Dosja e gjyqit të Kadri Hazbiut
“Për këtë vendim, në zbatim të detyrës së vënë nga zbulimi i huaj ai i dërgoi një letër agjentit të CIA-s në Paris. Takimet agjenturore të Mehmetit jashtë vendit, siguroheshin nga Kodra e Peçini”
(Vijon nga numri i kaluar)
Në seancën e 15-të të gjyqit ndaj Kadri Hazbiut, në atribuimet e saj, Fiqret Shehu rikonfirmon se “në përgjigje të ultimatumit të zbulimeve të huaja, Mehmet Shehu, në një letër dërguar agjentit të CIA-s në Paris, i konfirmonte se vrasjen e Enver Hoxhës do e realizonte në prill të vitit 1982”. Për këtë, ajo fajëson dhe Kadri Hazbiun e Feçor Shehun, ‘anëtarë të organizatës së vënë në shërbim të zbulimeve të huaja’, të cilët kishin dijeni për këtë vrasje që do të bëhej… Ndërkohë, në atribuimet e saj, Fiqret Shehu ka dëshmuar se Llambi Peçini, Feçor Shehu e Ali Çeni, ishin personat që ndikuan në zbatimin e urdhrit të agjenturave të huaja për lidhjen e krushqisë me Turdinjtë, si dhe personat që kishin dijeni e organizonin takimet agjenturore të saj e Mehmet Shehut në Francë…
Vazhdon seanca e 15
Fiqret Shehu:- Për Feçor Shehun, përveç këtyre që thashë, është edhe çështja se Feçor Shehu, që në vitin 1979 ka bashkëpunuar me Mehmet Shehun për çështjen, për kurdisjen më mirë të them, të fejesës së djalit tonë me vajzën e Qazim Turdiut. Në vitin 1979, nga gjashtë mujori i dytë, Mehmet Shehu, nëpërmjet radios me foni që kishte sjellë nga Parisi më 1972, kishte marr një porosi nga agjentura amerikane që të bëhej fejesa e djalit tonë me një vajzë me përbërje të keqe politike. Dhe Mehmet Shehu kishte thirrur Feçor Shehun, e kishte pyetur, dhe kishin rënë tek vajza e Qazim Turdiut, për të cilën Feçor Shehu kishte thënë që është vajzë e mirë dhe e përshtatshme për një fejesë të tillë nga kjo pikëpamje. Për këtë di, që edhe shoku Kadri Hazbiu i kishte thënë Feçor Shehut. Mehmeti, që në atë kohë kishte pyetur edhe Kadri Hazbiun nëse e njihte këtë vajzë. Dhe Kadriu i kishte thënë që kjo është e përshtatshme për të bërë një fejesë të tillë midis Nelit, Skënder Shehut domethënë, e vajzës së Qazim Turdiut. Pra kjo qe kurdisur sipas diktatit të agjenturës amerikane midis Mehmet Shehut dhe Feçor Shehut. Ndërsa thirrja e Feçor Shehut në korrik të vitit 1981 u bë si mbulesë, siç më tha Mehmet Shehu, natën e 2 ose 3 dhjetorit. Nuk më kujtohet ekzakt, kur më shpjegoi për çështjen e kësaj fejese, të kësaj kurdisje si qe bërë. Mehmet Shehu, në bashkëpunim me Feçorin, me porosi të agjenturës amerikane, ishin të detyruar që ta bënin këtë fejesë. Mehmet Shehu, më tha mua: Këto të dhëna i kërkova për të ti dhënë ty, e tani, të bisedojmë e të punojmë së bashku se si do të mbrohemi, veçanërisht me argumentin se ‘ata, të rinjtë u njohën vetë’ e se vajza që po fejonim djalin, nuk kishte lindur atëherë kur ka kryer aktivitet të keq familja e saj.
Dhe gjithashtu e bëra këtë, më tha Mehmeti, se po të na kërkoj llogari Partia, kemi me se të dalim… Pra, se Mehmeti, kurdisi alibinë lidhur me fejesën e djalit tonë, siç e ka quajtur me të drejtë Partia.
Kurse moment tjetër i rëndë i Feçor Shehut është ajo e natës së 16 dhjetorit që ka ardhur në shtëpinë tonë. Unë vetë, atë natë nuk e kam takuar Feçor Shehun. Për herë të parë dëgjova për këtë më 17 dhjetor, kur Mehmeti më tha po zbres që të pres Kadri Hazbiun se një ditë më parë, më tha, më ka ardhur Feçor Shehu dhe më ka sjellë me shkrim e me gojë ultimatumin, kërcënimin e jugosllavëve që, të bëja vrasjen e Sekretarit të Parë të Komitetit Qendrorë në mbledhjen e Byrosë Politike, ose ata do të nxirrnin disa të dhëna kompromentuese për veprimtarinë tonë armiqësore ndaj PPSH. Ky është një moment tjetër i rëndë. Çfarë ka bërë pastaj pas arrestimit tim, unë nuk di, qoftë për Kadri Hazbiun, qoftë për Feçor Shehun. Për Mihallaq Ziçishtin. Për Mihallaq Ziçishtin kam dëgjuar për herë të parë në vitin 1953, për pozicionin e tij armiqësor, nga Mehmet Shehu… Ai ka qenë i rekrutuar që në kohën e Koçi Xoxes…
Veprim tjetër i rëndë i Mihallaq Ziçishtit, siç kam shpjeguar hollësisht në seancat hetimore, sikurse fola edhe para trupit gjykues kur u gjykua çështja ime, është çështja e arratisjes së Panajot Plakut, për të cilën ka luajtur një rol të posaçëm bashkë me Kadri Hazbiun… Siç më ka thënë Mehmet Shehu, Llambi Ziçishti ka qenë në dijeni edhe për puçin që do të organizohej….
Kryetari(Aranit Çela):- Do flasim veç për atë.
Fiqreti:- Dakord. Gjithashtu, kur u largua nga Ministria e Punëve të Brendshme, Mihallaq Ziçishti ka kryer veprimtari armiqësore në goditje, në sabotim të vijës së Partisë… Ndoshta, për këtë do të kemi pikë më vete…
Kryetari:- Po, tek sabotimi.
Fiqreti:- Tjetër çështje për Mihallaq Ziçishtin nuk kam. Për Llambi Peçinin. Për Llambi Peçinin, unë kam marrë vesh nga Mehmet Shehu që e ka tërhequr në veprimtari armiqësore vetë Mehmet Shehu, kur ka qenë në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Rekrutimi u bë duke shfrytëzuar disa anë negative të karakterit të tij, siç është çështja e mendjemadhësisë, servilizmit e punës për bujë, etj…. Duke shfrytëzuar këto, Mehmet Shehu e tërhoqi në veprimtarinë armiqësore duke i vënë pseudonimin ‘Shkumbini’. Kudo që shkonte Mehmeti, brenda dhe në udhëtimet jashtë Shqipërisë, atë e merrte me vete…..
Llambi Peçini ka kryer një veprim agjenturor të rëndë. Një ditë kishte ardhur një person të takonte Mehmet Shehun. Ishte një person i agjenturës amerikane, i quajtur Riçardson. Mbiemrin ja mbaj mend, kurse emrin jo. Ai kishte kërkuar të takonte Mehmet Shehun. Tek dera, para hyrjes në dhomën e Mehmetit ku rrinin doktorët dhe shoqëruesit, ishte dhe Llambi Ziçishti që e kishte parë atë person. Kurse brenda në dhomë e shoqëroi Llambi Peçini. Ai e kishte pyetur Mehmet Shehun, si je, etj…., dhe i kishte dhënë porosi që të veproj më aktivisht. Për këtë Mehmeti qe njoftuar dhe më parë nëpërmjet një letre nga agjentura amerikane, të cilën e kishte marr nga një person Nesti Nase, kur ishte në OKB… Në këtë rast, personi i agjenturës amerikane porositi që duhej vepruar më aktivisht në drejtim të përmbysjes së pushtetit popullor. Edhe i kishte dhënë Mehmetit, duke nxjerrë nga çanta, një radio transmetuese, marrëse e dhënëse me foni, dhe duke i treguar aty dhe mënyrën e përdorimit. Mehmet Shehu, pasi iku personi i agjenturës amerikane, radion ja dha Llambi Peçinit duke e porositur që ta mbante me shumë kujdes se e kuptonte rëndësinë dhe t’ia vinte(instalonte) në shtëpi kur të vinte në Shqipëri. Kur vajtua unë, atë ditë që kishte vajtur ky personi i agjenturës amerikane, e gjeta Mehmetin të mërzitur, si të vrarë të thuash. E pyeta ç’kishte, mos kishte ndonjë dhembje, etj…. Mehmet Shehu më tha se nuk kishte asgjë nga çështja e operacionit, por nuk më lënë rehat as këtu, më tha. E pyeta pse e çfarë të ka ndodhur. Më tregoi këtë episodin që sapo parashtrova para trupit gjykues. Pasi qëndrova ca, pasi unë qëndroja gjatë ditës aty, ndërsa pushoja tek ishin punonjësit e ambasadës sonë në Paris, erdhi momenti të shkoja në shtëpi për drekë… Me mua erdhi Llambi Peçini që kishte radion transmetuese në dorë, një çantë e zezë ishte ajo. I thash Llambit ki kujdes se është me zarar ajo. Mos ki merak, tha Llambi Peçini. Këtë radio, pasi e ruajti kur qe atje,në Francë, kur erdhi në Shqipëri, vajti pas Mehmet Shehut direkt në dhomën e tij, tek kishte kasafortën dhe ja dorëzoi Mehmet Shehut.
Në vitin 1973, në mars-prill, Mehmet Shehu shkoi prapë për operacion tjetër në Paris, në spitalin ‘Port dë Shuazi’. Aty kishte ardhur përsëri një ditë ky personi i agjenturës amerikane dhe kishte takuar tek porta Llambi Ziçishtin. Ai, Llambit i tha se do të takonte Mehmet Shehun. Ai, Llambi, i tha se është e pamundur, se është në reanimacion ai, por do ja transmetoj… Llambi, më thotë mua. Ishte agjenti amerikan Riçardson. Ai kishte thënë se ishte aty afër e do takoheshin, ishte në kafe ‘Tabak’ të atij rajoni. Llambi Peçini kishte vajtur, e kishte takuar dhe e kishte pyetur se çfarë kishte për zotin President, domethënë Mehmet Shehun. Ai i kishte thënë se nuk kam ndonjë gjë të veçantë, doja ta takoja. A ke ndonjë porosi, e kishte pyetur Llambi. Ai i kishte thënë: Jo, qëndron ajo porosia që i kemi dhënë në vitin 1972! Ky ishte një akt, një veprim tjetër agjenturor i Llambi Peçinit. Më vonë, në prill të vitit 1981, në kohën që unë isha në Paris, Mehmet Shehu vajti ca dit për pushime në Vlorë. Në Vlorë takoi dhe Llambi Peçinin. Siç më tregoi Mehmeti, aty kanë biseduar për çështjen e likuidimit fizik të Sekretarit të Parë të Komitetit Qendror(Enver Hoxhës)…..
Kryetari(Aranit Çela):- Do ta bisedojmë veç atë, lidhur me puçin.
Fiqreti:- Dakord. Për këto dy raste agjenturore të Llambi Peçinit, unë di direkt. Ka pastaj pikëpamje në kundërshtim me vijën e Partisë të Llambi Peçinit…..
Gjyqtari:- Në qoftë se ka mundësi, shoku kryetar, për atë ngjarjen e vaporit ‘Kuin Elisabet’, ka dijeni e pandehura Fiqret?
Fiqreti:- Unë nuk kam dijeni. E kam dëgjuar në ballafaqim kur Llambi Peçini tha që duke udhëtuar nga….
Prokurori:- Nga kush e ke dëgjuar?
Fiqreti:- Nga Llambi Peçini vetë, në ballafqim…
Kryetari:- Për tjetër ke?
Fiqreti:- Për Gani Kodrën. Unë thashë që Gani Kodra ka qenë dy herë në Paris. Të dy herët, më 1972 dhe 1973, ka qenë dhe Mehmet Shehu…. Unë për pozicionin armiqësor të Gani Kodrës kam dëgjuar për herë të parë nga djali im Skënderi, të cilit i kishte thënë i ati(Mehmeti) kur ai do të shkonte për studime në Suedi. Dhe mua këtë ma ka thënë dhe vetë Skënderi kur unë vajta në Suedi në maj të vitit 1981. Por dua të them që gjatë periudhës që isha unë në Suedi dhe kam bërë dy takime agjenturore me një person të agjenturës amerikane, të quajtur Rajs, ka qenë prezent e ka është në dijeni edhe Gani Kodra.
Takimi i parë agjenturor është bërë duke shkuar në drejtim të Parkut të Madh të Stokholmit më 16 ose 17 maj, nuk më kujtohet. Dhe kemi qenë të ndarë në dy grupe. Grupi shoqërues përpara, ndërsa Gani Kodra, unë dhe djali, Skënderi më pas. Midis dy grupeve u krijua një distancë. Aty ndodhej personi i agjenturës amerikane. Unë shpejtova hapat dhe bëra takimin agjenturor. Për këtë çështje Gani Kodra ishte në dijeni, se e kishte vënë në dijeni Skënderi, sikurse e dëgjoi Skënderin kur më tha se ky është personi që do të takosh.
Edhe në rastin e dytë, kur u bë takimi i dytë agjenturor me të njëjtin person të agjenturës amerikane në hotel ‘Europa’ në Goteborg, Gani Kodra ka qenë i vënë në dijeni nga djali im Skënderi. Dhe ka bërë roje tek ashensori, ndërsa djali bënte roje në korridor për të mos rënë në sy takimi im agjenturor që qe i shkurtër, disa minutash. Tjetër episod, përveç këtyre dy episodeve për veprimtarinë agjenturore të Gani Kodrës, unë nuk di. Di faktin që Mehmet Shehu zgjodhi pikërisht Gani Kodrën që e dërgoi me djalin në Suedi si shoqërues në një kohë kur djalin e pati tërhequr në punët e fëlliqura të tij si ndërlidhës me agjenturat e huaja. I dha Gani Kodrën pikërisht se ishte një anëtar i hershëm i organizatës sonë dhe kishte besim.
Për Ali Çenon di që ka ardhur në grupin e shoqëruesve në vitin 1973 nga fundi apo fillimi i vitit 1974, nuk më kujtohet dhe e ka tërhequr në veprimtari armiqësore, siç më ka thënë, vetë Mehmet Shehu… Për Ali Çenon di që në vitin 1980, kur djali ynë i vogël do të shkonte për kurim në Paris, Mehmet Shehu i dha një letër për djalin tonë të dytë, Skënderin që do të shkonte nga Stokholmi në Paris për të takuar Bashkimin, por dhe për të kryer këtë detyrë që them. Brenda në letrën dhënë Skënderit, ishte një zarf për një person të agjenturës amerikane i cili pati kërkuar të vinte në Shqipëri gjatë verës së vitit 1980. Për përmbajtjen e letrave, siç më tha Mehmet Shehu, Ali Çeno ishte në dijeni. Pra, qoftë për letrën që i drejtohej Skënderit, qoftë për letrën që i drejtohej personit të agjenturës amerikane. Ndërsa në shtator të vitit 1981, kur djali ynë Skënderi do të shkonte për të vazhduar studimet pasuniversitare në Suedi, Mehmet Shehu i dha si shoqërues, për ti hequr mërzinë gjoja, edhe Ali Çenon.
Qëllimi ishte tjetër, ishte qëllimi agjenturor. Mehmeti i dha Ali Çenos një letër për agjenturën amerikane, dhe mundësisht personin ta takonte vetë. Në letrën që dërgonte Mehmet Shehu shkruhej që fejesa u mbyll, por ky veprim u dënua nga Partia. Gjithashtu njoftonte që likuidimi fizik i Sekretarit të Parë të Komitetit Qendror (Enver Hoxha) do të bëhej, dhe se është menduar të bëhej në prill të vitit 1982. Për këtë letër, shkurt, Mehmeti i kishte thënë përmbajtjen dhe Aliut, siç ma tha edhe mua. Ali Çeno i solli Mehmet Shehut përgjigjen nga agjentura amerikane…. Për Ali Çenon, Mehmet Shehu parashikonte detyra lidhur me puçin, por më duket këtë e keni pikë të veçantë…. (Vijon nesër)
Përgatiti për botim: Kujtim Boriçi
SOM 1
“Personi i agjenturës amerikane, në takimin e Parisit, porositi që duhej vepruar më aktivisht në drejtim të përmbysjes së pushtetit popullor. Gjithashtu i dha Mehmetit një radio transmetuese, marrëse e dhënëse me foni, duke i treguar aty dhe mënyrën e përdorimit. Mehmet Shehu, pasi iku agjenti amerikan, ja dha radion Llambi Peçinit duke e porositur që ta mbante me shumë kujdes se e kuptonte rëndësinë dhe t’ia vinte(instalonte) në shtëpi kur të vinte në Shqipëri. Sapo e takova, Mehmetin e gjeta të mërzitur, si të vrarë të thuash. E pyeta ç’kishte, mos kishte ndonjë dhembje, etj…. Mehmet Shehu më tha se nuk kishte asgjë nga çështja e operacionit, por nuk më lënë rehat as këtu”
SOM 2
“Mehmeti i dha Ali Çenos një letër për agjenturën amerikane, dhe mundësisht personin ta takonte vetë. Në letrën që dërgonte Mehmet Shehu shkruhej që fejesa u mbyll, por ky veprim u dënua nga Partia. Gjithashtu njoftonte që likuidimi fizik i Sekretarit të Parë të Komitetit Qendror(Enver Hoxha) do të bëhej, dhe se është menduar të bëhej në prill të vitit 1982. Për këtë letër, shkurt, Mehmeti i kishte thënë përmbajtjen Aliut, siç ma tha edhe mua. Ali Çeno i solli Mehmet Shehut përgjigjen nga agjentura amerikane…. Për Ali Çenon, Mehmet Shehu parashikonte detyra lidhur me puçin, por më duket këtë e keni pikë të veçantë”
SOM 3
“Kur u bë takimi i dytë agjenturor me të njëjtin person të agjenturës amerikane në hotel ‘Europa’ në Goteborg, Gani Kodra ka qenë i vënë në dijeni nga djali im Skënderi. Ai ka bërë roje tek ashensori, ndërsa djali bënte roje në korridor për të mos rënë në sy takimi im agjenturor që qe i shkurtër, disa minutash. Tjetër episod, përveç këtyre dy episodeve për veprimtarinë agjenturore të Gani Kodrës, unë nuk di. Di faktin që Mehmet Shehu zgjodhi pikërisht Gani Kodrën që e dërgoi me djalin në Suedi si shoqërues në një kohë kur djalin e pati tërhequr në punët e fëlliqura të tij si ndërlidhës me agjenturat e huaja”
NESËR DO TË LEXONI:
-Seanca e 15-të e gjyqit, përballja e ashpër mes Kadri Hazbiut dhe Fiqret Shehut lidhur me natën e vetëvrasjes së Mehmetit.
-Deponimi i Fiqretit: Para vetëvrasjas, Mehmeti i tha Kadri Hazbiut se “Ti je Judë, më more më qafë mua dhe familjen!”
-Fiqret Shehu: Në fillim e mbrojta Kadriun, me shpresën që të shpëtonte ai, të shpëtonim grupuin armiqësor dhe të më ndihmonte mua dhe djemtë.
prralla komunistesh.Po kur te gjithe sigurimi dhe ushtrija ishin kunder Enverit kush i zbuloji dhe kush e mbrojti kete mashtrues pra Enver Hoxhen.Andrra me armiq per ti eleminue si gjithmone