet si një dinasti, e arshivës dhe arshivistes, prodhoi dhe vazhdon të nxjerrë vetëm të diplomuar me markën “berishist”.
Nuk është rastësi që “berishistët” janë edhe “juristë” njëkohësisht. Nuk është rastësi që të gjithë janë prodhim i kësaj fabrike. Nuk është koincidencë që kursi i arshivistes 1991-1995 prodhoi kaq shumë politikanë, ministra, grosistë biznesi, përfaqësues të shoqërisë civile, KLD-istë, apo PD-istë. Pothuajse të gjithë pedagogë të “berishistëve” që do bëheshin edhe ata pedagogë të pedagogëve më pas.
Gjeneza e fakultetit, apo fabrikës së drejtësisë në vendin tonë, përkon me fillimet e presidentit Berisha, apo studentes Berisha.
Është e habitshme të konstatosh se sa njerëz të rëndësishëm për këtë vend kanë prodhuar bankat e kursit juridik 1991-1995, të cilët ishin pikërisht të të njëjtit grup studentor me bijën e presidentit.
Në një vizë konstatuese të shpejtë kalojnë emrat e:
Altin Shegani, Dekan i Fakultetit të Drejtësisë, nip i ish-Dekanit për 15 vite Kudret Çela
Eduard Halimi ish-Ministër
Arenca Trashani ish-Ministre
Sokol Olldashi ish-Ministër
Enkeleda Olldashi, Pedagoge Fakulteti i Drejtësisë
Adnor Shameti Pronar, Dekan, pedagog i Fakultetit Privat të Drejtësisë “Justiniani”
Zhaklina Peto Përgjegjëse e Dep. Civil, Fakulteti Juridik
Maksim Qoku, Pedagog Fakulteti i Drejtësisë, Drejtues tek Aleanca “Kuq e Zi”
Edi Spaho Ish-Drejtor i Prokurimeve Publike
Gerdi Xhanari, Ish-Sekretar i Përgj. Ministria e Drejtësisë
Altin Goxhaj, Drejtues i Shoqatës “Për Mbrojtjen e të Drejtave të Konsumatorëve”
Kastriot Selita Kryetar i Gjykatës së Apelit Administrativ Tiranë
Fahrie Budo Gjyqtare, Tiranë
Erinda Ballanca Avokate e Familjes Berisha
Artan Broci KLD
Dritan Hallunaj KLD
Lulzim Lelçaj KLD
Skënder Haluca Kryetar, Gjykata Vlorë
Eni Çobani, Ndërmjetëse Ligjore
Altin Hazizaj, Shoqëria Civile
Këta emra rastësorë, që u ulën në auditorët apo bankat studentore së bashku me ish-studenten Berisha, nuk mundet kurrsesi të akuzohen për karrierën e suksesshme të cilën e panë të arrinte progres pas vitit 2005, kur pedagogia Berisha u bë edhe e pushtetshme, njëkohësisht.
Këta juristë u ulën në të njëjtat banka me Ina Ramën, Bledar Çuçin apo Igli Totozanin, por nuk patën të njëjtin fat karriere për sa kohe ish-shoqja e klasës i shihte si kundërshtarë të babait politik.
Që prej vitit 1991, Fakulteti Juridik në Shqipëri prodhon pothuajse të njëjtën markë në bindje juristësh.
Arshivisti ka injektuar në shumë karriera pedagogjike apo politike pikërisht mbiemrin e tij.
Në këtë fakultet, pedagogët e markës “berishaj” nuk lidhen me emrin e znj. Berisha. Ata janë ish-studentët të përzgjedhur si kolegë të saj, ndër vite dhe me kujdes kirurgjikal.
Për një moment, imagjinata të çon tek punonjësja shkencore Laura Vorpsi dhe pedagoge në këtë fakultet. Sikur rastësisht pinjolli i Edi Ramës të ndiqte studimet në drejtësi, në këtë fakultet, atë ditë, në të njëjtën ditë kur ajo lexon me patos deklaratat kundër babait mafioz, si do ishte kjo ditë e mësimdhënies?!
Ky është shembulli tipik i “gjinizimit” të këtij fakulteti, i cili vazhdon të prodhojë markën “berishaj”.
Rendja drejt fakteve emërore dhe situatave absurde në këtë fakultet mund të mbushë faqe të tëra gazete, si rezultatet e testit të matematikës në maturën e përvitshme shtetërore.
Gjithkush mund të konstatojë, por vetëm qeveria mund të veprojë…
Dje u iniciua një draft ligjor për të ndaluar “pushtimin” e Shkollës së Magjistraturës, ndërkohë që mbytja e shkollës së drejtësisë ka filluar që në vitin e largët ‘91!
Drejtësinë me çdo kusht
Po dje, u turrën nëpër podiume dhe mediume, njëkohësisht: Eduart Halimi, Gjin Gjoni, Presidenti i Republikës, ndërsa Nënkryetari i KLD-së, Elvis Çefa ripërsëritej në News24.
Të gjithë lajmëronin ndërkombëtarët për tentativën për të shembur këtë sistem të pastër drejtësie.
Reagimet nuk dukeshin qesharake, por më tepër detyruese ndërsa artikuloheshin apo lexoheshin.
Arshiva dhe arshivistja kishin lëshuar kushtrimin: “Dilni dhe mbrohuni fort… shumë fort, pasi ne s’ju mbrojmë dot më!”
Në të vërtetë, ata kërkojnë mbrojtje, jo ju, o juristë podiumesh! Çfarëdo mëkat të rëndojë karrierën tuaj është i pakrahasueshëm me mëkatin që do të hetohej dhe filloi që në vitin 1991.
Imagjinoni për një çast përpara një akuze, përballë një gjykate, brenda arsyetimit të një juristi jo berishist, arshivën dhe arshivistin. Është e paimagjinueshme, sigurisht… por s’do ishte asgjë më tepër se sa habia e një kombi 200 milionësh tek shihte t’i shembej në futboll ekipi i tij.
Drejtësia po kërkohet, do kërkohet, do preket pak e nga pak nga ata që e duan dhe s’jetojnë dot rehat pa të.
Një nga ata, jemi edhe ne… media e lirë!
