Fink: Kukësi skuadër e fortë, na duhet një gol i shpejtë

redaktor

Optimizëm, besim por në të njëjtën kohë edhe frikë për një eliminim të parakohshëm nga Europa League. Te Austria e Vienës i tremben Kukësit pas paraqitjes së mirë që bënë verilindorët në ndeshjen e një jave më parë të zhvilluar në “Ernst Happel Stadion” të Vienës.

Formacioni vjollcë i dha dorën e fundit përgatitjeve për ndeshjen e kthimit që do të zhvillohet këtë të Enjte në “Elbasan Arena”. Ndryshim axhende i Austrisë së Vienës me skuadrën austriake që stërvitjen e fundit përpara ndeshjes e zhvilloi në ambientet e stadiumit “Selman Stërmasi” në kryeqytet dhe jo në “Elbasan Arena”.

Gjithçka nisi me një fjalim të trajnerit Thorsten Fink, i cili kërkoi të motivonte në maksimum futbollistët e tij, ndërkohë që pas lojtarët nën drejtimin e përgatitësit atletik zhvilluan disa ushtrime të lehta aerobike. Austria nuk ka probleme më dëmtimet dhe në konferencën për shtyp trajneri Fink bëri të ditur se edhe portieri Robert Almer, i cili mungoi në ndeshjen e parë është i gatshëm për të luajtur ndaj Kukësit.

“Gjendja e skuadrës time është më e mirë se një javë më parë. Jemi të avantazhuar pasi vijmë në Shqipëri pas fitores 1-0 në ndeshjen e parë, por asnjëherë nuk duhet të besojmë, për t’u kualifikuar kemi ende shumë punë. Kukësi është një skuadër e mirë dhe që di të shfrytëzojë cilësitë që ka. Me afrimet e fundit në skuadër ata janë një ekip me më shumë potencial dhe këtë e treguan edhe në ndeshjen e parë që u zhvillua në Austri.

Megjithatë ne kemi ardhur këtu për të arritur objektivin tonë që është kualifikimi. Do të bëjmë maksimumin për të shënuar një gol të shpejtë dhe për të qenë të qetë më pas, kjo do të jetë parësore për ne këtë sfidë. Nuk do të luajmë të tërhequr prapa, për të mbrojtur avantazhin e ndeshjes së parë. Nuk kemi dëmtime dhe kjo është pozitive të gjithë lojtarët janë gati për të luajtur përfshirë edhe portierin Robert Almer i cili pritet të në japë një ndihmë të madhe në këtë sfidë”.

Thorsten Fink i cili në të kaluarën ka drejtuar edhe Baselin apo Hamburgun ndërsa si lojtar ka luajtur për pjesën më të madhe të karrierës së tij me Bayernin, ashtu si të gjithë ka mbetur i surprizuar nga paraqitja e Kukësit në ndeshjen e parë. Trajneri i Austrisë së Vienës edhe pse e di që eliminimi do të ishte një dështim, nuk i zë besë Kukësit.

“Në Europian skuadra si Uellsi apo Islanda treguan që në futboll gjithçka mund të ndodhë. Të them të drejtën më surprizoi paraqitja e Kukësit në ndeshjen e parë, prandaj duhet të tregohemi të vëmendshëm ndaj tyre. Eliminimi që në këtë ruand normalisht që do të ishte një dështim pasi ne duam të shkojmë larg në këtë kompeticion por në Europë nuk ka skuadra të lehta. Emri i madh nuk vlen pasi kualifikimin duhet ta arrish në fushën e lojës”.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *