Joniada BARJABA*
Me rastin e Ditës Kombëtare të Diasporës në Shqipëri, 18 dhjetor, dëshiroj të ndaj disa ide për konsolidimin e marrëdhënieve dhe angazhimit të diasporës me atdheun, duke u nisur nga rëndësia e veçantë që ka patur diaspora në historinë, zhvillimin dhe çështjet kombëtare të Shqipërisë. Vlerat e diasporës shqiptare përfshirë ato sociale, kulturore dhe ekonomike vijnë në forma, modele e praktika të ndryshme. Altruizmi është pjesë e kulturës shqiptare dhe partneriteti midis filantropistëve dhe qeverisë, i nxitur nga politikat favorizuese të kësaj të fundit, mbetet një mjet i fuqishëm në rrugën e zhvillimit të vendit.
Ndër vite, diaspora ka dhënë një kontribut të çmuar në ruajtjen e gjuhës dhe identitetit, mbrojtjen e interesave mbarëkombëtare, të drejtave individuale dhe sociale si dhe zhvillimin ekonomik dhe social të Shqipërisë. Aktualisht, diaspora jonë po lidhet më fort me vendin e origjinës përmes kthimit të përhershëm, të përkohshëm dhe virtual. Por me kalimin e kohës, mënyrat e angazhimit të saj kanë ndryshuar dhe kjo dikton nevojën për përafrimin e politikave ndaj diasporës. Duke parë përfshirjen e diasporës vitet e fundit, një tendencë që ndodh jo vetëm në Shqipëri, vërehet se diaspora është e prirur ndaj nismave filantropike. Më konkretisht, kontributet filantropike të anëtarëve të diasporës në dy situatat e fundit, ajo e tërmetit të vitit 2019 dhe pandemia e COVID-19 në 2020, shërbejnë si provë e drejtpërdrejtë e kontributit të çmuar dhe të vazhdueshëm të diasporës në ndihmë të vendit.
Pavarësisht sfidave me të cilat po përballeshin, komunitetet e diasporës u mobilizuan për të ndihmuar familjet dhe të afërmit e tyre, miqtë dhe komunitetet më të rrezikuara nga tërmeti apo pasojat e pandemisë, edhe pse ata vetë u përballën me të njëjtat sfida në vendet ku jetojnë. Diaspora u gjend pranë në një kohë sfiduese, qoftë për qeveritë, organizatat ndërkombëtare apo shoqërinë civile në vendet pritëse dhe në vendin e origjinës. Këto janë disa arsye për të besuar se filantropia e diasporës po zhvillohet duke marrë një formë të përhershme. Këto iniciativa tregojnë mundësitë, aftësitë dhe gadishmërinë e diasporës për t’iu përgjigjur emergjencave.
Megjithatë, në mënyrë që të maksimizohet kontributi i saj për t’iu përgjigjur krizave të tilla, është i nevojshëm dialogu i qëndrueshëm midis palëve. Sepse tërmeti dhe COVID-19 treguan potencialin e ekzekutivit të Shqipërisë në shfrytëzimin e dijeve dhe potencialeve të qytetarëve shqiptarë nëpër botë. Dijet, aftësitë dhe kapacitetet e diasporës janë burime të rëndësishme në përpjekjet për të kompensuar e plotësuar mungesat dhe kufizimet në atdhe. Prandaj, sfida e sotme është qëndrueshmëria e marrëdhënieve me diasporën për partneritet dhe bashkëpunim afatgjatë, jo vetëm gjatë krizave shëndetësore apo vështirësive ekonomike. Për më tepër, bashkëpunimi duhet gjithashtu të jetë vizionar i orientuar edhe drejt objektivave afatgjatë duke kaluar nga kontributi filantropik, në partneritetin për zhvillim.
Një model i përshtatshëm për vendin tonë, i aplikuar edhe në shumë vende të botës, është programi “Adopto një shkollë”, përmes së cilit anëtarët e diasporës kontribojnë në ndërtimin e shkollave publike në vendin e origjinës. Për më tepër, shoqata apo individë nga diaspora mund të kontribuojnë edhe në ofrimin e bursave arsimore për të rinjtë shqiptarë në pamundësi ekonomike për të kryer studimet brenda apo jashtë vendit. Ndërkohë, platformat filantropike në internet janë një kanal relativisht i ri i filantropisë globale. Qasja e diasporës ndaj këtyre platformave dhe ndikimi që këto donacione kanë është ende i paqartë. Prandaj edhe kjo është një fushë për tu studjuar më tej nga ekspertët e fushës.
Për shkak të arsimimit dhe aftësimit të tyre, komunitet e diasporës mund të japin një kontribut unik në zhvillimin e vendeve të origjinës dhe në përcjelljen e njohurive e ekspertizës. Kombinimi i aftësive, kontakteve dhe njohurive të diasporës për mundësitë globale, mund të ndihmojë bizneset shqiptare të kapërcejnë pengesat, të rrisin efikasitetin si dhe të zgjerohen më tej në tregje të reja. Në të njëjtën mënyrë, komunitetet e diasporës mund dhe duhet të jenë gjithashtu këshilltarë të fuqishëm të qeverive për të ndihmuar në përmirësimin e cilësisë së institucioneve publike si edhe njëkohësisht promotor të bizneseve të huaja që kërkojnë të zgjerohen në Shqipëri.
*PhD, lektore e ekonomisë

Diaspora =bankomat?
Joniada,e bija e babait,po na tregon historine….por nuk flet fare per Praktiken.A ka kuptim,qe diaspores,t’i kerkohet,qe te marre” inisiativa”si shembulli i ndertimit te nje shkolle prej tyre,kur vete qeveria,me gjithe drejtuesit e administrates,parat e taksapaguesva,t’ja shperndaje miqve te tyre (qe i sigurojne votat),nepermjet PPP-ve,apo tenderave,me cmimin tre fish sa ato me te cilat mund te krahasohen ne BE apo kudo ne bote.Natyrisht,rritja e cmimeve te tyre,shkon ne xhepat e rilindesave.Dhe Barjabat (qe jane kthyer ne Shqiperi,vetem per te marre pjesen e tyre),i drejtohen diaspores,qe te kontribuojne,qe keto perfitime qe Barjabat me shoket e rilindjes,te jene sa me te larta.Jepi moj Joniada,e bija e babait….