Fiks Fare: Shoqata “bamirëse” harron fëmijën e sëmurë

Dita

Një tjetër rast i shoqatave “bamirëse” është shfaqur në ‘petkun’ e mashtrimit.

Emisioni investigativ trajtoi të hënën rastin e Fondacionit “Rikthe Buzëqeshjen”, i cili prej më shumë se dy muajsh mbledh fonde për një 12-vjeçar të sëmurë, të cilit i kanë marrë foton që në muajin mars në QSUT.

Fiks Fare ka konstatuar para disa kohësh dy punonjëse të këtij fondacioni në rrugën “Myslym Shyri” në Tiranë, teksa mbanin në dorë foton e djalit 12-vjeçar, të quajtur Sidi, dhe futeshin në lokale, duke kërkuar para si ndihmë për këtë fëmijë.

I operuar dhe i sëmurë nga ekinokoku, punonjëset i thanë gazetarëve se duheshin 600 lekë të reja në ditë për të blerë ilaçet që do t’i mundësonin 12-vjeçarit kurimin.

Gazetarët u kërkojnë një kartëvizitë, por ato nuk e dhanë, kështu që Fiksi shkoi te selia e këtij fondacioni, ku takoi dhe bisedoi me koordinatoren. Ajo i tha gazetarëve se vetëm lekë mund të jepen dhe jo ushqime e materiale të tjera.

Pas bisedës me të, gazetarët e Fiksit shkuan në Dibër të takonin familjen e djalit 12-vjeçar. Gjatë bisedës me babanë, ky i fundit tha se nuk ka marrë asnjë lekë ndihmë nga fondacioni dhe nuk është kontaktuar prej tyre, ndërkohë që, me 1 qershor do të çonte djalin në QSUT në Tiranë për vizitë mjekësore.

Më datë 1 qershor, gazetarët e Fiksit shkuan edhe në QSUT, ku folën me nënën e djalit dhe ajo konfirmoi se më 26 mars në spital i kishin ardhur një djalë dhe një vajzë, të cilët i ishin ofruar për ta ndihmuar për ilaçet e djalit. Por që nga ajo kohë nuk kishin kontaktuar me të. Madje, ajo thotë se i kishte humbur edhe numri i tyre, pasi i ishte dëmtuar telefoni.

Në këto kushte, duke parë se kanë kaluar tre muaj që mblidhen fonde dhe asgjë nuk ka kaluar te familja e Sildit, Fiks Fare kontaktoi me Fondacionin “Rikthe Buzëqeshjen”. Koordinatorja e fondacionit, Anila Demiri tha se ende nuk ka përfunduar trajtimi i rastit të Sildit, duke shtuar se gjatë gjithë kësaj kohe kanë qenë duke mbledhur fondet për ilaçet e tij për një vit. Ajo pretendon se këto fonde do i jepeshin me datë 1 qershor. Madje, për t’i dhënë fondet ajo ka folur disa herë me nënën e fëmijës, por sipas saj, me 1 qershor, gruas nga Dibra i është fikur telefoni dhe nuk kanë mundur të kontaktojnë me të.

Megjithatë, Fiks Fare kontaktoi të hënën në telefon me nënën e fëmijës dhe ajo tha se ishte kontaktuar vetëm këtë ditë nga fondacioni, pasi Fiks Fare kishte ngritur shqetësimin pranë tyre dhe i kishte kërkuar që të martën të paraqitet në Tiranë për të tërhequr fondin.

s.a/dita

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *