Filipe Gomes: Me Kukësin luajmë sezonin

Dita

Ai mund të konsiderohet padiskutim si blerja më e rëndësishme e Partizanit në merkaton e janarit, pasi deri tani është i vetmi që ka arritur të përmbushë të gjitha pritshmëritë nga futbollistët që iu bashkuan klubit të kuq në periudhën e dimrit. Bëhet fjalë për mesfushorin brazilian Filipe Gomes, i cili për të fituar titullin kampion la Perugian duke u transferuar te të kuqtë. 6 javë përpara fundit të kampionatit, Partizani pozicionohet në vendin e dytë me 2 pikë më pak se Skënderbeu kryesues, por Filipe Gomes ka besim se titulli i këtij sezoni do tu përkasë 15-herë kampionëve, me 28-vjeçarin që është bindur se të kuqtë do ta fitojnë trofeun brenda në Korçë. Në daljen e djeshme para mediave, ai u shpreh: “Ne mendojmë ta parakalojmë Skënderbeun në renditje dhe nuk pretendojmë të qëndrojmë dy pikë, 6 pikë apo 5 pikë prapa tyre. Do të përpiqemi të bëjmë detyrën dhe t’i fitojmë ndeshjet tona, pastaj të shohim se çfarë do të bëjë Skënderbeu, por në radhë të parë mendojmë për veten tonë dhe mendojmë për të fituar. Nuk ndryshon asgjë nëse shkojmë në Korçë 2 pikë përpara apo 3 pikë pas  Skënderbeut, pasi ajo që ne duam është vetëm të kemi mundësinë që nëse e fitojmë atë sfidë brenda në Korçë të fitojmë edhe titullin kampion”.

Titulli kampion për Partizanin kalon nga Kukësi dhe vëmendja në kampin e kuq është e gjitha te ndeshja e radhës ndaj skuadrës së Klodian Duros, të cilën Filipe Gomes e cilëson edhe si sfidën më të rëndësishme të sezonit për të besuarit e trajnerit Andrea Agostinelli.

“Për mua Kukësi është një skuadër e kompletuar, ata janë të fortë në sulm, por kanë gjithashtu edhe një mbrojtje shumë të mirë. Nuk është një rastësi që ata pozicionohen në vendin e tretë. Në ndeshjet e fundit Kukësi ka regjistruar një ecuri shumë të mirë, duke marrë shumë rezultate pozitive radhazi kështu që mendoj se ata janë një skuadër shumë e fortë. Ne duhet bëjmë lojën tonë edhe ndaj tyre ashtu siç kemi bërë gjithmonë. Duhet ta nisim fort ndeshjen dhe të ushtrojmë presing sa më lart, dhe të kërkojmë të fitojmë me çdo kusht, pasi unë mendoj se kjo është ndeshja më e rëndësishme e sezonit për ne. Është e vërtetë që na mbeten edhe 6 finale të tjera për të luajtur, por nëse arrimë të mposhtim Kukësin do të bënim një hap të madh përpara, dhe do t’i jepnim një sinjal të fortë kampionatit që ne duam ta fitojmë”, pohoi braziliani.

Te Kukësi luajnë shumë futbollistë brazilianë, si Flores, Carioca, Lima e Biringueta e Felipe Moreira, por Filipe Gomes nuk është mik i tyre pavarësisht se vinë nga i njëjti vend. “Jo nuk kam kontakte me futbollistët brazilianë të Kukësit, madje nuk i njoh fare ata. As në ndeshjen e fazës së tretë nuk kam biseduar me ta, mbaj mend që në atë sfidë luajti vetëm Carioca, sepse Flores ishte i skualifikuar”, tha Gomes.

Për momentin 28-vjeçari nuk mendon për të ardhmen, edhe pse Filipe nuk nguron të nënvizojë se do t’i pëlqente të qëndronte te Partizani edhe gjatë sezonit të ardhshëm:  “Gjëja e parë që mendoj është të fitoj këtë kampionat, pasi kjo është gjëja më e rëndësishme për mua aktualisht. Pastaj këtë pyetje nuk duhet ta ma bëni mua, por drejtorit të përgjithshëm. Nëse ai dëshiron, unë do të qëndroj këtu”.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *