Fillon “lufta”, sulm katalanas kundër Realit

redaktor

Kampionati spanjoll ende nuk është nxehur mirë, megjithatë replikat e para në aksin Madrid – Barcelonë tashmë kanë nisur. Ndërsa në “Santiago Bernabeu” bëhen gati për prezantimin e madh të radhës, Gareth Bale, nga “Camp Nou” vijnë shigjetat e kritikave. Është trajneri i katalanasve, Tata Martino, i cili kritikon shifrat marramendëse për blerjen e uellsianit nga Totenhami. I pyetur se si ndihet para një blerjeje të tillë nga ana e Realit, trajneri argjentinas përgjigjet: “Këto shifra që dëgjojmë për të janë mungesë respekti ndaj botës ku jetojmë”. Martino shtoi se “Bale është një futbollist shumë i mirë, por është një shifër e çmendur”, duke iu referuar 99 milionë eurove për blerjen e tij nga ana e Realit, sipas raportimeve të gazetës “Marca”. Ndërkaq, Martino ka shqetësuese problemet në “shtëpinë” e tij, pasi për takimin e sotëm në Malaga i mungon Leo Mesi. “Gjendja e Mesit është përmirësuar pas ndeshjes me Atletikon, por jemi vetëm tri ditë nga dëmtimi dhe nuk duam të rrezikojmë”, u shpreh dje Martino. “Dua të sqaroj se vendimi për të mos ta grumbulluar është thjesht masë paraprake, pasi ai stërvitet shumë mirë dhe është në formë”. Teorikisht, Barcelona nuk duhet të jetë e varur nga Mesi, pasi tani është Neimar, por Martino nuk e sheh kështu. “Koha e nevojshme që kemi përcaktuar për integrimin e Neimarit nuk do të përshpejtohen nga mungesa e Mesit. Nuk mendoj se nëse nuk është Mesi duhet të luajë patjetër Neimar. Barcelona ka shumë lojtarë të rëndësishëm dhe të gjithë kanë rolin e tyre në skuadër. Kemi Ksavin, Iniestën dhe shumë lojtarë të tjerë të mirë, ndaj nuk mund të thuhet që kur nuk është Mesi duhet të luajë patjetër Neimar”. Ndërkaq, edhe pse foli për blerjen e Bale, Martino refuzoi të bënte komente për Iker Kasijas, duke mos dashur të krijonte keqkuptime për këtë çështje.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *