Fillojnë sfidat e Euro 2016, “Gjelat” vuajnë për 3 pikë ndaj Rumanisë

redaktor

“Gjelat” e Deschamps e kanë nisur ashtu siç pritej, duke triumfuar me rezultatin 2-1 ndaj Rumanisë në ndeshjen hapëse të Europianit të organizuar pikërisht në Francë, edhe pse ndeshja nuk ishte edhe aq e lehtë në fushën e lojës.

Pjesa e parë nisi më mirë për rumunët, të cilët edhe pse konsideroheshin si jofavoritë në këtë përballje, arritën ta vinin në vështirësi të parët Francën e yjeve që në minutën e katërt të lojës. Stancu pati një rast të artë për të shënuar, por gjuajtja e tij nga një distancë e afërt me portën kundërshtare u bllokua nga portieri Hugo Lloris.

Megjithatë, “gjelat” e Didier Deschamps janë kundërpërgjigjur menjëherë me anë të Giroud, në minutën e 12, pas krosimit të Payet nga e majta, por sulmuesi i Arsenalit nuk arriti të mposhtte portierin rumun Tatarusanu. Vetëm dy minuta më vonë ishte finalisti i Champions League me Atleticon e Madridit, Antoine Griezmann, ai që tronditi shtyllën për francezët me një gjuajtje me kokë, por vetëm kaq.

45 minutat e para u mbyllën në barazim 0-0, ndërsa në të dytën ishte një panoramë krejt e ndryshme e sfidës, pasi gjatë saj pati plot 3 gola. Të parët ishin francezët që zhbllokuan rezultatin e takimit me anë të Olivier Giroud në minutën e 58 të takimit, pasi arriti të përfitonte nga një dalje jo e mirë e portierit rumun për të devijuar topin me kokë në katërkëndësh.

Rumania nuk u dorëzua kaq shpejt dhe në minutën e 64-t fiton një 11-metërsh, që do të ekzekutohej dhe do të shndërrohej në gol nga sulmuesi Stancu.

Megjithatë, zëvendësimet e 45-minutëshit të dytë rezultuan më efikase për Deschamps përballë rivalit të tij Iordanescu. Aktivizimi i Coman në vend të Griezmann dhe Martial në vend të Pogba i dhanë më shumë gjallëri sulmit francez, që e gjetën golin vetëm një minutë nga fundi i takimit me një supergol të shënuar nga Dimitri Payet. Sulmuesi mori një top nga jashtë zonës së rreptësisë dhe, pasi e kontrolloi mirë atë, lëshoi një të majtë “vrastare” duke e dërguar topin në trekëndëshin e djathtë të portës së mbrojtur nga Tatarusanu.

Mbrojtja më e mirë është sulmi, Rumania e provoi këtë gjë, por sërish nuk ia doli dot përpara superyjeve të Francës që ngjiten kështu vendin e parë në grupit A me 3 pikë, në pritje të takimit të dytë në grup që do të zhvillohet ditën e shtunë, asaj mes Shqipërisë dhe Zvicrës.

Share This Article
1 Comment
  • Ketu flitet per yje nga artikullshkruesi por une pash nje France qe edhe mund te kishte humbur. Goli gjithmone shpesh eshte rastesi, por edhe fryt i lojes se lojtareve. Franca nuk ka lojtare teknik qe te bejne loje individuale qe eshte e domosdoshme sot ne futbollin e kohes, me perjashtim te Pogba dhe kjo do te ja veshtiresoje shume kualifikimin. Nuk pashe futboll te bukur, me perjashtim te fundit te pjeses dyte. Rumunet ishin te rrezikshem dhe po te kishin kerkuar me shume sulmin, mund edhe ta fitonin ndeshjen. Goli i dyte i francezeve nga Payet ishte i shkelqyer dhe duhet te behet mesim per sulmuesit te mos kerkojne te hyjne me top ne rrjete, por te gjuajne nga distanca.Te shikojme vazhdimin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *