Niko Suli*
Ditët e fundit na ka mbërritur një letër në adresë të ‘DITA-s’ nga një emigrant që jeton prej njëzet vjetësh në Greqi, me një shqetësim qytetar që meriton një vëmendje të posaçme. Ai quhet Niko Suli dhe është një lexues i vëmendshëm i gazetës ‘DITA’. Ne vendosëm ta botojmë atë të plotë edhe nga një nëntekst prekës: Emigrantët tanë në vende të ndryshme të botës e kanë mendjen dhe zemrën këtu. Në këtë letër ngrihet shqetësimi i madh i kryerjes apo mos kryerjes së Reformës në Drejtësi, të cilën ai e sheh si e vetmja alternativë e forcimit të shtetit dhe e ringjalljes së shpresës tek shqiptarët.
Ja letra e Nikos nga Greqia:
E nderuar ‘DITA’,
E di që menjëherë do të pyesni pse jua dërgoj juve të gazetës ‘DITA’ dhe jo ndokujt tjetër këtë letër që bën fjalë për një problem madhor të shoqërisë shqiptare. Po jua shpjegoj se pse vendosa t’u drejtohem juve.
Unë jetoj në Greqi prej rreth 20 vjetësh, por asnjëherë nuk i kam shkëputur lidhjet me atdheun tim të shtrenjtë. Jetoj, punoj, ëndërroj dhe mendja për asnjë çast nuk më është shkëputur nga Shqipëria jonë e dashur, e shumë vuajtur dhe me aq shumë halle e probleme. Prej afro pesë vjetësh, që kur doli ‘DITA’, thashë se kjo është gazeta ime. Nuk jam zhgënjyer në përgjithësi, (pasi ka pasur edhe raste që nuk më ka pëlqyer dhe jam dëshpëruar). Mbase ju kini të drejtë dhe unë jam gabim edhe në të tilla raste. Ju kini politikën tuaj të botimit, unë kam mendjen time. Sidoqoftë, ‘DITA’ ka profesionalizëm të nivelit të lartë, ka atdhetarizëm dhe vizion. Aty unë gjej veten time. Si asnjë media tjetër, ‘DITA’ ka trajtuar me guxim probleme nga më të mprehtat për shoqërinë shqiptare… ‘DITA’ ka treguar me gisht armiqtë e këtij vendi dhe përgjegjësit për katastrofat që i janë shkaktuar këtij populli fisnik. Dhe këtë e ka bërë me synimin e vetëm që Shqipëria të bëhet më e mirë dhe më e bukur, që shqiptarët të mos mendojnë për të ikur. Por kjo është e rëndësishme, shumë e rëndësishme aktualisht.
Tani po hyj në temë.
‘DITA’ ka shkruar jashtëzakonisht shumë në favor të reformës në drejtësi që është një nga problemet më të mëdha të shoqërisë shqiptare në tranzicion, një problem që ngjall dëshpërim dhe që vret shpresën. Unë mendoj se tani ka ardhur momenti ta shikojmë këtë reformë të realizuar, ashtu si ka premtuar Kryeministri Rama me mbështetjen e fuqishme të ndërkombëtarëve, kryesisht të amerikanëve dhe BE-së.
Ky është dhe thelbi i letrës sime. A do të bëhet ndonjëherë DREJTËSI në Shqipëri, pasi nuk ka më asnjë dyshim se mungesa e drejtësisë po vdes shpresën e shqiptarëve? Nga duhet nisur reforma në Drejtësi? Kjo është çështja. Do të doja që të trokisja në derën e duhur dhe nëpërmjet DITA-s ta dëgjojnë ata që duan të dëgjojnë dhe t’u drejtoja këtë apel të fuqishëm:
Fillojeni me Saliun!
E di që jeni gazetë private dhe nuk jeni shteti, por e di që shteti ju lexon dhe e respekton qëndrimin tuaj. Di edhe faktin që në faqet e gazetës tuaj qajnë hallet shumë njerëz për probleme të ndryshme. Po cili është halli dhe shqetësimi i këtyre njerëzve? Prandaj, po u drejtohem atyre në shtet: O shtet, fillojeni llogaridhënien me Saliun! Mendoj se ai është çelësi i të gjitha enigmave, mbrapshtive, keqbërjeve dhe fatkeqësive të Shqipërisë.
Miqtë e mi të gazetës “DITA’,
Një nga arsyet pse u drejtohem juve me këtë letër është një fakt i thjeshtë: Jini ju që kini botuar një vit e ca më parë një libër të madh me titullin: “Izet Haxhia përballë Sali Berishës”, përgatitur nga gazetari juaj Xhevdet Shehu. Me gjithë respektin që kam, mund t’i isha drejtuar personalisht Z. Xhevdet me këtë letër të hapur (të cilin e konsideroj një mik në distancë), por e pashë më të arsyeshme t’i drejtohem institucionit të gazetës suaj prestigjioze, në mënyrë që kjo thirrja ime të dëgjohet sa më shumë.
Habitem se si mund të kalojë si një libër i zakonshëm ky. Mesazhi i parë dhe ulëritës i këtij libri prej më shumë se një viti është i drejtpërdrejtë:
Fillojeni me Saliun!
Nuk dua të përmend e të përsëris ato gjëra që i ka thënë aq mirë në parathënien e librit Dr. Sabit Brokaj apo ne intermexot e kryeredaktorit Adrian Thano, Bedri Islamit dhe të deputetit Erion Braçe. I përshëndes ata për gjithçka kanë shkruar dhe për qëndrimet që kanë mbajtur duke demaskuar një keqbërës të madh dhe të pakrahasueshëm në historinë e Shqipërisë, si Sali Berisha.
Unë nuk e di se sa kriminel është Izet Haxhia, por si lexues më bën përshtypje fakti që flet në vetë të parë [të njëjësit apo shumësit sipas rastit]. Kjo nuk duket si përpjekje për shfajësim. Ai arrin deri aty sa thotë:
“Deri sot s’kam vrarë njeri, por po të vendos ta bëj Sali Berisha do të jetë i pari”.
Nuk e di nëse këto i ka thënë në momentet e ndonjë krize sinqeriteti, por shoh se është gati të marrë pjesën e përgjegjësisë që i takon pa u rënduar me të tjera.
E kam lexuar tri herë librin në fjalë dhe jam tronditur nga vërtetësia e tij. Miqtë e mi, po ju kujtoj ato që shkruan vetë Izeti në hyrje:
“Disa prej jush mund të më quajnë edhe “tradhtar” apo “bukëshkalë” pse unë flas kështu për Berishën. Jo, të dashur miq! Unë as kam qenë dhe as nuk mund të bëhem tradhtar apo bukëshkalë. Unë nuk kam tradhtuar duke rrëfyer në këtë libër të vërtetat dhe vetëm të vërtetat që di unë për Berishën. Tradhtari është Berisha! Është ai që na mashtroi, që na ndau mes nesh, që na përçau si popull, që na vodhi me klanet e monopolet e tij, që pas 25 vjetësh akoma mendojmë të braktisim e të shpëtojmë nga ky vend jonë që nuk iu nda mallkimi i atyre që e kanë drejtuar për tash 100 vjet. Dhe unë mendoj se një nga mallkimet dhe të këqijat më të mëdha të këtyre 100 vjetëve është Sali Berisha.”
Unë besoj në këtë sinqeritet të rrëfimit në vetë të parë të Izet Haxhisë. Prandaj dhe këmbëngul në lutjen time publike:
Fillojeni me Saliun!
Por jo më pak e rëndësishme është ajo që shkruan Dr. Sabit Brokaj në parathënien e librit. Dr. Sabiti, mos harroni se është një nga politikanët më të respektuar dhe më me integritet në Shqipëri. Ai shkruan: “Ky libër që përmbledh intervistat e Izet Haxhisë ka një vlerë jo vetëm politiko-historike, por edhe juridike, të cilës do t’i jepja vlerë të veçantë. Këto intervista tregojnë thelbin e çudisë (sekretin) tranzicionit shqiptar, pjesën e pistë e kriminale të tij. Ajo ngjan si një përsëritje e momenteve fatkeqe të historisë tonë, të daljes në krye të tradhtarëve, spiunëve, antishqiptarëve që kanë sabotuar apo dështuar përparimin e Shqipërisë.”
E kjo mendoj se përbën thelbin e çështjes. Kemi një dëshmi autentike ndaj së cilës heshtet. Përse?
Nuk dua të bëhem i mërzitshëm, por ngaqë nuk jam në gjendje t’I them ato që mendoj, po citoj sërish Dr. Brokajn. Ja se si shkruan ai pak më poshtë në parathënien e gjatë të këtij libri:
“Në do të njohësh një njeri, jepi pushtet”.
Duket sikur kjo thënie e shkëlqyer është sajuar enkas për Sali Berishën dhe për njerëz si ai.
Faktet që jep Izeti janë më se të mjaftueshme për të mos pasur asnjë dyshim për karakterin e pandryshueshëm të Saliut si një keqbërës i madh i këtij kombi.
Një nga episodet që më ka pëlqyer më shumë në atë libër është pikërisht kjo që thotë Dr. Sabiti:
“Tërësinë e karakteristikave që Izeti i përshkruan për politikanin shqiptar pas viteve 1990, Dr. Kevin Barret e përmbledh në mënyrë të shkëlqyer te tabloja klinike e Psikopatit.
Ja si e përshkruan Barret: “Psikopatët i lejojnë vetes të gënjejnë, të vrasin, të mashtrojnë, të vjedhin, të torturojnë, të manipulojnë dhe në përgjithësi të shkaktojnë vuajtje të mëdha për njerëzit e tyre pa ndonjë pendim, në mënyrë që të sigurojnë qetësinë e tyre përmes dominimit”.
Po t’i kishte rënë në dorë ky material i Dr. Kevin Barretit, Izeti do të ishte përqendruar kryesisht në përshkrime mjekësore të politikanit ose politikanëve që i bënë gjëmën Shqipërisë”.
Prandaj dhe, o të nderuar miq të DITA-s dhe ju politikanë dhe ligjbërës të Shqipërisë, ua ritheksoj: Fillojeni me Saliun atë Vetingun e famshëm. Vetëm kështu do të shpëtojë Shqipëria dhe do të gjejë paqe vendi ynë i shumëvuajtur!
Ju lutem miqtë e mi të gazetës ‘DITA’!
Dërgojeni një kopje të librit “Izet Haxhia përballë Sali Berishës” në Prokurori dhe në atë komisionin e Vetingut dhe le të shërbejë ai si aktakuzë ndaj atij njeriu që i ka sjellë aq të këqija Shqipërisë. Izet Haxhia ka deklaruar se është gati të vijë dhe të dëshmojë personalisht mpër krimet e këtij personi.
***
Libri është një akuzë e hapur për sistemin e drejtësisë. Ka diçka që më intrigon shumë. Duke qenë i sigurt se Izeti nuk i ka dorëzuar të gjitha armët, një djall e di çka ruajtur që të mbrojë veten e që duhet të jenë akoma më shokuese.
Kini mirënjohjen, respektin dhe dashurinë time.
* Kavalla, Greqi
Izet Haxhia ka shpifur per mua, Bashkim Koplikun. Kete e di une me mire se kushdo tjeter, sepse Izeti ka folur per mua. Nuk ka gabuar Izeti, jo, ka shpifur, cfare do te thote ka sajuar veprime te mijat te paqena, pa permendur synmet e mia ku dhe mund te gabonte.
Perse duhet nje shpifes, per njerin, te mos kete shpifur edhe per tjetri, per cilindo emer qe te vini ju i nderuari lexues?!
Mbrojtja me e mire qe mund t’i behet nje fajtori te vertete, eshte t’i leshosh pas nje shpifes, sepse edhe te vertetat, ne gojen e nje shpifesi, kthehen ne te kunderten e tyre. Pra, nese Izeti fajson Berishen per nje beme kriminale, Berisha del i pafajshem, seose edhe per te Izeti duhet te kete shoifur, sic ka shpifur per mua.
Bashkim Kopliku, zv-kryeministri 1992-1994