Gjyqi i Kadri Hazbiut. Seanca e 15.
Fiqreti: ’Nuk desha ta nxjerrë Kadriun në fillim, me qëllim të ruhej grupi. Por tani po flas hapur: Mehmeti ishte kryetar i grupit armiqësor, por të gjitha fijet i lëvizte Kadriu”
(Vijon nga numri i kaluar)
Në seancën e 15-të, përballja mes të arrestuarve Fiqret Shehu e Kadri Hazbiu, shënon debatin më të ashpër të gjyqit maratonë të Kadri Hazbiut e bashkëpunëtorëve të tij, akuzuar për “Tradhti ndaj Atdheut në formën e spiunazhit në dobi të agjenturave të huaja”. Ajo e akuzon Kadriun si personin që i solli në shtëpi urdhrin e vetëvrasjes Mehmet Shehu në orët e vona të 17 dhjetorit 1981. “O Kadri Hazbiu! Je Judë, më shkatërrove familjen! Nuk desha ta nxjerrë Kadriun në fillim, me qëllim të ruhej grupi. Por tani po flas hapur: Mehmeti ishte kryetar i grupit armiqësor, por të gjitha fijet i lëvizte Kadriu”- pohoi Fiqreti në këtë seancë…
Vijon seanca e 15.
Kryetari:(Aranit Çela):– Mirë i pandehur Feçor Shehu, shko në vend. I pandehur Kadri Hazbiu….
Kadriu:- A janë të vërteta ato shpjegime që Fiqret Shehu ka dhënë në proces për sa i përket vajtjes sime më 17 dhjetor të vitit 1981 në shtëpinë e tradhtarit Mehmet Shehu ku ishte dhe kjo? A janë të vërteta ata që kjo ka thënë në procesverbal?
Fiqreti:- Ato i thashë edhe këtu, janë të vërteta.
Kadriu:- Janë të vërteta! Në vijim të kësaj desha të bëj një pyetje: Nga ç’portë erdha unë?
Fiqreti:- Nuk e di se nga ç’portë erdhi, atë e ka pritur Ali Çenua, duhet ta dijë Ali Çenua…..
Kadriu:- Po ju, Ali Çeno, po. Po dhe ju thoni në procesverbal që prita në korridor. Nuk e patë nga ç’portë erdha unë?. Se korridori…, tani kupton, është kryqëzimi i këtyre dy dyerve. Edhe për saktësi, është e drejtë të thoni. Nga ç’portë erdha?
Fiqreti:- Nga ç’portë hyri!?. Ku e di unë!. Shtëpia jonë kishte dy hyrje. Ishte hyrja kryesore, ishte hyrja…..
Kryetari:– Ti ku e takove këtë?
Fiqreti:- Në korridor, në korridorin e madh në katin e parë. Prej aty e çova në zyrën e Mehmet Shehut.
Kadriu:- Më falni, edhe një herë insistoj në këtë që ju të shpjegoheni se nga ç’portë erdha? Sa porta ka shtëpia juaj për të hyrë!? Se të tëra këto porta në katin e parë të shpien në korridor. Deri sa ti prisje në korridor në të njëjtën kohë pe edhe nga ç’portë erdha unë. Të lutem shumë, e shpjegoni këtë?
Fiqreti:- Ne kishim dy porta kryesore. Një hyrje tek rinte roja dhe një anësore nga shtëpia e Partisë. Nga shtëpia e Partisë nr 1 zakonisht hynin personeli dhe njerëzit e kuzhinës. Ne përdornim hyrjen kryesore.
Kryetari:– E ke të qartë nga hyri?
Fiqreti:- Jo nuk e kam, se Mehmet Shehu, meqë isha e sëmurë, më tha mos zbrit fare. Unë zbrita, dhe në kohën që po zbrisja nga shkallët në korridor, aty e takova….
Kadriu:- Megjithatë, ka mundësi ta konstatoje. Thuaj që s’dua ta shpjegoj. Mirë, mirë.… A kishit, a kishte urrejtje Mehmet Shehu atë natë siç thoni në procesverbal ju… Qëndroni në atë?
Fiqreti:- Po.
Kadriu:- Kishte. Kishte urrejtje, thoshte ‘A Kadri ç’më bëre!”. E kishte këtë? E konsideroni ju urrejtje ndaj meje këtë?
Fiqreti:- Unë e kam thënë…
Kadriu:- Po, ose jo, nuk më duhen mua hollësira.
Kryetari:– Urrejtje a inat, çfarë e quani?
Fiqreti:- Ka një gjë, që Mehmet Shehu ka thënë që ne e kemi kurdisur këtë. Domethënë, kemi bërë vijën e sjelljes.
Kadriu:- Po ke thënë edhe ti. Thuaje si ke thënë.
Fiqreti:- Kam thënë o Kadri Hazbiu, si Judë u solle ndaj meje!
Kadriu:- Domethënë, ai kishte një urrejtje ndaj meje në këtë….
Fiqreti:- Jo, unë kam thënë që Mehmet Shehu…
Kadriu:- Jo ç’ke thënë, unë po pyes….
Fiqreti:- Mehmet Shehu ishte i mërzitur ndaj qëndrimit tënd me dy faqe, megjithëse vijën e sjelljes e kishit bërë së bashku. Dhe nga një anë sulmoje Mehmet Shehun, nga ana tjetër i solle përgjigjen e agjenturës sovjetike natën e 17-ës. Qe një qëndrim i dyfishtë.
Kadriu:- Mu përgjigj pyetjes sime!
Fiqreti:- Ja, përgjigja është kjo…
Kadriu:- Mu përgjigj pyetjes sime. Ishte kjo urrejtje e Mehmet Shehut, urrejtje kjo ndaj meje?
Fiqreti:- Kjo ishte punë agjenturore, qe kurdisur dhe qe caktuar vija e sjelljes. Po kishte momente që për çështje personale, si njëri, dhe tjetri, kush të ishte i pari. Në këtë rast, goditej Mehmet Shehu direkt nga Kadri Hazbiu. Prandaj ai thoshte: ‘O Kadri Hazbiu ç’më bëre, ti je Judë!
Kadriu:- I nderuar trupi gjykues! Unë e kam shumë të qartë dhe s’dua shumë fjalë. Si rrjedhim i këtij qëndrimi në Mehmet Shehut, tek kjo u krijua një urrejtje ndaj meje? Po, ose jo!
Fiqreti:- Nuk kam pasur ndonjë urrejtje.
Kadriu:- Në këtë rast, u krijua apo s’u krijua?
Fiqreti:- Pasi vrau veten, po.
Kadriu:- U krijua?
Fiqreti:- Pasi vrau veten.
Kadriu:- Boll, boll, boll. Faleminderit!
Fiqreti:- Jo urrejtje. Jo më fal, më fal. Dale ti mos e ngri zërin për të na frikësuar, se nuk frikësohemi kollaj.
Kadriu:- Jo, moj… Je trimëreshë ti këtu!?
Fiqreti:- Unë në seancat hetimore kam thënë, që në momentin e parë unë e kam mbrojtur Kadri Hazbiun. Dhe e kam mbrojtur pikërisht për këtë çështje.
Kadriu:- Të lutem shumë trup gjykues dhe kryetar, unë e mora përgjigjen. Domethënë, pasi vrau veten Mehmet Shehu, filloi të më urrejë.
Fiqreti:- Një moment. Pastaj kam mbajtur qëndrimin që kam mbajtur dhe që është në procesverbale.
Kadriu:- Është tjetër punë. Të shënohet kjo, sipas rregullit.
Fiqreti:- Me insinuata, i nderuar trupi gjykues, nuk duhet vepruar.
Kryetari:– Po mirë, atij i duhet ajo.
Fiqreti:- Jo, se ai thotë mos përdor shumë fjalë, dhe unë… Po na mbyt me fjalë vetë dhe s’na le të dëgjojmë.
Kadriu:- Ke mbetur keq, ke mbetur keq!
Kryetari:– Më tutje.. Ke tjetër Kadri?
Kadriu:- Pllakë gramafoni e kurdisur, jo, vazhdo. Për ruajtjen e forcave pas Konferencës së Tiranë. Qëndroni ç’keni thënë në procesin e mëparshëm të dhjetorit, apo në këto që thoni tani?
Fiqreti:- Ç’do me thënë procesi i më parshëm?
Kadriu:- Domethënë, si është zhvilluar biseda me mua për ruajtjen e forcave pas Konferencës së Tiranës. Qëndroni në atë çfarë keni thënë në procesin e mëparshëm të dhjetorit apo në këto që thoni tani?
Fiqreti:- Çfarë kam thënë në procesin e mëparshëm?
Kadriu:- Nuk e di. Unë pyetjen e kam të qartë, thuaj që qëndron në këtë ose në atë.
Kryetari:- Ka ndonjë ndryshim në lidhje me atë që ke thënë dhe në këtë?
Fiqreti:- Nuk kam ndonjë ndryshim. Edhe këtu, nuk thashë ndonjë gjë tjetër veç atyre.
Kadriu:- Mirë, në qoftë se nuk ka ndonjë ndryshim….
Kryetari:– Domethënë nuk u bën ndryshim thënieve që ke bërë në proces?
Fiqreti:- Edhe këtu nuk bëra ndonjë ndryshim.
Kadriu:- Jo, ndryshim ka. Po në cilin jeni?
Fiqreti:- Asnjë ndryshim nuk kam bërë. Fjala, mund të jetë ndonjë fjalë tjetër, po përmbajtja është e njëjtë.
Kadriu:- A e konsideron shpifje atë që ka bërë për Nesti Nasen për 8 muaj rrjesht, e i hoqi, mi dha mua? Si e konsideron?
Fiqreti:- Unë kam bërë një proces të posaçëm lidhur me atë çështje, dhe kam shpjeguar pse në fillim thash për Nesti Nasen. Në fillim, unë s’kam dashur ta jap Kadri Hazbiun një kohë të gjatë, megjithëse kisha luftë në vetvete, pikërisht se ishte ndihmësi dhe personi që vinte imedialisht pas Mehmet Shehut, një nga kryesorët e grupit tonë. Prandaj, edhe unë kështu bëra, për të mos dhënë Kadri Hazbiun, për ato arsye që kam shpjeguar në procesverbal, pra, që janë dy kryesoret.
E para, se unë shpresoja që Kadri Hazbiu, mund të vinte koha që të na përkrahte ne, mua dhe fëmijët e mi. E dyta, se kisha frikë se po të thosha gjë për Kadri Hazbiun, ky mund të hakmerrej. Se mund të ishte bërë e të kishte marr ndonjë pozitë më të lartë, sekretar i Komitetit Qendror, a zëvendëskryeministër. Se djali i xhaxhait të tij, Pirro Dautaj, ishte hetuesi kryesor i imi. Dhe do t’i shkonte fjala, dhe pra, kishte rastin që të hakmerrej. Për të gjitha këto, por kryesisht për ta ruajtur Kadri Habiun, unë thashë për Nestin… Edhe Nesti, ishte e është një nga anëtarët e organizatës. Unë nuk futa një njeri të pa qenë.
Kadriu:- Unë nuk dua këtë, se e kam lexuar në procesverbal. Unë dua të di, dedikimi i Nesti Nases, domethënë në ngarkim të Nesti Nases për 8 muaj rresht i këtij misioni, që vajti në shtëpi dhe shpuri përgjigjen e ambasadës sovjetike, nga ana e kësaj, si e konsideron? E konsideron shpifje kjo? Thjeshtë, po ose jo.
Kryetari:- Si e konsideron?
Fiqreti:- Jo, nuk është aq e thjeshtë sa e bën Kadri Hazbiu, nuk është e vërtetë… Gjithë të tjerat janë të vërteta. Unë s’e kam thënë për të mbrojtur Kadri Hazbiun për qëllimet tona armiqësore…
Kadriu:- Domethënë, ke shpifur!
Fiqreti:- Unë s’them që kam shpifur.
Kadriu:- Po mos thuaj, por shpifje është. Në proceset e saj të mëparshme, ka thënë këtë që tha këtu, se unë vajta në një rast, nuk e di se si e shpjegoi këtu, vajta mora kontakt me Svetozar Kokiçin. E kam thënë në proceset e mëparshme, apo e thotë këtu?
Fiqreti:- As këtu nuk thashë që vajti mori kontakt me Svetozar Kokiçin, por ka qenë një lidhje me Svetozar Kokiçin.
Kadriu:- Le të shikohet procesi që u mbajt këtu, se tha ekzakt, nuk më kujtohet rasti, që për një çështje, para se sa të vinte, vajti u mor vesh me Zvetozar Kokiçin. Domethënë, i tha tani…
Fiqreti:- Jo, jo. Vajti mori vesh, po para se të shkonte tek Sekretari i Parë i Komitetit Qendror, ka marr dhe aprovimin e zbulimit jugosllav. S’kam zënë në gojë as Zvetozar Kokiçin në këtë rast…
Kadriu:- Këtu, them, këtu. Të shikohet procesi.
Fiqreti:- S’kam thënë për Svetozar Kokiç.
Kadri Hazbiu:- Për Beqir Ballukun si të deleguar në Konferencën e Tiranës, thua që e mësova nga Mehmet Shehu, që do vijë i deleguar Beqir Balluku. Është e vërtetë kështu? Qëndron kjo, domethënë që këtë e ke marr vesh nga Mehmet Shehu.
Fiqreti:- Mehmet shehu më ka thënë që i deleguar në Konferencën e Tiranës do të jetë Beqir Balluku.
Kadriu:- I lutem trupit gjykues, i lutem ta mbajë në evidencë këtë çështje lidhur me deponimet e Mihallaq Ziçishtit për këtë problem. Kjo thotë që u kaluan caqet në Konferencën e Tiranës, dhe thotë, në të njëjtën kohë, se pikësynimet e armiqve në Konferencën e Tiranës ishin triumfi i vijës së Kongresit të 20-të të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik. Kongresi i 20-të kërkonte një përmbysje, një revizionim komplet të vijës së Partisë dhe përmbysjen e udhëheqjes që e kishte prirë këtë vijë. Tani, kjo thotë, u kaluan caqet. Cilat ishin caqet, se çfarë kërkoi Konferenca e Tiranës, cilat ishin caqet që u kaluan?
Fiqreti:- E kam të qartë pyetjen dhe përgjigjet i kam dhënë hollësisht në hetuesi, sikurse edhe përpara trupit gjykues. Konferenca e Tiranës do të zhvillohej mbi bazën e Platformës së Kongresit të 20-të. Por kjo punë, sipas udhëzimit tonë, nuk do të bëhej hapur, por do të bëhej e kamufluar, duke u goditur vija e Partisë e udhëheqja e saj. Pra, në mënyrë të kamufluar. Ndërsa aty dolën persona edhe bënë pyetje, e në diskutime kërkuan direkt rehabilitimin e Koçi Xoxes dhe rehabilitimin e Jugosllavisë, duke thënë që zbatoheshin Tezat e Kongresit të 20-të. Udhëzimi nuk ishte ky. Por duhej goditur me marifet, për të përgatitur terrenin që Kongresi i 3-të i Partisë, të zhvillohej si një Kongres i 20-të në miniaturë. Por aty të shpërthente…
Kadriu:- Këto ishin caqet sipas kësaj. Kjo thotë, në procesverbal dhe këtu. Lidhur me çështjen e Panajot Plakut, thotë që në vitin 1956 kishte marrë të dhëna Sigurimi, thotë që Teme Sejko….
Fiqreti:- Më 1957
Kadriu:- Më 1957, nuk e di ka ikur më 1956 a më 1957. Por çështja është lidhur me ju, ta kuptoj më qartë unë. E shpjegoni këtu këtë, që në atë kohë, Sigurimi kishte të dhëna që Teme Sejko ishte vënë në shenjë dyshimi. Kështu u ka thënë ju tradhtari Mehmet Shehu…
Fiqreti:- Unë nuk e thashë këtu që ishte zbuluar grupi i Teme Sejkos edhe duhej ruajtur Panajoti….
Kadriu:- Atë s’mund ta thoshe, se u zbulua në vitin 1979 ai, nuk mund ta thoshe….
Fiqreti:- Unë thashë që njerëz që punonin në Sigurim të Shtetit, që ishin të lidhur me organizatën tonë, kishin dhënë larg e larg se diçka luhej dhe që dihej ajo që Panajot Plaku kishte miqësi me Teme Sejkon. Me që pati një sinjal të tillë, ju tha Panajot Plakut që të presë marrëdhëniet me Mehmet Shehun. Bile më tha, thashë dhe unë, që habitem pse u dha ky urdhër për të kaluar në Jugosllavi… Rasti s’ishte për t’u arratisur.
Kadriu:- Djemve tuaj, fëmijëve tuaj, a ja shpjeguat ju këtë brengë, këtë urrejtje që kishte Mehmet Shehu ndaj meje, të treve a ndonjërit?
Kryetari:– E dëgjuat. Ata fëmijët, domethënë këtë….
Fiqreti:- Që thoshte, o Kadri, Kadri… Nuk e di. Ai vetëm me mua ka biseduar.
Kadriu:- Ju, ju, pas vetëvrasjes, e keni biseduar me djemtë?
Fiqreti:- S’kam biseduar për çështje të tilla.
Kadriu:- Nuk keni biseduar. Ju lutem të mbahet shënim lidhur me këtë çështje.
Fiqreti:- Nuk më kujtohet që të kem biseduar për Kadri Hazbiun…..
Kadriu:- Domethënë, ekzakt, thua që nuk u ke thënë. Në rregull.
Fiqreti:- Nuk më kujtohet të kem biseduar për një çështje të tillë, se përgjithësisht, ata qenë aq pak ditë, sa nuk kishim si të mblidhnim veten, jo si të bisedonim….
Kadriu:- Mirë, nuk ke biseduar, në fund të fundit….
Fiqreti:- Jo nuk thashë ashtu. Thashë që nuk mbaj mend të kem biseduar me njeri për këtë çështje….
Kryetari:– Tjetër pyetje?
Kadriu:- Dini ju për letrat që ka çuar në Paris Ali Çeno, letra me karakter spiunazhi?
Fiqreti:- E thashë që Mehmet Shehu më ka thënë që në vitin 1980, i dha një letër Ali Çenos për Skënder Shehun, që do të ishte ato dit në Paris, brenda së cilës ishte një zarf për një person të agjenturës amerikane…..
Kadriu:- Domethënë, ju e dini këtë?
Fiqreti:- Më ka thënë Mehmet Shehu.
Kadriu:- Ndonjë shqetësim Mehmet Shehu e Ali Çeno për këto letra, sipas jush, kanë pasur?
Fiqreti:- S’kam dëgjuar ndonjëherë ndonjë rast edhe pyetjen s’e kuptoj…
Kadriu:- Jo, ta kuptosh kështu domethënë, që vetë Mehmet Shehu, që të ka thënë dhe Ali Çeno që ishte transmetuesi i kësaj, kishin ndonjë shqetësim, ishin të shqetësuar se mos dyshohej gjë a njërën a tjetrën për këto letra?
Fiqreti:- Unë s’kam dëgjuar gjë.
Kariu:- S’ke dëgjuar gjë ti. Faleminderit!
(Seanca 15 mbyllet)
Përgatiti për botim: Kujtim Boriçi
SOM
“Në fillim, unë si Fiqret, s’kam dashur ta denoncoj Kadri Hazbiun, pikërisht se ishte ndihmësi dhe personi që vinte pas Mehmet Shehut, pra, një nga kryesorët e grupit tonë. E para, se unë shpresoja që Kadri Hazbiu, mund të vinte koha që të na përkrahte ne, mua dhe fëmijët e mi. E dyta, kisha frikë se po të thosha gjë për Kadriun, ky mund të hakmerrej. Se mund të ishte bërë e të kishte marr ndonjë pozitë më të lartë, sekretar i Komitetit Qendror, a zëvendëskryeministër. Se djali i xhaxhait të tij, Pirro Dautaj, ishte hetuesi kryesor i imi. Dhe do t’i shkonte fjala, dhe pra, kishte rastin që të hakmerrej”
SOM
“Konferenca e Tiranës e vitit 1956 do të zhvillohej mbi bazën e Platformës së Kongresit të 20-të. Por kjo punë, sipas udhëzimit tonë armiqësor, nuk do të bëhej hapur, por do të bëhej e kamufluar, duke u goditur vija e Partisë e udhëheqja e saj. Ndërsa aty dolën persona edhe bënë pyetje të rënda. Në diskutime kërkuan direkt rehabilitimin e Koçi Xoxes dhe rehabilitimin e Jugosllavisë, duke thënë që zbatoheshin Tezat e Kongresit të 20-të. Udhëzimi nuk ishte ky. Por duhej goditur me marifet, për të përgatitur terrenin që Kongresi i 3-të i Partisë, të zhvillohej si një Kongres i 20-të në miniaturë. Po aty të shpërthente”
NESËR DO TË LEXONI:
-Darka misterioze e Kadri Hazbiut me këngë e valle, deri pas mesnatës së vetëvrasjes së Mehmet Shehut.
-Dëshmia e Veli Llakajt: Kur erdhi dhe pse u vonua Kadri Hazbiu në darkën e ditëlindjes së oficerit Ismet Isufi.
-Si u përpoq Kadri Hazbiu që të falsifikonte diskutimin e mbajtur me punonjësit e Radiotelevizionit Shtetëror lidhur me “Vetëvrasjen e armikut Mehmet Shehu”.