Kampionati i 30-të Evropian i Peshëngritjes nisi dje në pallatin e sportit “Asllan Rusi” në Tiranë dhe Shqipëria është një nga vendet pretendente për të marrë medalje të arta. Gara evropiane midis 35 shteteve do të vazhdojë deri më 14 prill, dhe nga skuadra kuqezi pretendimet më të mëdha për të fituar medaljen e artë është Romela Begaj, kampione e Evropës në peshën 58 kilogramë. Ajo do të konkurrojë nesër në mbrëmje, në orën 20:00, në baterinë A. 26-vjeçarja ka deklaruar në dygarësh 220 kg, më shumë se çdo rivale e saj në këtë kategori. Daniel Godelli dhe Briken Calja, dy peshëngritësit e kategorisë 69 kg, gjithashtu pretendojnë të paktën hyrjen në zonën e medaljeve, ndonëse rivaliteti në këtë kategori është shumë i madh. Godelli dhe Calja do të nisin garën disa orë para Begajt, në 17:00. Po nesër, në orën 13:30, do të provojë të marrë rezultat edhe Fetije Kasaj, ndonëse pretendimet e saj janë larg zonës së medaljeve. Veç tyre, të mërkurën do të konkurrojnë edhe të tjerë, ndërkohë që sot konkurron Romario Avdiraj, në baterinë B për peshën 62 kg, në orën 13:30. Më 11 prill do të ngjitet në pedanë vetëm një pjesëtar i ekipit shqiptar, Krenar Shorja, i cili do të konkurrojë në kategorinë 77 kg. Më 13 prill, në orën 13:00, i vjen radha Ervis Tabakut në peshën 94 kg, ndërsa në ditën e fundit të këtij evropiani do të jetë Isa Bala.
Në ditën e parë, Shqipëria e nisi me Anxhelo Shabanin dhe Arbër Çerçizin. I pari e mbylli me 200 kg në dygarësh, ndërsa i dyti me 217. Sipas trajnerit Ilir Çela, objektivi i Shqipërisë është vendi i tretë në renditjen ekipore.
