Fiksimi quhet Harley, ç’do të ndodhë së shpejti në Tiranë

redaktor

Ata kanë një moto: “Rend dhe jeto” dhe këtë e bëjnë çdo ditë. Në mes të qershorit do të bashkohen të gjithë të pasionuarit pas motorëve për të organizuar një nga eventet më të mëdha në këtë fushë: Motoshow, i cili do të zgjasë tri ditë. Do të ketë shfaqje me motorë, muzikë rok, performanca nga DJ dhe aktivitete të tjera të cilat kanë të bëjnë me artin e trupit. Në datën 17-18 dhe 19 qershor, te Kolonat, pranë sheshit “Nënë Tereza”…. Një bisedë me Andi Demirajn, kreun e shoqatës “Steelwings Albania”

 

Entela Resuli

Motori tani është pjesë e pandarë e jetës së tij. Madje është mjeti që i jep qetësi dhe e bën të ndihet mirë sa herë që ka kaluar një javë stresuese. Është mjeti që të jep liri dhe adrenalinë, ndaj e përdor kryesisht fundjavave, për të dalë nga rutina e Tiranës, e cila për shumëkënd është mbytëse.

Andi Demiraj nuk e kishte menduar asnjëherë që do të ishte pjesë e një shoqate motoristësh, por kurrë mos thuaj kurrë, ndaj për të ishte dashuri me shikim të parë edhe kontakti me motorin.

Ka marrë pjesë në shumë udhëtime me miqtë që ndajnë të njëjtin pasion, ka bërë rrugë të gjatë, ka ndjerë flladin e çdo stine t’i përplaset në fytyrë pa e shqetësuar.

Sot, shoqata që ai përfaqëson, “Steelwings Albania”, është zgjeruar në numër. Ata që “lidhen” me Harleyn zor se mund të ndahen më prej tij. Me këtë shoqatë, djemtë kanë realizuar shumë aktivitet, me synim argëtimin, por edhe për t’u ardhur në ndihmë shtresave në nevojë. Asnjëherë nuk e kanë lënë mënjanë anën humane, pavarësisht se veshja dhe motori që ata përfaqësojnë mund të duken të vrazhdë në pamje të parë.

Anëtarët e kësaj shoqate, kur i sheh në rrugë apo mbi mjetin me dy rrota, të veshur vazhdimisht me meshin të zi, me shami në kokë, të japin përshtypjen e njerëzve të “egër”. Në fakt me Andin, na u hodh poshtë i gjithë ky mendim. I qetë, i qartë dhe mbi të gjitha i gatshëm të na fliste për një nga gjërat më të shtrenjta që i jep kënaqësi. Ai nuk është “maniak” i shpejtësisë, por dëshiron rrugë të gjata e panoramike. Ekzaltimi dhe rritja e adrenalinës është e pashmangshme kur hipën aty, e rëndësishme është të kontrollosh masën dhe atë çka mund të japësh. Ai është një njeri i angazhuar në biznes dhe familjar, i cili e përfshin shpesh familjen në udhëtimet e tij.

Sot, në këtë bisedë me Demirajn, mësojmë më shumë për marrëdhënien e tij me këtë mjet me dy rrota, i cili që nga krijimi i tij ka joshur sa e sa njerëz në botë… do të njihemi gjithashtu edhe me një prej aktiviteteve më të mëdha që do të gumëzhijë në Tiranë në Qershor.

 

-Andi, kur ka qenë kontakti juaj i parë me motorin?

Kontakti im me motorin ka qenë që në vitin 2005, por dua ta quaj kontakt të vërtetë atë ditë që më hyri në zemër Harley. Ishte një vizitë spontane që bëra në dyqanin “Chopper house”. Ajo qe një ditë e rëndësishme ku unë vendosa që Harley të ishte një pjesë e jetës sime.

Andi Demiraj
Andi Demiraj

-Çfarë të joshi kaq shumë?

Ajo që unë ndjeva në atë dyqan ishte dashuri me shikim të parë, ku ishin të ndërthurura llojshmëria e Harleyt, cilësitë e tyre të ndryshme me larminë e ngjyrave e modeleve të ndryshme ku dhe veçantia më e madhe qëndronte në personalizimin e secilit prej motorëve.

-A është ky një pasion që kushton…?

Patjetër që është një pasion që kushton, sepse çdo guidë ka harxhimet e saj duke filluar nga karburanti, pjesët e motorëve në bazë të kilometrave që bën nga guidat e gjata, akomodimet nëpër hotele, kafet e shpeshta dhe festat e shumta që ne organizojmë kanë shpenzimet e tyre.

-Ju jeni të organizuar edhe në një shoqatë apo jo, cili është roli i saj dhe si funksionon ajo?

Shoqata quhet “Steelwings Albania” e cila është krijuar me 10 Nëntor të 2007-së me qëllim promovimin e zhvillimin e një tradite më se të lashtë sportive dhe turistike nëpërmjet motorëve Harley Davidson ose Custom, simbole të mirënjohura të lirisë dhe pasionit, ose siç i themi ne “Rend dhe jeto”.

Prej më se 7 vitesh, shoqata jonë numëron në radhët e saj shumë anëtarë gjithashtu dhe shumë simpatizantë që e ndjekin atë nëpër guida; nuk ka munguar dhe bashkëpunimi apo bashkëbisedimi me institucione të ndryshme brenda Shqipërisë. “Steelwings motorcycle club Albania” me degët e saj në të gjithë Shqipërinë dhe jashtë saj, si në Tiranë, Durrës, Shkodër, Vlorë, Gjakovë, Gjilan, Pejë dhe Tetovë, vit pas viti kanë organizuar shumë evente të ndryshme rekreacioni dhe sociale si dhe motofesta të mëdha. Shoqata jonë ka qenë gjithmonë dhe me shumë bashkëpunëtorë me organizatat sociale të cilat na

Andi me te birin
Andi me te birin

kanë parë si rrugë e fuqishme e promovimit të mesazheve të ndryshme sociale apo në mbrojtje të shëndetit si dhurimi i gjakut, përcjellja e edukatës se qarkullimit rrugore apo tolerancës, lirisë dhe të drejtave të individëve, aktivitete të ndryshme dhurimet e ndryshme bamirësie si tek shtëpia e fëmijëve, azili i pleqve, familjeve në nevojë në zonën e Tujanit, ndihma në përmbytjet në Vlorë etj.

-Në fakt, motori që ju përdorni ka disa karakteristika, cilat janë ato?

Motori që unë kam është “Harley Davidson road glide”, nuk është motori im më i ri, pasi unë përpara këtij kisha një “Night rod” dhe një “Road king”, është motor touring, 1600 cc dhe një ndër motorët më komodë, i kompletuar me shumë shërbime ekstra.

-Cila është rruga më e gjatë që keni bërë më motor?

Rruga më e gjatë që kam bërë është Italia e jugut, rreth 1200 km.

-Andi, cili është vendi i preferuar ku ti ke dëshirë të udhëtosh, apo rruga që të ka lënë më shumë mbresa?

Ëndrra ime është të bëj guidën e “Route 66” që është në Amerikë, rreth 6 mijë km, ku disa nga çunat e grupit tonë sapo janë kthyer nga ky udhëtim i mrekullueshëm.

525535_490138941047106_1676861918_n

-Sa antistres janë këto udhëtime që ju realizoni?

Duke qenë që pjesa më e madhe e ditës është e mbushur me punë dhe aktivitete të mëdha, kjo që bëj mendoj se është mënyra më e mirë për të hequr stresin midis vëllazërisë me njëri-tjetrin.

-Në muajin qershor ju do të organizoni një aktivitet, na trego diçka më shumë rreth tij?

Si çdo vit, ne organizojmë motofestën tonë në Tiranë, në metropolin e shqiptarëve. E them këtë sepse duhet të kuptojmë se që në këtë festë marrin pjesë gjithë shqiptarët nga të gjithë trevat e saj, Kosovë, Maqedoni dhe diasporë. Ky është edicioni i 9 dhe organizohet në bashkëpunim me “Eds foundation”. Do të ketë aktivitete të larmishme gjatë dy ditëve 17,18 dhe 19 Qershor. Ftoj të gjithë qytetarët që mos ta humbasin këtë organizim të mrekullueshëm.

-Kjo festë do të shtrihet në qytete të tjera të Shqipërisë apo vetëm në Tiranë?

Festa organizohet në Tiranë, në Vlorë, në Gjakovë etj.

-Gjithmonë është krijuar ideja që motori është një mjet i rrezikshëm, për shkak të adrenalinës që përçon, a është familja juaj në merak kur ju udhëtoni?

Çdo ditë ndodhemi përballe rreziqeve, por kjo nuk do të thotë që mos ta jetojmë jetën. Që familja ime të jetë e qetë e kam kompensuar këtë punë me uljen e shpejtësisë dhe me kujdesin në rrugë.

-A bëhet ajo pjesë e udhëtimeve tuaja?

Patjetër që po, kemi shpirtin binjak të aventurës dhe të gjithë bashkë mbështesim njëri-tjetrin.

-Na trego diçka më shumë për veten jashtë motorit, me çfarë merresh dhe cila është familja juaj?

Pothuajse kaloj ditën time duke administruar biznesin tim që është një kompani security e cila kërkon kohën e vet, gjatë ditës kaloj pak kohë në palestër, pjesën tjetër jam i impenjuar me familjen dhe pasionin për Harley. Kam një familje të madhe, për çdo guidë që kam më urojnë rrugën e mbarë babai, nëna, bashkëshortja me tre fëmijët e mi.

harley-davidson-569289_960_720

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *