Përfaqësuesit e FMN-së ju kërkojnë nga ministrat shqiptarë të paraqesin sa më parë cdo kërkese të qeverisë shqiptare për të adresuar problematikat e krizës dhe për të gjtur zgjidhjen për ekonominë e vendit
Situata e rënduar financiare e vendit tonë, mbetet kryetema e bisedimeve të qeveritarëve mes njëri-tjetrit, me publikun dhe me të huajt. Edhe pse zgjidhja pritet të jetë në një afat të mëvonshëm, ajo që diskutohet këto ditë është se si do të shkohet në këtë zgjidhje. Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore prej kohësh kanë paralajmëruar situatën nëpër të cilën po kalon aktualisht Shqipëria, por shqetësimi i tyre është rritur dhe më tej, kur në muajin shtator një grup ekspertësh të këtyre institucioneve kaluan në “skaner” financat shqiptare. Këtë shqetësim ata jo vetëm e ndanë në Shqipëri me drejtuesit kryesorë të financave shqiptare, por e kanë përforcuar dhe më tej që nga Washington DC, ku ministrat shqiptarë po kryejnë një vizitë disa ditore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Gjatë qëndrimit në Ëashington DC për takimet e përvitshme të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, delegacioni shqiptar i përbërë nga Ministri i Financave, Shkëlqim Cani, Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj dhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, kanë patur një takim të nivelit të lartë me Zv.Drejtoren e Përgjithshme të Fondit Monetar Ndërkombëtar, Dr. Nemat Shafik. Gjatë këtij takim zonja Shafik, ka treguar shqetësim për gjendjen aktuale të financave publike në Shqipëri si edhe per borxhin. Sipas saj qeveria duhet të ndërhyjë menjëherë dhe në mënyrë të vendosur për të ndryshuar gjëndjen aktuale në favor të Shqipërisë. Zonja Shafik ka shprehur interesin e FMN për t’iu përgjigjur sa më parë cdo kërkese të qeverisë shqiptare për të adresuar problematikat e krizës. Ministrat e kabinetit Rama në këtë takim janë shprehur për paketën e masave që synon të marrë në mënyrë të menjëhershme qeveria shqiptare. Kjo paketë masash e cila është përgatitur edhe me ndihmën e FMN dhe Bankës Botërore, si edhe pas konsultimeve me grupet e interesit, synon të zgjidhë problemet më imediate ekonomike dhe të financave publike. Sipas Ministrit Ahmetaj, me të gjithë hapat që do të merren më anë të buxhetit të vitit të ardhshëm synohet të arrihet reduktimi i borxhit publik nga 72 për qind në nivelet pranë kufirit 60 për qind deri në vitin 2018, duke kthyer ritmet e larta të rritjes ekonomike. Ministri Ahmetaj theksoi gjithashtu se qeveria është e gatshme të zgjidhë disa nga problemet më afatgjata të ekonomisë shqiptare, duke ndryshuar në thelb modelin ekonomik të vendit, nga një model rritjeje bazuar tek borxhi, në një model rritjeje bazuar mbi prodhimin lokal dhe investimet nga sektori privat. FMN ka theksuar mbështetjen për nismat e qeverisë dhe gatishmërinë për të bashkëpunuar për ta nxjerrë Shqiperinë nga kjo gjëndje.
Si u shpreh FMN në fund të shtatorit për financat shqiptare
Fondi Monetar Ndërkombëtar zyrtarizoi në fund të muajit të kaluar pritshmëritë ekonomike të vendit tonë, gjendjen e buxhetit dhe borxhit publik. “Është një situatë me ekuilibra të rëndë ekonomikë. Ne shikojmë dobësi në ekonomi dhe presim që në vitin 2013, rritja ekonomike të jetë 1.7%. Problemet kryesore vijnë nga sistemi fiskal. Shikojmë devijime të politikës fiskale, sidomos në pjesën e parë të vitit, veçanërisht nga mos realizimi i të ardhurave dhe shtimi i shpenzimeve, si dhe detyrime të akumuluara të pashlyera. Buxheti ka ardhur duke u përkeqësuar dhe misioni në një vlerësim paraprak për detyrimet e prapambetura në sektorin e transportit publik, shëndetësi, arsim etj, shuma e detyrimeve shkon rreth 56 miliardë lekë”, u shpreh përfaqësuesi i FMN, Nadeen Ilahi. Po kështu sipas përfaqësesit të FMN borxhi publik është në nivele të larta dhe situata ekonomike imponon reforma në fushën e taksave, jo vetëm në administrim, por edhe në politika tatimore. “Kjo do të thotë që duhet përcaktuar një objektiv afatmesëm për të ulur borxhin, por nga ana tjetër duhet marrë parasysh se për shkak të dobësimit të ekonomisë masa nuk mund të jetë shumë agresive. Kështu që këshilla jonë është që autoritetet të ulin defiçitin fiskal duke nisur nga viti 2015. Kjo do të thotë përsëri se vitin tjetër duhet të ketë një përpjekje të konsiderueshme dhe në termat e korrektimit fiskal. Duhet filluar reforma në fushën e taksave se aty përkeqësimi ka qenë shumë i shpejtë, jo vetëm në administrim por dhe në politikat tatimore”.

jo…………jemi rrot me rrot me germany, i raft gurit e murit.