Ministria e Financave ka nisur fazën e parë të shqyrtimit të kërkesave nga institucionet e ndryshme për buxhetin e vitit të ardhshëm. Sic konfirmohet nga drejtues të kësaj ministrie, kërkesat e këtyre institucioneve janë më të larta se buxheti i këtij viti. Negociatat pritet të zgjasin dy javë, e më pas do të nisë faza e shqyrtimit të dokumentacionit të mbledhur me pretendimet e çdo institucioni. Drafti përfundimtar parashikohet të jetë gati në fillim të muajit shtator, nga ku pritet të dalin në dritë dhe hollësitë e ndarjes së buxhetit. Por para se të kalohet në këtë fazë, buxheti i vitit aktual ka treguar se ka mosrealizim të të ardhurave nga administrata fiskale me rreth 1,5 miliard lekë, çka pritet të sjellë edhe ndryshime në zërat e këtij dokumenti në muajin korrik. Në pak fjalë asgjë nuk mbetet brenda parashikimeve për vitin që jemi, duke e korrigjuar buxhetin ende pa e vënë në zbatim atë. Në këtë formë buxheti i vitit të ardhshëm do të jetë shumë i vështirë për tu parashikuar, duke mos harruar gropën ku është katandisur ekonomia shqiptare këto vitet e fundit.