Moikom Zeqo
Ide për një tregim. Filip Fluturuesi, djali i jashtëligjshëm i Andrea Topisë.
Mjedisi luftarak dhe kontradiktor i shek. XIV-të.
Fillimi i tregimit nis me një histori dashurie me fuqi të pamatshme, që ndodh shumë rrallë.
Në molin e Durrësit ndalon një anije që vinte nga Napoli. Anija qe zbukuruar për një ceremonial martese.
Velat e anijes kishin të pikturuara figura fantastike të heraldikës anzhuine.
Kjo qe anija e mbretit anzhuin të Napolit, Robertit. Brenda anijes, mes një shpure të respektuar të veshur me kostume me vizatime të arta, ishte vajza jashtë martese e mbretit Robert, të cilën ai ia kishte premtuar si nuse Princit të Moreas në Peloponez.
Për shkak të një shtrëngate të befasishme, kjo anije ndali për tri ditë në qytetin e Durrësit.
I zoti i Durrësit qe një djalosh i ri dhe i papepur, Andrea Topia.
Ky princ shqiptar mbante flokë të gjatë mbi supe, qe i bukur si një kryeëngjëll afresku.
Nuk dihet saktësisht si ndodhi që Andrea Topia u takua me princeshën që qe paracaktuar për t’u bërë nuse e një tjetri.
Duhet besuar se ka një fuqi magnetike me një tërheqje të ndërsjelltë dhe të menjëhershme.
Mjaftoi një shikim midis princeshës franceze dhe princit shiptar që të ndodhte diçka sublime, që poetët e mbiquajnë dashuri.
Kaq e madhe qe kjo dashuri saqën vajza dhe djaloshi e ndjenë se u bënë me një shpejtësi marramendëse një qënie e vetme.
Princesha nuk e kishte ditur kurrë më parë se ekzistonte në këtë botë Durrësi dhe se në këtë qytet do t’i shfaqej diçka fatale dhe epifanike.
Djaloshi shqiptar nuk kishte imagjinuar kurrë se mund të takohej me një bukuri kaq të papërballueshme femërore.
Dihet se ç’ndodhi më pas.
Princi shqiptar pa mëdyshje, i furishëm, madhështor dhe i ëmbël, e rrëmbeu princeshën e huaj, pa përfillur kërcënimet e ekuipazhit të anijes, as paralajmërimin se kjo gjë do të shpaguhej rëndë dhe në mënyrë të pafalshme nga mbreti Robert i Napolit.
Anija e huaj qëlloi disa herë me topat e saj, por muret e kështjellës së princit shqiptar qenë të pathyeshme.
Anija u kthye përsëri në Napoli.
Princi shqiptar e celebroi tashmë martesën e tij me princeshën në katedralen brenda kështjellës së Durrësit plot madhështi ekzotike dhe solemnitet poetik.
Kronikat thonë se nga ky bashkim lindi një djalë që u quajt Karl Topia.
Roberti i Napolit, kur e mësoi këtë ngjarje u tërbua.
Ai kishte projektuar martesën si një aleancë politike me princin e Moreas.
Ai nuk arrinte t’a kuptonte sesi vallë vajza e tij nuk e kishte përfillur dhe thyer vullnetin e tij mbretëror.
Por për çudi mbreti Robert nuk bëri asnjë veprim shpagues.
Pasi kaluan dhjetë vjet, në Durrës erdhi përsëri një anije nga Napoli.
Kapiteni i ekuipazhit u prit nga vetë çifti Topia në rezidencën e kështjellës.
Andreas iu dorëzua një letër në pergamen, e shkruar nga mbreti Robert.
Letra qe grishëse, me fjalë mikluese dhe shprehje të zgjedhura.
Në të thuhej se mbreti Robert e kishte harruar tashmë rrëmbimin e bijës së tij, madje e pranonte faktin e martesës që nuk e kishte parapëlqyer në fillim.
Ai donte të tregonte zemërgjerësinë mbretërore si askush në botë.
Ai kishte dërguar anijen me të cilën të udhëtonte për në Napoli e bija dhe i shoqi, së bashku me nipin e dashur, Karlin 10-vjeçar.
Ai do të organizonte një gosti të madhe dhe një ceremoni përfundimtare për ta.
Letra qe shkruar me një stil të drejtëpërdrejtë, duke shmangur çdo alegori dhe dykuptimësi.
Stili qe bindës dhe i ngrohtë.
Çifti princëror i Durrësit ra dakort për të vajtur në oborrin e Napolit.
Asnjë dyshim nuk ndihej në ajër.
Asnjë keqkuptim nuk e rrethonte Andrea Topian.
Kurse gruaja e tij kishte mall dhe nostalgji për Napolin.
Por shqiptari gjithsesi në fund të qënies së tij e kishte një farë rezerve.
Në çastin e fundit ai vendosi mos t’a merrte me vete djalin Karl.
Ndoshta mendoi për ndonjë shtrëngatë shkatërimtare dhe të pabesë.
Trashëgimtari i tij duhej të qe shumë më i sigurt.
Zhvillimi dramatik i subjektit arrin në kufijtë e marrëzisë. Kronikat kanë një qartësi të madhe.
Çifti princëror arriti në Napoli.
Para tyre doli mbreti Robert, i qeshur dhe me krahë të hapura.
U bë një ceremoni e jashtëzakonshme e një pritjeje tipike mbretëore.
U shtrua një gosti e pasur, në sallën e ndriçuar nga pishtarë të mëdhenj u kërcyen valle, u ngritën dolli patetike, u pi shumë verë magjepsëse, me një fjalë u inskenua një dasmë e vërtetë sikur kjo dasmë të bëhej për herë të parë dhe e planifikuar që në fillim.
Nusja dhe dhëndri (të shenjtëruar tashmë për herë të dytë) po përjetonin një lumturi që nuk e kishin pritur.
Kjo gosti qe një apoteozë sipas rregullave të përpikta, një çudi e kohës.
Pas mesnatës, çiftin princëror e çuan në një apartament për të fjetur.
Kur i zuri gjumi, hynë brenda shpatarët e mbretit Robert.
Sipas urdhërit të mbretit, ata kërcyen mbi të fjeturit dhe i masakruan barbarisht.
Mbreti Robert e pa këtë masakër krejt i qetë.
Hakmarrja e tij u realizua më në fund.
Ai nuk mund të pranonte që askush t’a kundërshtonte urdhërin e tij.
Ai e thurri dhe e ndërtoi strukturën e hakmarrjes për një kohë prej dhjetë vitesh, duke i llogaritur të tëra detajet.
Mbi të gjitha, ai në mënyrë joshëse, duke i fshehur mendimet e tij të vërteta, i vuri rëndësi parësore teatralitetit festor të projektit të tij hakmarrës.
Por ai nuk arriti dot të zhdukte pjellën e këtij çifti; djaloshin Karl Topia.
Karl Topia u bë një sundimtar i madh i viseve shqiptare.
Ai krijoi një personalitet të pakundërshtueshëm.
Nuk e harroi kurrë tragjedinë e prindërve të tij, as hakmarrjen e pabesë të gjyshit mbret të Napolit.
Por megjithatë, ai shpallte se kishte në deje gjakun francez mbretëror.
Në skemën e tij heraldike Karl Topia i vuri luanit totemik edhe simbolet e zambakëve anzhuinë.
Pas kësaj hyrje, tregimi nis me një intrigë që përbën strukturën kryesore.
Në të vërtetë, historia e Karl Topisë ka ardhur deri në ditët tona e zhveshur nga një lidhje intime, por gjithashtu tragjike.
Të afërmit e Karl Topisë e dinin që kjo gjë lidhej me një vëlla të jashtëligjshëm, që quhej Filip.
Në të vërtetë Filipi kishte lindur dy vjet përpara Karlit.
Lindja e tij qe frut i një dashurie të çastit që Andrea Topia kishte patur me një vajzë shqiptare të panjohur.
Sa ishte gjallë Andrea Topia, pavarësisht se nuk e njihte zyrtarisht të birin e tij, Filipin, u kujdes që ai të rritej në një gjëndje dinjitoze, madje e takonte shpesh dhe tregonte dashuri për të.
Mbas masakrës në Napoli, Filipi që ishte dymbëdhjetë vjeç, e kuptoi se për të jeta do të qe plot vështirësi vdekjeprurëse.
I vëllai i tij, Karli, nuk do të nguronte për t’a vrarë.
Me ndihmën e disa detarëve, Filipi u arratis dhe shkoi në Venedik.
E strehuan në shtëpinë e një kardinali, i cili qe dijetar alkimist.
Filipi qe i zgjuar, mësonte lehtë dhe me shpejtësi. Kardinali u përkujdes për të dhe i dha mundësinë për të studiuar librat, duke i ringjallur një ndjenjë kozmike.
Filipi pati një etje të madhe për të kuptuar sesi vallë lëviznin planetet dhe u fiksua mbas idesë së fluturimit.
Pse vallë shpendët fluturonin?
Pse njeriu nuk mund të fluturonte?
Për shumë vite ai studioi shumë projekte për fluturimin e njeriut, që fillonin me mitin e Dadalit, i cili vuri krahë shpendësh dhe arritit të ngrihej në ajër.
Miti poetik i Dadalit e frymëzonte.
Por Filipi nuk arrinte dot të kishte sukses në përpjekjet e tij.
Kur mbushi tridhjetë vjeç, Filipi u largua nga Venediku dhe shkoi në oborrin e Napolit.
Mbreti hakmarrës Robert kishte vdekur.
Shkoi tek varri i të masakruarve, që qe vendosurv pranë altarit të kishës së Shën Magdalenës, në periferi të Napolit.
U përkul para këtij varri por nuk qau.
I ati i tij e kishte sjellë në jetë, por nëna e tij nuk u njoh, duke bërë që dhe ai të mos njihej.
Gjakftohtë, Filipi nuk kishte pezmë dhe dëshpërim. Tashmë mendja e tij qe fiksuar tek fluturimi.
Dëshira e tij absolute ishte të fluturonte.
Në rrugët e Napolit e njohu një tregtar arab të quajtur Ahdamak Ibn Maruni.
Ky tregtar kishte një karakter të vështirë, por dallohej për një fantazi të pazakontë.
Në bisedat me të, Filipi mësoi për herë të parë për ekzistencën e balonave.
Përgjithësisht popujt e Lindjes i kishin shpikur dhe i përdornin balonat.
Kjo qe një lojë jo vetëm për fëmijët por edhe për të rriturit. Balonat shfrytëzonin forcën e errërave për t’u ngritur lart.
Menjëherë Filipi u kap mbas kësaj ideje.
Ai filloi të ndërtyonte balona njëra pas tjetrës.
Balonat i ndërtonte me pëlhurë, duke i bërë format e tyre me anë të shkopinjve prej druri, ose prej hekuri.
Ai arriti të krijonte një aparat fluturimi prej balone.
Konkretisht ai e konsideroi trupin e tij strukturën e balonës dhe rreht e qark trupit ai krijoi një formë të përshtatshme gjeometrike prej pëlhure të tendosur.
Kështu ai e shndërroi veten në një njeri balonë.
Kuptohet që ai lidhej me një fill të fortë, pastaj këtë fill e mbanin disa njerëz të tjerë.
Me anë të lëvizjes së pandalur të errës, Filipi në qendrën e mekanizmit të tij, arritit të ngrihej lart.
Mbas shumë provash eksperimental, Filipi mundi t’a perfeksiononte shpikjen e tij. në praninë e turmave të Napolit, të kureshtarëve dhe të lloj lloj njerëzish, Filipi ngjitej në një shkëmb të bregut dhe ngrihej dalëngadalë duke fluturuar në qiell.
Ky fluturim e kishte një rrezik.
Nëse filli special këputej, ose njerëzit që e mbanin poshtë në tokë fillin e lëshonin nga dora, atëherë Filipi do të rrëzohej në mënyrë të pashmangshme.
Fluturimet e tij qenë spektakle të bujshme.
Ai u mbiquajt nga të gjithë Filip Fluturuesi.
Shumë dijetarë të Italisë nxituan për t’a njohur atë.
Madje dhe shumë princër dhe mbretër.
Por njerëzit e kishës, duke përfshirë dhe kardinalin zemërmirë që e rriti, i quajtën fluturimet e tij blasfemike.
Bibla i njihte fluturimet e ëngjëjve dhe kerubinëve, por përjashtonte fluturimet e njerëzve.
Fundi i tregimit përbëhet nga skena rrënqethëse.
Filipi u kthye në qytetin e Durrësit në mënyrë të fshehtë dhe pa i thënë askujt.
Me vete mbarte mekanizmin prej balone që kishte në qendër një këllëf, ku ai futej dhe mbërthehej para se të fluturonte.
Mekanizmi ishte me pëlhurë të zezë (qe lyer kështu nga vetë Filipi për një arsye të caktuar).
Papritur, mbi bedenat e kështjellës së Durrësit, pikërisht në pjesën më të lartë të akropolit, rojat e Karl Topisë panë të llahtarisur në dritën e Hënës figurën e një njeriu që fluturonte.
Pëlhura e zezë e konfondonte me ngjyrën e natës, dhe Filipi dukej tamam si një njeri që fluturonte i ndriçuar nga Hëna.
Në fillim rojat kujtuan se kishin të bënin me një fantazëm.
Por njeriu i qiellit qe konkret, madje në një lartësi prej tridhjetë metrash ata i panë dhe tiparet e fytyrës së tij.
Ata u tmerruan kur panë se ky njeri nisi të klithte dhe të fliste fjalë në gjuhën e tyre.
Rojat dëgjuan qartë se ai thoshte “Karl, o Karl, unë jam vëllai yt, Filipi. Mbretëria jote më takon edhe mua. Ne jemi vëllezër të një babai. Unë po vij të marr atë që më përket.”
Rojat e lajmëruan Karl Topinë.
Dyshimtar, ai u ngjit mbi bedena dhe gati sa nuk u rrëzua nga të fiktit kur e pa njeriun e gjallë pezull në qiellin e natës.
I dëgjoi fjalët fatale.
E kuptoi se qenë tërësisht të vërteta.
E dinte se kishte patur një vëlla tjetër.
Kishte menduar se ishte një thashethem ekzistenca e tij.
E kishte harruar me këmbëngulje.
Nuk donte t’a kujtonte kurrë.
Dhe ja tani, si një hakmarrje qiellore, i vëllai i shfaqej, jo nga toka, por nga qielli.
Kjo gjë e tmerroi dhe ia dobësoi forcat.
Si vallë mund të fluturonte ky njeri?
Si mund t’a bënte këtë kapërcim të logjikës Filip Fluturuesi?
Ç’mister kumtonin fjalët e tij mbi akropol?
Mos ishte vallë kryeëngjëll?
Mos kishte ardhur vallë fundi i botës?
Por Karl Topia nuk u tut.
Ai urdhëroi t’a qëllonin njeriun misterioz të qiellit me shigjeta flake.
Disa nga shigjetat arritën dhe e prekën Filip Fluturuesin.
Filipi kishte menduar se duke qenë i qiellit nuk mund t’i bëmnte asgjë toka.
Flaka e përfshiu figurën e tij njerëzore dhe mekanizmin prej pëlhure.
Fryu një erë e papritur, duke e lëkundur Filip Fluturuesin në hapësirë dhe dalëngadalë, mes flakëve, ai lëvizi në drejtim të perëndimit dhe ra në det.
Qe diçka e ngjashme me rënien e një ylli që shuhet në ujë.
Të nesërmen në mëngjes banorët e Durrësit panë se tek një shkëmb qe lidhur një fill i fortë si litar.
Filli shkonte drejt brigjeve të detit.
Filluan t’a tërhiqnin fillin. Ndjenë diçka të rëndë në duart e tyre.
Pas tërheqjes filli nxorri kufomën e Filip Fluturuesit dhe strukturën e mekanizmit të tij me pëlhurë të djegur.
Edhe vetë trupi i Filip Fluturuesit qe përzhitur.
Karl Topia nxitoi për t’a parë kufomën.
Befas. duke shkulur flokët, Karl Topia ra përmbys mbi këtë mbetje njerëzore me të cilën kishte të përbashkët gjakun e një babai të njëjtë.
Pastaj kufomën e Filip Fluturuesit e varrosi me nderim dhe respekt të shenjtë.
\
I tërë subjekti i mësipërm është i ngatërruar, por ndjellës.
Mund të thuhet se kemi diçka shekspiriane disa shekuj përpara sesa të lindte Shekspiri.
Vrasja pas gostisë të çiftit princëror nga Durrësi në oborrin e mbretit të Napolit është diçka e tmerruar por që në një detaj të kujton vrasjen e mbretit Dunkan, pas gostisë që i shtroi atij Makbethi.
Kurse figura e Filip Fluturuesitkrijon një asosacion të habitshëm, atë të shfaqjes së fantazmës në bedenat e kështjellës së Elsinorit të të atit të princit Hamlet.
Natyrisht që nuk ka përputhje të sakta, madje ngjashmëritë janë konfuze, që nuk qartësojnë por mjegullojnë edhe detajet e tjera.
Megjithatë, mund të thuhet se nga pikëpamja letrare ka disa lidhje të padukshme, dhe lehtësia e jetës ka krijuar nëj metaforizim shpirtëror të gjithçkaje.
Kështu kronikat mund të lindin motive të cilat nuk mund të klasifikohen si trill, por që kanë brenda një pafundësi frymëzimi dhe argumentimesh të pambarimta.
Filip Fluturuesi është kështu një personazh origjinal, i paidentifikueshëm me të tjerët.
Ky personazh nuk më është shqitur nga mendja asnjëherë.
Problematike për mua ka qenë realizmi i tij.
Por edhe i shtjelluar kësisoj, duke mos qenë përfundimtar, personazhi i Filip Fluturuesit është i vetëmjaftueshëm.(1995)
