Filozofia dhe poeti Pierre Reverdy

Leda Hysa

Moikom Zeqo

(Vijon nga numri i kaluar)

* Poezia është një shtegtim melankolik midis njerëzve dhe sendeve. Po erudicioni libresk përhapet si pluhur, e artificializon ndjenjën.

*Franc Meringu e ka quajtur letërsinë natyraliste “letërsi të rënies”, “Në poezi, thotë Frojdi, bota e realitetit të jashtëm zhduket, kurse bota e instinktit bëhet realitet”. Sipas pikëpamjes së Frojdit, artisti është një neurotik, që zotëron aftësinë të japë një “formë” kërkesave të ëndërrave të tij. Artisti bën kështu të njëjtën gjë, që bëjnë fëmijët me lodrat, dmth krijon një botë fantazie, që duket si diçka tejet serioze. “Frojdizmi, thotë Finkelshtajni, e ul artin deri tek ritualet e njerëzve primitivë.”. Edhe surrealizmi është një drejtim artistik, sa abstrakt aq dhe natyralistik. Sipas pikëpamjeve surrealiste jeta ka dy anë: atë reale dhe atë mistike. Esenca me të vërtetë e rëndësishme dhe shprehëse e botës është ajo mistike. Prandaj arti duhet të pasqyrojë një botë të dyfishtë, në të dy anët e saj: të dukshmen dhe të padukshmen. Duke vizatuar disa tipare të sendeve reale dhe në të njëjtën kohë çfarëdo halucinacionesh dhe përçartjesh fantaziste surrealistët besojnë se shprehin realitetin objektiv (subjektiv) që gjendet, jo në hapësirën e zakonshme tredimensionale por edhe në hapësirën e dimensionit të katërt, të paarritshëm dot nga njeriu i zakonshëm. Ata thanë se mbështeten në zbulimet e reja shkencore: të hapësirës në shumë dimensione. Artisti, ashtu si shkencëtari, përpiqet të gjejë “rregullin” dhe “raportin e fshehtë”, që duhet të ekzistojnë në botën e shumë dimensioneve, që e dallon shumë nga përfytyrimet e vjetra të shkencës së dikurshme, të mëparshme. Ky është koncepti i spiritualistëve, me të cilët është tallur E(ngelsi). Surrealizmi ka edhe burimin frymëzues religjioz (Jetën) dhe atë erotik (akti seksual zotëron gjithçka).

* Mendimi politik – shoqëror në vitet ’30. S’ishte unik, por i polarizuar, antinomik. Idea e Neoshqiptarizmës. Intelektualë të rinj pro-oksidentalë flasin për modernizimin e burokracisë së memurëve të Turqisë. Teoria e heroit, ose e elitës. Neoshqiptarizma si ideologji ka për bazë sociologjinë pozitiviste të August Kontit, filozofinë e Mbinjeriut të Niçes, apo filozofinë e Bergsonit. Neoshqiptarizma doli me flamurin e kulturës, d.m.th. „Jo Politikë, vetëm Kulturë“. Në numrin 2 të revistës „Përpjekja Shqiptare“ Branko Merxhani, në artikullin „Politika dhe Kultura“ shkruante: „Muajin e kaluar, duke filluar nga puna thoshim se revista e jonë s’ka të bëjë aspak me politikën dhe se qëllimi dhe misioni i saj ishte vetëm kultura.“ Ai (Branko Merxhani) citonte filozofin francez të asaj kohe Alfred Fuje, i cili, si edhe Niçe si fuqi lëvizëse pranon vullnetin e ndërgjegjes dhe sipas (Branko Merxhanit) të dy kanë të drejtë, veçse me një rezervë politikën (sundimin, qeverisjen) sepse „ne jemi për kulturën se kultura dhe politika nuk përputhen“. Kontradiktat, sipas neoshqiptaristëve, i shkaktojnë mentalitetet e ndryshëm të njerëzve. „Neoshqiptarizma – nuk është violencë, por një tendencë, me vija realiste“, thoshin përfaqësuesit e saj. Proza „Programi i një reviste“ është shkruar nga Migjeni mbase për këtë revistë („Përpjekja Shqiptare“).

* „Kështjella“ e I.Kadare- subjekti përshkruan procesin e disfatës. Ky roman fundin e ka të ditur. Fundin e tij e dimë të gjithë ne. Raporti midis historisë dhe artit. Midis reales historike dhe fantazisë letrare. Disa paralele e  romanit te Ismailit në këto vepra: “Brutis”, piktura e Dalakruasë, “Cezari dhe Kleopatra” e Brehtit, “Salambo” e Fl oberit. Paralelja midis historisë dhe veprës artistike nuk është identifikuese, nuk i barazon dy identitetet. Por midis tyre ka përherë diçka që i bashkon. Arti plotëson historinë, ose ndërsjelltas. Analogjinë e ka përdorur shumë arti klasik por edhe arti modern. Romani ka zhvillim linear. Nuk është mozaikor.Por mjaft simbolik, tejkalues.

* Salvator Dali shpalli “Deklaratën e Pavarësisë së Imagjinatës dhe të Drejtat e Njeriut për çmendurinë”. Ka vetëm një metodë kritike, sipas S.D. – ajo paranoike. Dali: “I vetmi ndryshim ndërmjet meje dhe një të çmenduri motorik është, se unë nuk jam në të vërtetë i çmendur.” Arti ekscentrik, kanibalizmi i stinëve, kënaqësira instiktive të ndriçuara, vërshimi i gjakut dhe tmerrit. Salvator Dali: “A jam sharlatan? Përkundrazi, jam shembulli më tipik i gjeniut. Jeta në lëmshin tokësor do të ishte e pamundur nëse do të ekzistonin 20 a 30 Dali. Por mos u trembni. Kjo s’do të ndodhë kurrë.” Librat e tij: “Fitorja e irracionales”, poema “Masturbuesi i madh”, skenarët për filma: “Qeni i Andaluzisë”, “Shekulli i artë”. Veprat kriminale të Hitlerit i ka quajtur “fenomene surrealiste”. Kritiku Klod Man tek libri i tij „Cirku Surrealist“: „Nëqoftëse programi i Hitlerit ishte një revolucion i nihilizmit në politikë, surrealizmi është një revolucion i nihilizmit në art.“ Teoria e „orëve të prishura“, „e orëve të lëngëta“. Absurdi universal. Në një nga filmat ku S.Dali është protagonist (aktor i vetes) flet me një gjuhë, të shpikur, që s’ekziston dhe s’ka ekzistuar kurrë. Me këtë „gjuhë“ ai flet, rrëfen, me një ligjërim surrealist, pa u kuptuar absolutisht nga askush. Poezi të Majakovskit të përkthyera nga origjinali:

MAJAKOVSKI

SHPORRUNI

Mbas një ore në rrugën bosh,

Do të rrjedhë dhjami juaj kundërmues,

Kutinë e Poezive për ju e kam hapur,

Unë, dorëlëshuari i fjalëve të egra!

 

Ti, mashkull, ke ende nën mustaqe,

Lakrën e supës, që s’e ke mbaruar,

Ti, femër, ke pudër tek faqet

E fryra në plogështi si molusqet!

 

Të gjithë ju, do të futeni të ndyrë,

Me galloshe dhe pa galloshe tek unë.

Turma histerike do ta kapë fluturën time poetike,

Nga morri njëqind kokësh i grishur!

 

Po sot unë, huni brutal,

Do t’ju zgërdhihem përballë,

Do të gajasem dhe do t’ju pështyj,

Unë, dorëlëshuari i fjalëve hakmarrëse!

SHIJE TË NDRYSHME

Kali kur e pa devenë tha në çast:

„Ç‘kalë i shëmtuar, gjigant!|

Dhe deveja kalit i kishte thirrur:

“Ç’je ti? Deve e parritur?”

Po Zoti mjekërthinjur vetëm qesh :

« Janë kafshë krejt të ndryshme, për dreq ! »

 

                                      GRIMCA FILOZOFIKE

* Shënime mbi filozofinë. Mbi objektin e filozofisë. Pozitivizmi logjik, B.Raselli thotë, se filozofia s’jep dot një dije mbi botën, ajo është « logjika e marrë si shkencë formale » – Ky është thelbi i filozofisë. P. Karnapi mendon, se analiza logjike është në thelb semantikë, « logjika është sintaksë, pra problemi i filozofisë është në thelb « problem semantik. » Për pozitivistët « filozofia është shkencë për vetveten ». Për ekzistencialistët objekti nuk lidhet me materien dhe raportin e saj me ndërgjegjen, por « ekzistenca e subjektit ». Pra filozofi psikologjike. Jaspersi e ka quajtur filozofinë « psikologji botëkuptimi », bile, duke mohuar përparësinë e arsyes, bën thirrje për një « psikopatologji ».

Raselli, në librin « Historia e filozofisë perëndimore » thotë se filozofia është diçka e ndërmjetme, e tretë, midis shkencës dhe teologjisë, « pra një tokë asnjanëse ». Shembulli i mbretit shekspirian Lir, i cili jua ndau mbretërinë dhe tërë pushtetin vajzave të tij.

Filozofia si « natyrëfilozofi » (filozofi e natyrës), shkalla jonike. Filozofia si « shkenca e shkencave ». Ligjet e mendimit. Problemi i pranimit të ekzistencës së materies si burim objektiv të ndijimeve tona është pikërisht një problem gnoseologjik dhe jo thjesht një problem fizik, apo kimik.

Bekoni e krahason metodën e drejtë (shkencore) me fenerin, që i ndriçon udhën udhëtarit në terr. Engelsi : « dialektika është për shkencat e sotme të natyrës forma më e rëndësishme e mendimit. »

Kritika e M.(arksit) kundër filozofisë idealiste. M.: „si idealistë absolutë, si qenie prej eteri ata (idealistët) mund të jetonin vetëm në eterin e mendimit të kulluar.“ Kaucki e quante teorinë e Marksit si „një kuptim ekonomik“ dhe i sinkronizonte zbulimet e M. me filozofinë e Mahut.

***

Në Indinë e lashtë, filozofët materialistë (çorvakët), luftonin kundër brahmanizmit. Për ta bota përbëhej nga 4 elementë: zjarri, ajri, uji dhe toka. Për kinezët materialistë bota përbëhej nga grimca „ci“, kurse zhvillohej sipas ligjësisë „Tao“ (taoizmi).

Filozofët e vjetër grekë. Thalesi baza e botës bëhej nga „uji“, për Anaksimenin qe „ajri“, për Heraklitin e Efesit „zjarri“, për Anaksimandrin „apejron“. Logosi i Heraklitit, lufta e të kundërtave. Për Heraklitin rruga, që ngjitet sipër (toka – uji – ajri – zjarri) është edhe rruga, që zbret poshtë (zjarri – ajri, – uji – toka). Në shekullin V p.e.s. Euklidi dhe Demokriti, formuluan mendimin mbi „atomin“, – teoria atomistike.Atomos, greqisht „i pandarë“. U strukturua teoria e determinizmit (e pranimit të ligjësisë universale). Demokriti: „S’ka asgjë pa shkak“ (shembulli i breshkës, që bjen mbi kokën e Eskilit, shpjegohet me shqiponjën që e kish ngritur breshkën dhe e lëshoi nga lart). Herakliti: „Shpirti një nga gjendjet kalimtare të zjarrit, d.m.th. të bazës fillestare të botës.“Epikuri (341-270 p.e.s.) dhe Lukreci (99-55 p.e.s.) zhvilluan materializmin atomistik të Demokritit. Tezat: „atomi s’lëviz në vijë të drejtë“ si dhe „burimi i lëvizjes është vetë materia.“Idealistët, shekulli 5 p.e.s.: Sokrati (469-399, Platoni (427-347). Teoria e Platonit për të burgosurin brenda shpellës. Teoria e ideve. Idetë si arketipe të sendeve.Shekulli 4 p.e.s.: Aristoteli (384-322), „Leka i Madh i filozofisë“, sipas M(arksit). Kritikoi idetë e Platonit. Elementet e dialektikës. Ai merrte si pasive materien dhe aktive formën. Zhvilloi idenë e teleologjisë, e qëllimit të krijimit. Shkaku fillestar. Aristoteli përballë determinizmit të Demokritit vuri teleologjinë e tij.

Bekoni. Kritikat për idolet dhe fantazmat: a) e teatrit b) agorasë c) e shpellave etj. Dekarti: „materia përbëhet nga thërrmija (korpuskule) në tri lloje: zjarr, ajër, tokë. Teoria e tij e njohjes: „Cogito ergo sum“ – „Mendoj, pra jam“. Spinoza, si atribute të materies quante shtrirjen dhe mendimin (panteizmin), ose helozoizmi, d.m.th. edhe çdo gjë inorganike mendon.Xh. Berkli. Më 1710, traktati i tij. Idealizmi absolut. Teoria e Lokut (cilësitë e para të trupave janë shtrirje dhe fortësia, cilësitë e dyta janë shija, era, ngjyra). Këtu u kap Berkli. Berkli arriti në solipcizëm.

Zhan Melie („preni duart, ç‘do të prekni? Hiqini sytë, çdo të shihni?“). Materialistët Lemetri, Didero, Holbah, Helvetius.

Themeluesi i filozofisë klasike gjermane është E.Kanti, midis materializmit dhe idealizmit. Sipas Kantit “Hapësira dhe Koha – jo forma të materies, por të ndërgjegjes”, shkakësia po kështu, sendet në vetvete, imperativi kategorik (etika), teoria agnostike. Dialektika s’ka vetëm karakter mohues “teza dhe antiteza”, por edhe karakter pohues, rëndësia e sintezës në shkencë dhe në mendim (pozitive).

Këtë e bëri Hegeli. Burimi i brendshëm: kontradiktat. Sipas Hegelit (mendimi i E(ngelsit) materia zhvillohet vetëm në hapësirë. Zhvillimi i jetës shoqërore për H. qe vetëm në të kaluarën. Spekulimi për konceptin “frut” si një thelb i mollës, dardhës, qershisë (ky është edhe gabimi gnoseologjik i H.)

Ludvig Fojerbahu. Më 1841 boton “Thelbi i kristianizmit” dhe më 1845 “Thelbi i fesë”. Për F. natyra është baza e gjithësisë, që ekziston. F. bën antropologjinë filozofike, duke futur këtu edhe fiziologjinë, e kthen në një shkencë universale. Hedh poshtë teorinë e Kantit se ndërgjegjja e ndërton botën, si dhe të Hegelit se natyra është tjetërsimi i idesë absolute. F. kritikon “idealizmin fiziologjik” të natyralistit gjerman Myler, i cili e mohonte karakterin objektiv të ndijimeve. Fojerbahu argumenton sensualizmin materialist dhe njohjen e botës. Njeriu është qenie biologjike, si dhe shoqërore. F. ndjek historinë sipas ndryshimeve në fetë. Ai flet për fenë e dashurisë (mbi luftën e klasave) dhe mohon praktikat shoqërore. Tek F. kemi mosvlerësimin e dialektikës.

Teza 11 e M(arksit): “filozofët e kanë shpjeguar botën, por puna është ta ndryshosh atë“.

* Me Frederik Rreshpen tek redaksia e „Dritës“. Më lexoi ciklin e poezive të tij. Më pëlqyen. Biseduam për De Radën dhe kiminë. E mban veten për kimist të zotin. Më pyeti se ç‘po lexoja. Pjerr Reverdynë, i thashë, në frëngjisht. S’e kam dëgjuar, tha. Pastaj më foli për shkrimtarët provincialë të Shkodrës. Po, ja ktheva, por Migjeni e ka quajtur Shkodrën „Dashnoren e shekujve“.

* Migjeni: „I hidhur është Dheu në majën e gjuhës së Kozmosit!“. E pabesueshme. Si metaforat e futuristëve. Metaforë e jashtëzakonshme.Në një nga poezitë Migjeni flet për himnin e “Ilirisë së vjetër”. Migjeni e kishte të qartë etnogjenezën iliro-shqiptare. Kjo është teza e Çabejit. Zbulimet e arkeologjisë prehistorike i kanë vërtetuar dëshmitë ilire, krijimin e etnosit ilir në epokën e bronxit. Migjeni habitërisht është tepër i saktë.

*PIERRE REVERDY(1889-1960 )

Poezitë dhe prozat poetike të përkthyera nga unë të poetit francez  Pierre Reverdy nga libri i tij “Plupart du temps” – (“Me të shumtën e kohës”)Pezi 1915-1922:

 

DIELLI

Dikush sapo u nis

Në dhomë

Qëndron një psherëtimë.

Jeta e shkretë.

Rruga

Dhe dritarja e hapur.

Një rreze Dielli

Mbi barin e gjelbër!

 

KARSHI

Në anë të çatisë

Një re kërcen

Tri pika uji

Varen në ulluk

Tri yje,

Apo diamante,

Dhe sytë tuaj

Të shkëlqyeshëm

Që shohin,

Diellin

Matanë dritares.

Dymbëdhjetë e ditës!

 

SUPRIZË

Në qytet nuk ka asnjeri

Të gjithë ngjiten drejt pyjeve

Disa s’vijnë.

Po ata, që do të vijnë me vonesë

Je ti,

Jam unë!

 

LARG

Atje larg shiu më lag

Ne jemi vetëm

Vetëm hija ime

Dhe unë !

Dhe nata zbret!

 

DIMËR

Në mes të shiut të dendur dhe akullit të asaj nate, kur udha ndriçonte, një burrë i vogël, i veshur me të zeza, e ka fytyrën blu. Është nga të ftohtit? Apo mos është nga zjarri i brendshëm, që ndez alkooli? Por këpucët e tij tepër të mëdha janë të mbushura me ujë dhe sillen rreth shtyllave prej drite. A është ai gëzimi, apo mëshira e vajzave? Çfarë emocioni i rëndë! Cila do të dojë, për ta hequr së andejmi? O, botë, pa mbrojtje, që vazhdon rrugën tënde të vështirë, me të cilën ti tallesh, nuk të kuptoj! E dua ngrohtësinë, komfortin dhe qetësinë. O, botë, që tallesh me to, ti më kall frikën!

 

MË LARG SE ATJE

Në dritaren e vogël, nën tjegullat, shiko! Edhe linjat e syve të mi, edhe linjat e syve të saj takohen! Unë do të kem avantazhin e lartësisë, më tha ajo. Karshi grilat bijen dhe ngrihen dhe vëmendja e bezdisshme fiksohet. Kurse unë kam avantazhin e dyqaneve, që janë për t’u parë. Por më së fundi duhet për t’u ngjitur dhe për të zbritur krahë për krahë. Shkojmë diku, gjetkë, ku askush nuk na shikon.

 

GJITHMONË VETËM

Tymi vjen nga oxhaqet, apo nga pipat tanë? Preferova cepin më të mprehtë të kësaj dhome, për të qenë i vetëm. Dhe dritarja përballë (përkarshi) u hap. A do të vijë ajo?Në rrugën, ku krahët tanë formojnë një urë, asnjeri s’ka ngritur sytë për të na parë, kurse siluetat e shtëpive përkulen.Kur çatitë ngjiten njëra me tjetrën nuk guxon të flasësh. Ke frikë nga të gjithë zërat, oxhaqet shuhen. Bën shumë… natë!

 

SALLA E PRITJEVE, STACIONI I NISJEVE

Një e puthur e buzëve të tua të vdekura dhe largimi i këtij hani (oberzhe) ku unë do të kisha dashur të kaloj tërë jetën time! Por nuk ka oborr, menjëherë hapet rruga dhe pajtonet e zhytur në pluhurin e qetë dhe më i fortë se sa tymrat e trashë. Udhëtimi. Nisjet dhe qetësia. Do të arrijmë! Prandaj do të nisemi! Do të nisemi përjetësisht nga rrugët, gjithmonë të njëjta. Do të nisemi, pavarësisht nga rrugët.Dhe pemët, shtyllat telegrafike, shtëpitë do të marrin formën e moshave tona.

 

UDHËTARI DHE HIJA E TIJ

Bënte kaq vapë sa që ai gjatë ecjes i linte teshat e veta një e nga një. Ai i linte ato mbi kallama. Dhe kur ai u bë fare lakuriq ju afrua qytetit. Një turp pa limit (i madh) e mbërtheu dhe e pengonte të hynte në qytet. Ai ishte lakuriq. Si mund të tërhiqte shikimet?Ahere ai i ra rreth e rrotull qytetit dhe hyri nga një derë anësore. Ai kishte zënë, në fakt, vendin e hijes së tij. Hija kishte kaluar përpara tij në qytet. Dhe e mbronte tani.

 

YLLI I BUKUR

 

Ndoshta do ta kem humbur çelësin. Dhe të gjithë qeshin rreth meje dhe secili më tregoi një çelës të madh, të varur në qafë. Jam i vetmi, që s’kam asgjë, për t’u fshehur diku. Po ata të gjithë janë zhdukur dhe dyert e mbyllura e bëjnë rrugën të trishtueshme. Asnjeri prej tyre. Do të trokas kudo! Sharjet shpërthejnë nga dritaret. Pastaj shuhen. Ahere pak më tutje, nga qyteti, buzë një lumi dhe një pylli, gjeta një derë shtëpie. Një derë e thjeshtë. E rrethuar me kangjella. Transparencë. Pa bravë. U vendosa mbrapa derës. Në natën që nuk ka dritare për perde të mëdha. Midis pyllit dhe lumit, nën yllin e bukur, që më mbronin, kam mundur të fle!

 

31 DHJETOR 1970

 

Sot, e enjte, 31 dhjetor 1970. Në mëngjes tek gazeta “Adriatiku”. Bëra skicën e pushkës së ujit për zhytjet nën det. Po shkruaj, duke dëgjuar radion. Nëna shtroi tryezën. Me grafikën e natës dhe të dritave tani e ndjej veten edhe zë edhe heshtje, edhe strukturë urbane edhe mendim, edhe pemë edhe ajër. Rilind në çdo zjarr dhe në çdo dallgë. Përshëndetje Pol Elyar! Horizontet nuk mbyllen dot në konserva! Shpërthen muzika.Jam bir i dy shekujve (XX dhe XXI). Një Poemë për një Fundvit: 30 vjet në të Ardhmen:

 

31 DHJETOR 1999!

Unë jam i ndërmjetëm, një Centaur,

Gjysma ime e kaluar – shekulli 20.

Gjysma ime e pafilluar – shekulli 21

 

Jam i dyzuar

Në Hapësirë dhe në Kohë!

 

Në Hapësirë do t’i kem shtuar jetës fëmijë,

Do të kem shumëzuar profilin,

Gjakun tim

Dhe të së dashurës time,

 

Kush do të jetë ajo?

 

Rinia ime Fenikse

Shfaqet në degët e lulëzuara

Kurse unë, rrënjë e pemës

Jam i lumtur!

 

Sonte po pi në këtë gotë

Agimin e Ri të shekullit!

 

Shekulli 20,

Ti s’mund të më mbash mua  nën sqetull,

Siç mbahet një libër,

Qoftë ky dhe i Ismail Kadaresë.

 

Po unë vetë mbaj

Radiostacionet,

Kozmodromet

Dhe kryeqytetet e botës!

 

Jam Atlasi i miteve,

Mbaj të Ardhmen e njerëzimit

Dhe njëkohësisht jam  gati, i pafuqishëm,

Për supet e brishta!

 

Si ta përfytyroj

Shekullin e ri?

 

Fantazia tendoset

Për pamjet

Dhe transfigurimet.

 

Fantazia ime, shpesh efemere,

Lind dhe mplaket në moment !

Para enigmave të shekullit 21,

Ah, fantazia!

E verbër?

 

31 dhjetor 1999!

A do të jem vallë i gjallë?

Ç’familje do të kem krijuar!

Ç’më rezervon Koha?

 

Me një ndjesi naive

Unë kërkoj

Në shpellat e folklorit

Pasqyrën magjike !

 

Jo, si Mefistofelit,

Koha s’më tregon mua

Të Ardhmen e largët,

Po më ndihmon

Përfytyrimin !

Dhe grish

Imazhet !

 

Unë krijoj

Një film të së Nesërmes

Me xhirime dhe kuadro,

Të së Ardhmes,

(Që s’i ngjan!)

 

Nëqoftëse do të kem vdekur

(50 vjeç!)

Kërkomëni!

Kërkomëni!

 

S’jam Omar Khajami,

Që ngjallet

Nga vera e pavdekshëm

E derdhur mbi varr!

 

Gjemëni!

Gjemëni!

Në buzët e të dashuruarve,

Nën yjet e plazheve

Dhe orleandrat plot muzg!

 

Gjemëni! S’është nevoja të më kërkoni,

Mos më kujtoni fare,

Sepse unë

Do të jem vetja juaj

Dhe ju gjithçka timja!

 

Gjemëni! Në ekranet e shekujve

Unë do të jem filmi

Dhe ju aparati kinematografik!

 

Fytyra ime prej guri

Do të metamorfizohet

Në arkitektura qytetesh,

Ashtu si materiali brut i mermerit

Përpunohet nga artisti!

 

Fytyra ime!

E përkohshmja!

Po më e gjallë se Vdekja!

 

S’ka gjë më të përjetshme

Se sa Vdekja!

 

Deri sa ekziston ajo,

Njerëzimi s’është zhdukur !

 

Planeti përherë lind të dashuruarit e rinj

Midis materniteteve

Dhe krematoriumeve.

Midis akujve

Dhe pemëve !

 

Jeta ime në brigjet e dy shekujve.

Si oqeani ende pa emër

Në një hartë

Ende e pabërë

Nga zbuluesit e lundrimeve.

 

Dallgë sanguine, vetëtima epike

Dhe shtrëngata muzikore.

Në cilin nga brigjet

Është dhe Vdekja

Si një toponim?

 

Do të mbjell tokën!

Do të mbjell tokën!

Vetja ime

Me rrënjët e duarve të nëndheshme.

Do të çelë Pemën fantastike,

Të qyteteve plot xhama të kaltër,

Ku puthen pasqyrimet tona,

E dashura ime … e së Ardhmes!

 

Pasqyrimet!

Në fakt ne jemi

Vetë Pasqyra e Kohës!

 

Fytyrat do të na jenë edhe të të tjerëve,

Të ngjashëm,

Me identitetin e tyre universal.

 

Qofsha për brezat, që do të vijnë,

Si aeroporti për avionët!

Qofsha si porti,

Për anijet e çuditshme !

 

Qofsha !

Qofsha !

 

A do të ketë ardhur komunizmi

Mbi të gjitha atavizmat?

Ashtu si nga majmuni

Njeriu ?

 

Si në një zinxhir nekluar

Sekondat zbërthejnë

Me infinit njëra tjetrën-

Shpërthimi i fundit

Është fishekzjarri i Përjetësisë!

 

Jeta ime ka energjinë,

Që lëviz raketat,

Për fluturimet në Hënë!

 

O, banorë të planetëve të panjohur!

Ju dua, ju dua!

Jemi të ngjashmit e mendjes dhe mendimit!

Ju dua, ju dua!

Nga kozmosi,

Më përshëndetni

Të gjithë !

 

Akrepat e orës bashkohen

Si pjesët e bërthamës së atomit !

Befas bëhem

Shpërthimi kozmik

I Tokës!

 

(Ndryshe nga çdo Hiroshimë!

Fuqi e Tej-jetës!

 

Më me kuptim,

Se harakiri i japonezëve

Në kraterin e Fuxhijamës !)

 

Ndoshta në të vërtetë

Jam i përkohshëm

Si shkuma

Në dallgët e Kohës !

Po Atlantidën e gjej, e gjej,

Edhe në akuariumin e dhomës.

 

Dhe nga nëntokat

E të tërë planetëve,

Arkeologët e Kozmosit,

 

Si një statujë do ta nxjerrin,

Kujtimin tim

Nga lashtësitë!

FUND

 

Share This Article
1 Comment
  • Gjella me kripe dhe kripa me karar eshte formula e balances i nderuar Zeqo. gazeta eshte si aspiratori qe perthith çdo gje por ti kije maturine qe te shmangesh tepërine.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *