Çipet e rinj A9 kanë nisur të prodhohen nga fabrikat e Samsung-ut në Ostin. Mësohet se këta çipe do të përdoren në gjeneratën e re të telefonave inteligjentë të kompanisë Apple. Bëhet fjalë për një çip më të shpejtë, më efiçent, i cili përdor më pak bateri se çdo çip tjetër ekzistues.
Pyetja e vetme ngelet se kur do të lansohet ky çip i ri. Shumë ekspertë të kësaj industrie parashikojnë lançimin e dy iPhone-ve të rinj vitin që vjen. Realisht, lançimi i një iPhone të ri me çip A9, pak kohë pas hedhjes në treg të iPhone 6 dhe 6 Plus, që përdorin çipin A8, mund të jetë diçka që do të ndikojë negativisht tek përdoruesit aktualë të një iPhone 6 apo 6 Plus. Telefonat e tyre inteligjentë do të quhen ‘model i vjetër’.
Do të duhet që çipi A9 të fillojë të prodhohet masivisht për të kënaqur kërkesat e Apple. Aktualisht, ai është prodhuar në sasi të vogla, që përdoren vetëm në prototipat e supozuara të iPhone 7. Gjithsesi, kjo teknologji e re do të testohet si fillim në kampusin e Apple, përpara se të vendoset përfundimisht që do të përdoret në gjeneratën e re të iPhone.
