Në hapat e tij të parë, Hollivudi eksperimentoi me skenat e filmave dhe drejtuesit e tyre rrezikuan të xhironin në kushte ekstreme, duke rrezikuar aktorët. Ngjarja më tragjike në historinë e kinemasë u regjistrua në vitin 1931 gjatë xhirimeve të filmit “Vikingët”.
Drejtori Varick Frissel donte ta bënte filmin sa më realist, duke vendosur që të udhëtonte në veri të Kandasë për të realizuar skenat e filmit në akullin polar. Kur Frissel mbaroi xhirimet e para, mbeti i pakënaqur dhe vendosi që ekipi i tij të realizonte edhe një skenë tjetër të vërtetë të gjuetisë së fokave.
Kasti i aktorëve së bashku me Frissel u nisën përsëri për në veri të Kanadasë por gjatë rrugës u bllokuan në akull. Anija me të cilën udhëtonin, kishte në bord eksplozivë për thyerjen e akullit.
Të gjendur në këtë situatë, ata vendosën të përdorin eksploziv, për të çarë akullin që i kishte bllokuar, por një gabim njerëzor bëri që anija të shpërthente. Anija u nda në dy pjesë dhe nga shpërthimi mbetën të vdekur 29 pjesëtarë të kastit të filmit, përfshirë edhe drejtorin Varick Frissel.
Trupi i tij nuk u gjet kurrë. Filmi u shfaq në kinema disa muaj më vonë. Nuk ishte një sukses i madh, gjithsesi sot listohet si filmi, realizimi i të cilit, ka shkaktuar më shumë viktima në historinë e kinemasë.

j.l./ dita
