Kur kanë mbetur edhe vetëm pak orë nga nisja e finales së UEFA Conference League që do të luhet mes ekipit italian të Romës dhe ekipit hollandez të Feynord, autoritetet e shëndetit në vendin tonë kanë shpallur edhe planin e masave të gatishmërisë shëndetësore në rast se do të nevojitet ndihma e ekipeve mjekësore.
Sipas autoriteteve të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale plani parashikon përforcimin e shërbimit të autoambulancave që do të shpërndahen në pikat më të rëndësishme të kryeqytetit dhe jo vetëm pranë stadiumit ku do të luhet ndeshja. Gjithashtu është konfirmuar edhe hapja e tre pavijoneve të dedikuara në spitalet universitare, teksa janë dyfishuar edhe ekipet mjekësore që do të jenë gjendje gatishmërie. I gjithë shërbimi do të koordinohet nga Urgjenca Kombëtare.
Teksa ka inspektuar mëngjesin e djeshëm Qendrën Kombëtare të Urgjencës Mjekësore, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirli foli për gatishmërinë e përforcuar të autoambulancave, spitaleve, si dhe ekipeve mjekësore që do të jenë në shërbim të tifozëve dhe qytetarëve përgjatë gjithë ditës.
Referuar planit të hartuar nga autoritetet shëndetësore bëhet e ditur se masat janë marrë që përpos 9 autoambulancave që do të jenë në postacionet fikse të përcaktuara, do të jenë edhe 7 autoambulanca të tjera shtesë, të cilat do të qëndrojnë në qarkullim. Kështu, emergjencat shëndetësore në Tiranë do të përballohen me kapacitete të shtuara, sepse gatishmëria do të jetë e shtuar.
Nga ana tjetër, edhe ekipet mjekësore, të cilat do të vendosen në stadium, janë 8 ekipe që janë përgatitur me mjekë, infermierë që do të jenë brenda në stadium për të foruar ndihmën e parë në çdo rast që do të jetë e nevojshme. Autoritetet e shëndetit kanë sqaruar më tej se janë gjithashtu edhe autoambulancat jashtë stadiumit, të cilat kanë mundësi që të transportojnë, në rastet që mund të ketë ndonjë emergjencë shëndetësore.
Përveç autoambulancave të Urgjencës Kombëtare, janë edhe tre spitalet universitare në Tiranë do të jenë në gatishmëri të shtuar me shtretër të dedikuara për rastet emergjente që mund të paraqiten. “E rëndësishme është që spitalet janë bërë gati. Qoftë Spitali i Traumës që tashmë ka vënë një pavijon me kapacitete të dedikuara, për të patur lehtësinë që të gjitha rastet që do të ketë, pra të transportuar nga Urgjenca Kombëtare, të kenë edhe një pavijon të dedikuar. Po ashtu edhe Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” është në gjendje gatishmërie me pavijonin e toksikologjisë edhe me shërbime të tjera, të dedikuara për të ofruar shërbim, si dhe spitali “Shefqet Ndroqi”, ku dhe aty kemi pavijone të dedikuara. Por mbi të gjitha ekipet janë në gatishmëri dhe janë përforcuar, duke u dyfishuar”, ka konfirmuar ministrja Manastirliu.
Për natën finale janë përcaktuar edhe zonat ku do të grumbullohen tifozët e ndryshëm, për të cilat Manastirliu tha se edhe aty do të ketë autoambulanca për të qenë në gatishmëri në çdo moment. “Plani është i qartë edhe për Fan Zone. Edhe aty është bërë një organizim. Qoftë në afërsi të liqenit, qoftë tek rruga “Murat Toptani” dhe qoftë në Sheshin “Skënderbej” do të kemi autoambulanca të shtuara. Por, edhe të gjitha njësitë e tjera të urgjencës, pra autoambulancat në shërbim do të vijojmë të kemi shërbim të dedikuar për çdo urgjencë tjetër që të jetë në Tirane”, bëri me dije ministrja Manastirliu.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, ka ndërmarrë një plan të detajuar masash për përballimin e çdo emergjence të mundshme shëndetësore, për mbarëvajtjen e ndeshjes finale të UEFA Conference League që do të zhvillohet mbrëmjen e sotme në Tiranë. Organizimi me Urgjencën Kombëtare është bërë në mënyrë të tillë që të mbulohet shërbimi mjekësor me 7 postacione në stadium (me ekipe mjekësh dhe infermierësh), si dhe 8 ekipe të tjera të lëvizshme mjekësh dhe infermierësh, për çdo emergjencë.
Përveçse në stadium, janë marrë masa për të shtuar postacionet e autoambulancave në zonat ku do të stacionohen tifozët, si dhe në pikat kyçe të qytetit. Do të jenë 16 autoambulanca në gatishmëri në Tiranë. Është organizuar shërbimi në spitalet universitare me ekipe mjekësore shtesë në spitalin e Traumës, “Shefqet Ndroqi” dhe në QSUT. Janë marrë masa për të patur pavijone të dedikuara në të tre spitalet universitare të Tiranës në rast të një fluksi potencial të rasteve që do të kërkojnë ndihmë mjekësore. Janë siguruar barnat dhe materialet mjekësore të nevojshme për çdo emergjencë. Ministria e Shëndetësisë ka rikujtuar se 127 është numri unik, ku mund të telefonohet për çdo emergjencë shëndetësore.
