MOIKOM ZEQO
Në trembëdhjetë shkurt 1734, në studion e tij të librave në Dublin, peshkopi George Berkeley po shikonte ribotimin e librit të tij “Traktati i Parimeve të Njohjes Njerëzore”, që u botua për herë të parë në 1710.
Shfletonte me gishta fletët tipografike dhe mendoi thellë. Berkeley ishte në thelb një filozof.
Ai e kuptonte teologjinë jo aq si ndërmjetësi të koncepteve hyjnore por edhe si një grishje të vërtetë për filozofinë.
Ai e dinte se çdo dije qe sinkretike.
Ndërthurja mund të krijojë një harmoni.
Traktati i tij kishte bërë një jehonë të pazakontë.
Berkeley nuk ishte një filozof i dyshimtë.
Ai kishte bindje të caktuara.
Kërkonte që këto bindje t’i kishin dhe të tjerët.
Stilist i rrallë, qe tepër i kujdesshëm në renditjen e fjalëve, duke besuar se e vërteta e tij nuk mund të përgënjeshtrohet.
Ai nuk habitej, por zbulimin e tij filozofik, tejet të koncentruar e quante një artikulim të gjithçkaje rreth e qark.
Ai kishte shkruar për një teori të re të shikimit të parimeve filozofike.
Ai mendonte se filozofia e vërtetë ishte imateraliste, një idealizëm subjektiv absolut.
Ka shumë ide të përgjithshme abstrakte por ai synonte zanafillën e tyre.
Ai me krenari të zymtë kishte parë dhe formimin dhe konceptimin e gjuhës, identitete të rreme të fjalëve me nocionet.
Është gabim themelor, sipas tij, se çdo fjale i korrespondon një ide.
Meqë në jetë një emër i veçantë shënjon një send të veçantë, nuk është shumë e besueshme që emrat që nuk emërtojnë ide të veçanta u korrespondojnë ideve të përgjithshme abstrakte.
Ky konceptim i fjalëve ka ndihmuar për t’u dhënë atyre një dukje realiteti, por për Berkeleyn, fjala e marrë në këtë kuptim është bartëse iluzionesh.
E bashkangjiitur me ide abstrakte fjala nuk është veçse një tingull, sepse ajo nuk është një shenjë e asnjë realiteti.
Berkeley propozon një konceptim tjetër të gjuhës.
Ai pohon karakterin ndihmës dhe dytësor të saj.
Për të gjuha është para së gjithash një vegël.
Dhe, qoftë kur kemi të bëjmë me gjuhën njerëzore, ose me gjuhën hyjnore, ajo është kryekëput arbitrare.
Bën këtë përkufizim: “Një numër i madh shenjëash arbitrare të larmishme dhe të sakta përbëjnë një gjuhë. Nëqoftëse kjo lidhje arbitrare është krijuar nga njerëzit, ajo është një gjuhë artificiale, nëqoftëse është krijuar nga Autori i Natyrës, ajo është një gjuhë natyrore”.
Fjalët vazhdimisht duhet të mbahen në zap, ato nuk duhet të jenë kurrë drejtuese të lojës.
Njohja nuk është qëllimi i parë i gjuhës.
Dykuptimësia që mbartin fjalët duhet patur mirë parasysh.
Pas kësaj Berkeley arrin në konkluzionin se sendet janë “koleksione idesh”.
Çdo gjë varet nga perceptimi.
Njeriu ka shqisa.
Ne perceptojmë gjithçka me shqisa.
Unë shoh një tryezë sepse e perceptoj atë.
Librat janë në bibliotekë por nëqoftëse unë nuk i shikoj librat ato nuk janë.
Në Natyrë, thotë Berkeley, Zoti më lajmëron dhe unë duhet të kërkoj, të ndërtoj me mekanizmat e tij një shkencë më shumë parashikuese sesa shpjeguese.
Zoti nuk është as arkitekt, as orëbërës.
Ai më flet.
Mekanizmat janë vendosur si shkronjat tek fjalët.
Zoti nuk zgjedh rrugën më të thjeshtë, zgjedh rrugën që mund të më ndriçojë më shumë.
Nëse pohojmë ekzistencën e materies, qoftë dhe të paperceptuar dhe pa cilësi, kjo hipotezë është absurde.
Vërtet, pse do na duhej një materie e tillë?
Çfarë kuptimi mund të kishte ajo?
A do të ishte një shkak i panjohur?
Mos ndofta ekziston tek Zoti?
Por në këtë rast ajo do të ishte Zot dhe jo materie.
Gjithçka pra të shtyn të mendosh se materia nuk mund të jetë gjë tjetër veçse një fjalë dhe asgjë më shumë.
Për Berkeleyn bota nuk është materiale por e kundërta.
Perceptimet e krijojnë botën.
Nëse nuk e perceptojmë botën pse duhet të ekzistojë ajo?
Të ekzistosh do të thotë të jesh i perceptuar.
Kjo formulë e fundit duhet të jetë dhe formula e të gjitha fillimeve.
Kjo ishte teoria e Berkeleyt.
Mbi tryezën e madhe ndriçonte një shandan i madh bronxi me dhjetë qirinj të ndezur.
I zhytur në lexim, peshkopi filozof kishte harruar gjithçka.
Befas ndjeu një rrymë të lehtë ajri që i shqetësoi flakët e qirinjve.
Ngriti kokën dhe pa.
U habit nga prania e një tjetri.
Nuk kishte dëgjuar të trokiste dera.
Askush nuk e kishte hapur derën.
Përpara tij qëndronte një formë njerëzore e tmerrshme.
Kishte një fytyrë pa mjekër, por me flokë të gjatë.
Sytë e tij kishin një inkadeshencë jeshile.
Mbante një pelerinë të purpurt me disa vizatime abstrakte, të pakuptueshme, ndoshta me simbole astronomike, ku kishte dhe numra, ndoshta dhe fjalë të shkruara në një gjuhë të vdekur, ose në një alfabet që nuk kishte ekzistuar asnjëherë.
U panë për një kohë të gjatë në heshtje.
Berkeley ndjente një rrënqethje përvëluese.
Nuk vendoste dot ç’të bënte.
Më në fund morri guximin dhe tha:
-Kush jeni ju? Si vallë hytë kështu tek unë?
Krijesa e çuditshme dhe e frikshme përballë u përgjigj:
-Unë jam Djalli!
Berkeley u djersit, pastaj ndjeu një akullzim të tërë qënies. Për një çast mendoi të bërtiste në latinisht formulën ekzorciste (vade retro Satana).
Por nuk kishte asnjë fuqi.
Çdo gjë ishte një absurd si në fundin e një honi pa përmasa.
Pastaj Berkeley dëgjoi një të qeshur të lehtë, por që vazhdoi gjatë, të Djallit.
Në këtë të qeshur dukej sikur kërcisnin vetëtima të largëta por shkatërrimtare, ndihej një makth i paparë.
-Unë jam Djalli! Unë ekzistoj.
Nëse ti mendon ashtu siç ke shkruar në atë libër koti, që mban përpara se mendja i krijon sendet, atëherë unë ekzistoj sepse ti po më shikon.
Si hyra këtu?
Nëse muri i kësaj dhome nuk është material, por thjesht pjellë e shqisave, atëherë është krejt i depërtueshëm nga unë.
S’ka nevojë për asnjë derë.
Kjo është në harmoni me teorinë tënde idiote.
Por ti thua se beson tek Zoti.
Tërë heretikët, që i ka përvëluar inkuizicioni, nuk kanë arritur në mohimin e vërtetë të Zotit, siç bën ti, Berkeley.
-“Me të vërtetë, – thotë profeti, – ti je një Zot që fsheh vetveten”, kështu thotë Isaia 45,15.
Pra një Zot që nuk duket.
Që fshihet nga sytë e njeriut.
Si mund të jetë një Zot i vërtetë?
Pse flasin për Zotin teologët e çmendur dhe budallenj? A e kanë parë ndonjëherë? Jo!
Si mund të flitet për një subjekt të paperceptueshëm?
Ti ke thënë, Berkeley, se nëse e shoh një ndërtesë, ajo është e tillë për aq kohë sa e shoh. Dakort!
Kjo hap hullinë e një arsyetimi më kërcënues.
T’a zëmë se t’u shfaq Zoti dhe ti më në fund e pe.
Por mos harro se vetëm për sa kohë që ti e percepton Zotin, ai është ndoshta Zot, por në çastin që ti nuk e percepton, nuk ka absolutisht asgjë.
Unë jam Djalli, një qënie konkrete.
Nuk kam nevojë që të fshihem.
Gjatë shekujve, mosha ime nuk ka asnjë rëndësi, jam marrë dhe unë me teologjinë.
Jam munduar të vërtetoj ekzistencën e Zotit, t’a perceptoj atë.
Në hapësirat kozmike dhe në planetet e pafund kam parë shumë enigma, meteorë dhe kometa, lindje dhe vdekje galaktikash, por nuk e kam ndjerë praninë e një Zoti.
Kam lexuar librat e shenjtë.
Perceptimi i shkronjave më ka krijuar vizione të pafundme. Nëse do të doja ti bashkoja këto vizione dhe ti koncentroja, nuk do të mundja dot të krijoja një qënie supreme që është brenda gjithë qënieve te tjera dhe sendeve, të paktën si një frymë e shenjtë, ose si një koncept, pavarësisht nëse mund të emërtohet me një fjalë të vetme, a me miliona fjalë.
Në të vërtetë unë, Djalli, jam kudo.
Jam në mëkatet e njerëzve, në epshet dhe mizoritë e tyre, në ëndrrat dhe në librat.
Në vend që të mallkojnë vetveten, njerëzit më mallkojnë mua.
Pra bëjnë një zhvendosje pakuptim.
Një maskim të neveritshëm.
Filozofët krijojnë ide, por ata janë pjesë e materies.
\ Si ka mundësi që fragmente kaq të mjera të materies, siç janë njerëzit, me anë të ideve abstrakte, t’i bëjnë atentat për të shkatërruar materien që i ka lindur, materien që është e pashkatërrueshme dot?
Unë jam Djalli, por miliona herë më i ndershëm sesa ti, Berkeley.
Më kot mendon se mendja jote e budallallepsur në këtë çast ka përpara një haluçinacion.
Ëndrrat janë haluçinacione.
Por pa tru nuk ka as ëndrra.
Unë jam Djalli që e di të vërtetën, kurse ti nuk e di.
A do të bindesh për këtë?
A do vetëm një provë përfundimtare?
Ja, unë po afrohem tashmë pranë tryezës, pranë teje dhe pranë librit tënd.
Do t’a ngrë këtë shandan të rëndë prej bronxi ku flakërojnë qirinjtë, pa dritën e të cilëve ti nuk më sheh dot në këtë terr pafund.
Nëse edhe ky shandan, që sipas teorisë tënde nuk është gjë tjetër veçse prodhimi shqisave të tua, pra është imaterial, atëherë kur unë do të godas me të në kokë, për të vërtetuar pikërisht teorinë tënde, ti nuk do t’a ndiesh fare.
Si mundet një send i përfytyruar të ketë peshë, të jetë i rrezikshëm dhe t’a gjakosë kafkën tënde?
A e ke menduar ndonjëherë këtë përfundim qesharak të krej filozofisë me të cilën je marrë tërë jetën?
Ti e ke mohuar materien. Atëherë pse duhet të kesh frikë prej saj?
Pastaj Djalli u afrua, pas çdo hapi figura e tij zmadhohej dhe bëhej vigane, Berkeley i tmerruar shihte lëvizjen e tij, pa si dora e shëmtuar, gati si me kthetra dhe plot qime e Djallit, mbërtheu shandanin prej bronxi, Berkeley donte të brofte në këmbë, të ikte me panik si i tërbuar, ndjente diçka shumë më të keqe dhe më të befasishme sesa vetë vdekja, në frikën e tij ishin bashkuar të gjitha frikërat e tjera të krejt planetit në kohëra, por qe e pamundur, krejtësisht e pamundur që të lëvizte, apo të bënte diçka shpëtimtare, instiktive, pastaj ndjeu mbi kafkën e tij goditjen fatale, iu duk sikur i ra përsipër jo thjesht një shandan, por një mal i tërë, ose të gjitha malet, sikur planetet me vërtik e brakisën kozmosin dhe me një hakërrimë të pabesueshme, apokaliptike, u rrëzuan vetëtimthi mbi kafkën e tij.
Ndjeu një dhimbje të llahtarshme, preku kufirin e vdekjes, pastaj mbi sytë e tij ra një errësirë, i humbi logjika, tërë kujtesa, u bë një boshllëk i tërë ideve dhe fjalëve të të gjitha librave dhe kuptohet, edhe të vetë librit të tij.
Të nesërmen në mëngjes shërbyesja që hyri në studion e George Berkeleyt, pasi hapi derën që kërciste, e pa të zotin e saj me kokën përmbys mbi tryezë, me një plagë që kishte rrjedhur gjak, kishte skuqur flokët, rrobën madhështore të peshkopit si dhe librin e hapur përpara.
Shërbyesja klithi e tromaksur.
Erdhën dhe njerëz të tjerë të shtëpisë.
Kujtuan në fillim se Bekeleyn e kishin vrarë.
Dikush duhej të kishte hyrë, ndoshta ndonjë kusar katil dhe e kishte qëlluar Berkeleyn.
Kuptohej që e kishin qëlluar me shandan.
Qirinjtë e ndezur i kishin vënë flakën disa fletëve të një dorëshkrimi të pabotuar të Berkeleyt, por për fat të mirë fletët e djegura nuk kishin mundur të shkaktonin një zjarr më të madh.
Kjo kishte ndodhur për hir të tryezës së madhe, që ishte vetvetiu diçka që e izolonte zjarrin, sepse qëndronte në mes të studios.
Kështu nuk kishin mundur të ndizeshin as perdet, as biblioteka në mur.
Por George Berkeley nuk kishte vdekur.
U dëgjua një rënkim dhe Berkeley me stërmundim ngriti fytyrën e përgjakur.
Fytyra e tij qe e llahtarshme, tamam si fytyra e një të vdekuri.
U sulën për t’a ngritur.
Pastaj e pyetën me shpejtësi se ç’kishte ndodhur, kush kishte qenë ai mizor i përbindshëm që e kishte goditur dhe përse vallë? Berkeley i dëgjonte zërat por nuk mund të përgjigjej. Gjaku i rrjedhur nga kafka i kishte bërë të palexueshme fletët e librit, Berkeley për herë të parë mendoi se nëse nuk do të ishin gërmat e qarta, nuk do të ekzistonte asnjë lexim i mundshëm.
Ishte e kotë t’u thoshte të tjerëve që e rrethonin se në studion e tij kishte qenë vetë Djalli, pikërisht ai Djall që e anatemonin që të gjithë parreshtur në mijëvjeçarë, ai Djall që e urrenin analfabetët dhe të diturit, tërë teologët por edhe tërë heretikët e shkretë.
Berkeley tashmë qe i bindur se e kishte takuar Djallin, kurse të tjerët flisnin për të marrëzira vetëm duke e përfytyruar.
Një Djall i përfytyruar nuk është i rrezikshëm, kurse Djalli i vërtetë po.
