Gjyqi ndaj Kadri Hazbiut. Seanca e 12
“Sollën letrën-ultimatumin të rusëve e jugosllavëve: Mehmeti të vrasë Enver Hoxhën me pistoletë në mbledhjen e Byrosë Politike. Ai zgjodhi vetëvrasjen”
(Vijon nga numri i kaluar)
Në deponimet e saj në seancën e 12-të të gjyqit ndaj Kadri Hazbiut, Fiqret Shehu pohon: Feçor Shehu dhe Kadri Hazbiu, në orët e vona të 17 dhjetorit 1981, i sollën në shtëpi Mehmetit një letër-ultimatum nga zbulimet jugosllave e sovjetike, që ai të vriste me armë Enver Hoxhën në mbledhjen e nesërme të Byrosë Politike. Mehmet Shehu nuk kishte ndër mend të vriste veten, po ky vendim është marr pas letrës e bisedës së gjatë me Kadri Hazbiun afër mesnatës!
Seanca e 12. Atribuimet e Fiqret Shehut.
Fiqret Shehu:- Lidhur me Kadri Hazbiun kam edhe një moment tjetër për të cilin dua të flas. Tjetër qëndrim armiqësor i Kadri Hazbiut në shërbim të agjenturave të huaja ka qenë qëndrimi i tij lidhur me fejesën e djalit tonë, Skënderit. Vajtja tek Sekretari i Parë i Komitetit Qendror për të informuar për përbërjen e familjes së Qazim Turdiut, që ishte me përbërje të keqe, armiqësore, dhe pastaj, gjithë qëndrimi i Kadri Hazbiut, nuk është veprim me kokën e tij. Për sa i përket vajtjes në shtator tek Sekretari i Parë, kur ai kishte marrë vesh gjoja për herë të parë në këtë çështje, Kadri Hazbiu, meqë ishte Mehmet Shehu në Tiranë, ishte konsultuar me ambasadën jugosllave, zbuluesin jugosllav, që të vinte ai vetë ta thoshte, e të paktën të shpëtohej Kadri Hazbiu në këtë rast dhe të forconte pozitat e tij. Ndërsa gjithë veprimi tjetër që u bë nga shtatori deri më 17 dhjetor u bë duke u koordinuar, duke përpunuar një vijë sjellje të Kadri Hazbiut ndaj Mehmet Shehut, duke u mbajtur një qëndrim i dyfishtë. Dhe për këtë vijë sjellje e qëndrim të Kadriut qenë informuar dhe dy agjenturat, sovjetike e jugosllave, të cilat e kishin aprovuar. Sidomos agjentura jugosllave që i kishte thënë se në këtë situatë, Kadri Hazbiu, duhet të godiste rëndë Mehmet Shehun. Po të jetë nevoja, shpjegoj më gjatë me këtë….
Kryetari(Aranit Çela):- Mirë, hajde.
Fiqreti:- Është dhe momenti i 17 dhjetorit. Më 17 dhjetor ishte dita e Mbledhjes së Byrosë politike. Dhe ajo mbledhje, u zhvillua, natyrisht e rëndë, me kritika të ashpra ndaj Mehmet Shehut. Por ishte e tillë, që ishin kritika normale, të atilla, që siç kam shpjeguar para trupit gjykues dhe në seancat hetimore, më ishin bërë edhe mua në organizatën bazë, qoftë në formë pyetjesh, qoftë edhe në formë diskutimesh. Pra, s’kishte asgjë aty për të arritur në një akt të tillë armiqësor siç qe ai i vetëvrasjes nga Mehmet Shehu.
Por çështja është që natën e 17 dhjetorit, siç më ka treguar Mehmet Shehu më parë, do të vinte Kadri Hazbiu për tu takuar me Mehmet Shehun. Kjo, me që më 16 dhjetor, Mehmet Shehut i kishte sjellë Feçor Shehu një letër në formë kërcënuese, në formë ultimatumi nga jugosllavët, me anën e së cilës kërkohej që Mehmet Shehu të vriste me armë zjarri, të likuidonte fizikisht Sekretarin e Parë të Komitetit Qendror, Udhëheqësin tonë (Enver Hoxhën) direkt në Mbledhjen e Byrosë Politike. Këtë letër kishte marr Feçor Shehu në berberhanen e Xhavit Ismailagës dhe ja kishte sjellë Mehmet Shehut natën e 16 dhjetorit. Mehmet Shehu, i tronditur nga ajo, (përmbajtjen e letrës ja kishte thënë dhe me gojë Feçori), nga kërcënimi i jugosllavëve, që ose të bënte vrasjen, ose do i nxirrnin materiale kompromentuese për ‘të (Mehmet Shehun), që ai kishte kryer veprimtari armiqësore kundër Partisë së Punës të Shqipërisë. Pra, Feçor Shehu, ja kishte thënë me gojë, Mehmet Shehut. Ndërsa Mehmet Shehu e kishte porositur që të kërkohej edhe mendimi i sovjetikëve. Dhe atë mendim, ta sillte Kadri Hazbiu. Natën e 17 dhjetorit, Kadri Hazbiu ka ardhur në fakt në shtëpinë tonë. Atë e ka sjellë tek korridori i madh i shtëpisë, në katin e parë, Ali Çeno. Dhe atje e prita unë që doja të futesha të isha dhe unë në studion e Mehmet Shehut ku do të bëhej biseda midis Kadri Hazbiut dhe Mehmet Shehut. Mehmet Shehu më tha: Ti je e sëmurë, shko. Bile më pati porositur dhe më parë që të mos ngrihesha meqë unë isha e sëmurë. Por unë, duke qenë e shqetësuar për gjendjen përgjithësisht, se luhej me fatin e gjithë familjes sime, zbrita që ta prisja Kadri Hazbiun. Por kur Mehmet Shehu më tha, ikë, dhe Kadri Hazbiu përsëriti të njëjtën gjë, që ikë ti, se pasi të mbarojmë bisedën vjen e ta shpjegon Mehmet Shehu, s’kisha si veproja. Kështu, si u shpreh ai, unë e mora atë si urdhër. Në fakt, atë natë, atë mbrëmje, është bërë një bisedë e tillë, të cilën Mehmet Shehu ma transmetoi pasi iku Kadri Hazbiu.
Ardhja e Kadri Hazbiut do të bëhej për të sjellë letrën e sovjetikëve, pra përgjigjen e sovjetikëve lidhur me ultimatumin e dërguar nga jugosllavët. Por veç asaj, u bë edhe një bisedë tjetër, sepse Mehmet Shehu, siç më tregoi, e pyeti Kadri Hazbiun se si e gjykonte ai çështjen e Mbledhjes së Byrosë Politike, gjendjen e tij dhe çfarë mendonte ai për atë porosi që kishin dhënë edhe sovjetikët. Pra, që në mbledhjen e Byrosë Politike të kryhej akti kriminal për likuidimin me armë zjarri të Sekretarit të Parë të Komitetit Qendror. Mehmet Shehu më tregoi se kur e kishte pyetur Kadri Hazbiun se si e shikonte ai gjendjen në Byronë politike, i kishte thënë se, shumë të rëndë e gjykoj atë mbledhje, atë gjendje, dhe më duket se ti s’do të ndahesh mirë nga kjo Mbledhje e Byrosë politike. Këtë e them, kishte thënë Kadriu, nisur nga pyetjet dhe diskutimet që u bënë. E ke parasyshë vetë ti, i tha Kadriu, Mehmet Shehut. Ti u kritikove aty se e ke vënë veten me ndërgjegje mbi Partinë, se e ke shkelur me ndërgjegje vijën e Partisë për luftën e klasave. Bile, Kadriu i tha Mehmetit se, në mbledhje, dikush të përmendi se si ti Mehmet nuk ke vënë mendje nga puçistët e tjerë. Ndërsa Sekretari i Parë i Komitetit Qendror, kur mbylli mbledhjen, seancën e sotme, tha që kjo e sotmja është një natë e rëndë, serioze për ty, e autokritikën tënde e quajti alibi. Nga kjo, unë nxjerrë konkluzionin, i kishte thënë Kadri Hazbiu, se Udhëheqësi i Partisë (E. Hoxha) do të ketë ndonjë dokument të ri kundër teje, prandaj flet aq rreptë dhe në atë mënyrë.
Për sa i përket aktit të vrasjes me armë zjarri në Byronë politike të Sekretarit të parë, i kishte thënë Kadri Hazbiu, Mehmet Shehut, kjo më duket e parealizueshme, por edhe po të realizohet, kjo do të thotë shfarosje e gjithë familjes tënde. Prandaj duhet menduar mirë, para se të hidhet çdo hap. Në këtë mënyrë, Kadri Hazbiu, kishte bërë, si të thuash, një bisedë sugjestionuese ndaj Mehmet Shehut dhe i kishte shtruar në këtë drejtim alternativën, ose vrasje e Sekretarit të Parë të Komitetit Qendror dhe shfarosje e gjithë familjes nga ky akt, ose vetëvrasje. Se në këtë rastin e dytë, mund të dënohet akti i vetëvrasjes nga Partia, por shpëton e gjithë familja, e nuk dalin në shesh të gjitha veprimet dhe punët armiqësore të kryera. Kjo është dhe në favor të organizatës, si të thuash, dhe të agjenturave të huaja. Kjo bisedë me Kadriun, e ka çuar Mehmet Shehun në konkluzionin e vetëvrasjes.
Këtë unë nuk e nxjerrë si konkluzion të thjeshtë nga koka ime, siç e kam shpjeguar para trupit gjykues, por duke u nisur nga disa fakte dhe konkretisht, kur Mehmet Shehu erdhi në shtëpi nga Mbledhja e Byrosë Politike rreth orës 8 e një çerek natën e 17 dhjetorit. Ai ishte shumë i mërzitur, pra shumë-shumë i mërzitur. Ishte i bërë dyllë në fytyrë dhe i këputur sa s’thuhet pas bisedës që bëri me Kadri Hazbiun. Gjithashtu, para se të bëhej biseda me Kadri Hazbiun, ne kishim bërë disa biseda, nga të cilat do të përmend dy, që tregojnë që as i shkonte ndër mend Mehmet Shehut të vriste veten.
E para ishte kjo: Si në drekë, ashtu dhe në darkë, në kohën që hanim bukë pas Mbledhjes së Byrosë politike, domethënë, Mehmet Shehu më tha mua se më 18 dhjetor pasdite, të nesërmen domethënë, duhej të shkonim tek Sekretari i Komitetit Qendror të Partisë për ngushëllim se i kishte vdekur e ëma. Këtë ma tha edhe në drekë, edhe në darkë, para bisedës me Kadriun, gjithnjë… Gjithashtu, sapo erdhi nga Byroja Politike, më pyeti nëse folëm në telefon me Nelin, domethënë me djalin tonë Skënderin që ishte në Suedi. Kjo, meqë e kishim lënë që do të flisnim në telefon në orën 8. Unë i thashë që unë nuk fola, foli Ladi, vura atë të fliste dhe e lash që nesër në orën 8 në darkë të flasim, apo do të flasësh sonte, i thashë unë. Jo, tha Mehmet Shehu, mirë e keni lënë për nesër, se mbaron dhe Mbledhja e Byrosë Politike dhe i themi dhe atij që kur të kthehet, se dhe unë në Byronë Politike, veç letrës që i kam dërguar unë, thash që do të bëhet gati për kthim. E kur të kthehet bisedojmë. Së shpejti do të vij, na tha Skënderi, e ne do ta kemi këtu midis nesh, do të filloj punë, i thash unë. Pra, nga kjo çështje, unë nxjerrë atë… Jo e nxjerrë unë, por del qartë që Mehmet Shehu as që kishte mend të vriste veten. Edhe qe pikërisht ajo bisedë që mund të ketë qenë si alternativë në formë sugjestionuese, por mund t’ia ketë thënë dhe direkt hapur Kadri Hazbiu. Ose pa qenë Mehmet Shehu, dua ti them edhe një herë trupit gjykues këtu, se mua nuk ma tha që i tha hapur Kadriu… Ndoshta s’ka dashur të më shqetësoj më shumë, se mjaft, mjaft e shqetësuar isha….
Kryetari:- Ndonjë gjë lidhur me këtë ke?
Fiqreti:- Lidhur me Kadri Hazbiun kam gjëra të tjera, por lidhur me këtë s’kam…
Kryetari:- Me të pandehurit e tjerë ke gjë?
Fiqreti:- Kam.
Prokurori(Rrapi Mino):- Kanë pasur lidhje Mehmet Shehu e Kadri Hazbiu me grupin e puçistëve dhe sabotatorëve në ekonomi?
Fiqreti:- Po, unë e kisha një pikë të veçantë këtë, se është tek sabotimi…
Prokurori:- Folën ata, prandaj…
Fiqreti:- Dakord, ka pasur, edhe ndërmjet atyre që do të thosha për Feçor Shehun, mund të dilte kjo. Kadri Hazbiu, sikurse edhe Mehmet Shehu kanë qenë në lidhje me puçistët. Mehmet Shehu ishte njoftuar që në vitet 1970-1971 nga një nga agjenturat, ose sovjetike, ose jugosllave, nuk më kujtohet se cila, që në ushtri vepronte një grup armiqësor i kryesuar nga Beqir Balluku, Petrit Dume e Hito Çako. Për një grup të tillë i kishte folur, po në këtë kohë, dhe Feçor Shehu, Mehmetit, të cilit ai nuk i ra në sy. Nuk ju hap atij Mehmet Shehu meqë edhe porosia e agjenturës ishte që as Beqir Ballukut, Petrit Dumes e Hito Çakos mos t’u hapej, por vetëm të vepronte. Ndërsa Mehmet Shehu e Kadri Hazbiu, jo vetëm që kanë pasur dijeni për këtë grup, por ishin drejtues të tij. Ishin frymëzues për atë, që ata, grupi i puçistëve, të godiste vijën e Partisë dhe Tezat e Këshillit të Mbrojtjes, meqë edhe vetë kishin të njëjtat pikëpamje dhe vepruan në fakt kur u bënë ministra njëri pas tjetrit në Mbrojtjen Popullore. Mehmet Shehu dhe Kadri Hazbiu kanë pasur pikëpamje krejt të kundërta me vijën e Partisë, Tezat e Këshillit të Mbrojtjes, me kërkesat e Artit Ushtarak popullor në të gjitha drejtimet, si për sa i përket karakterit të ushtrisë tonë, luftës frontale pozicionale, shkollave të lira, falsifikimeve, rolit udhëheqës të Partisë në ushtri, etj… Thashë, jo vetëm kanë zhvilluar biseda dhe kanë frymëzuar drejtuesit e grupit puçist, por dhe vetë kanë vepruar në atë drejtim. Në qoftë se më lejohet, unë mund të sjellë një shembull që ashtu…, por ju thoni që është ezauruar ajo çështje…
Prokurori(Rrapi Mino):- Lidhur me manipulimin pastaj. Çfarë do bëhej, se u arrestuan ata, kishin frikë?
Fiqreti:- E kam atë. E kisha tek Feçor Shehu.
Prokurori:- Mirë atëherë, vazhdoje tek Feçor Shehu, s’prish ndonjë punë.
Kryetari(Aranit Çela):- Mirë, tjetër tani, shkurt, e gjërat që the, mos i përsërit.
Fiqreti:- Dakord, unë dhe jam ballafaquar. Feçor Shehun unë e kam njohur në pozicionin armiqësor për herë të parë në vitin 1956.
Kryetari:- Në prag të Konferencës së Tiranës..
Fiqreti:- Tjetër veprimtari, për ti rënë shkurt, vetëm si moment vetëm….
Kryetari:- Po…
Fiqreti:- E Feçor Shehut ka qenë edhe çështja e manipulimit pas Konferencës së Tiranës. Ka qenë çështja e informimit të Mehmet Shehut në vitet 1970-1971, se atë të ‘60-tës që erdhi tek unë e më solli një detyrë tjetër agjenturore, e tregova… Pas goditjes së grupit të puçistëve në vitin 1974 dhe të sabotatorëve në ekonomi, duhej të manipulohej puna e të mos dilte asnjë nga anëtarët e organizatës sonë kundër revolucionare, të kufizohej çështja tek ata që ishin goditur. Për këtë u morën masa nga Kadri Hazbiu e Feçor Shehu në këtë periudhë, që në zgjedhjen e hetuesve etj… Në fakt, për këtë, se mos dalim e na zbulohet puna armiqësore, unë i shpreha një herë frikën Mehmet Shehut në shtëpi. Por ai më tha se për çdo gjë përkujdeset Kadriu e Feçori…. Ndërsa Mehmet Shehu, ku qe prezent dhe ai(Kadri Hazbiu), tha që para se të bëhen proceset, ato thëniet e Beqir Ballukut, Petrit Dumes e Hito Çakos, sikurse dhe të sabotatorëve, shikohen me kujdes nga ana e kuadrit tonë, pra, nga ana e Feçorit. Përsa i përket manipulimit, është dhe ajo çështja me elementët e arrestuar, pra, do të mbahej ky qëndrim. Kurse me familjarët e tyre të mbahej një qëndrim i tillë që tu jepej shpresë që gjendja e tyre ishte e përkohshme, çështja do të rregullohej dhe të merreshin masa deri gjetjen e punës e strehimit. Pra, tu jepej të kuptonin se dikush po mendon për ‘ta.
Në fakt, një qëndrim i tillë u mbajt edhe ndaj nesh, mua dhe fëmijëve të mi kur ishim në Belsh. Atje, pa u bërë ne 10 dit që vajtëm, u dërgua menjëherë një person, Kristofor Mërtiro, për të na thënë ç’nevoja kishim, a u vendosën fëmijët në punë. Na premtoi se do të na jepej strehim më i gjerë e më i mirë, etj, etj… Ndërsa për manipulimin, Mehmeti më tha që masat do të merren të tilla që të mos dalin jo vetëm të arrestuarit, por asnjë nga anëtarët e organizatës sonë, si dhe agjentët(zbuluesit) tanë jashtë shtetit. Për këtë interesohej direkt Kadri Hazbiu, por dhe Feçor Shehu. Dhe zbuluesve u thuhej të bënin kujdes që të mos hidhnin ndonjë hap të pamenduar, e sidomos, të ruhen të mos hyjnë në aferat e larta. (Vijon nesër)
Përgatiti për botim: Kujtim Boriçi
SOM 1
“Natën 17 dhjetorit 1981, erdhi Kadri Hazbiu në shtëpi për të takuar Mehmet Shehun. Erdhi pasi më 16 dhjetor, Mehmetit i kishte sjellë Feçor Shehu një letër kërcënuese nga jugosllavët, ku kërkohej që Mehmeti të vriste me armë zjarri, Enver Hoxhën në Mbledhjen e Byrosë politike. Këtë letër e kishte marrë Feçor Shehu tek berberhania e Xhavit Ismailagës. Mehmet Shehu, i tronditur nga kërcënimi i jugosllavëve, që ose të bënte vrasjen, ose do i nxirrnin materiale kompromentuese për ‘të (Mehmet Shehun), që ai kishte kryer veprimtari armiqësore kundër Partisë së Punës të Shqipërisë, u vu në situatë të vështirë”
SOM 2
“Kur Mehmet Shehu erdhi në shtëpi nga Mbledhja e Byrosë Politike rreth orës 8 e një çerek natën e 17 dhjetorit, e bëri atë bisedën me Kadriun, ishte si asnjë herë tjetër. Ai ishte shumë i mërzitur, pra shumë-shumë i mërzitur. Ishte i bërë dyllë në fytyrë dhe i këputur sa s’thuhet pas bisedës që bëri me Kadri Hazbiun. Gjithashtu, para se të bëhej biseda me Kadri Hazbiun, ne, burrë e grua, kishim bërë disa biseda me njëri-tjetrin. Situatën e pamë shumë të vështirë. Duhej të mbulonim gjurmët e veprimtarisë armiqësore, por na shqetësonte dhe fati i gjithë familjes sonë”
SOM 3
“Unë si Fiqret, si gruaja e tij, e njihja shumë mirë Mehmet Shehun, karakterin e tij. Edhe në ditët e orët e fundit, unë nuk kuptova se ai mund të shkonte deri në vetëvrasje. Jo nuk kuptova unë, por Mehmeti nuk kishte çuar ndër mend vetëvrasjen. Ne kishim plane të tjera bashkë për të nesërmen e ditët në vazhdim. Gjithçka ndodhi, pas bisedës që ai bëri në mesnatën e 17 dhjetorit në shtëpinë tonë me Kadri Hazbiun. Vendimin për vetëvrasje, duhet ta ketë marr me rekomandimin e Kadriut, pra të agjenturave të huaja, për të shpëtuar pjesën e mbetur të grupit armiqësor dhe familjen tonë”
NESËR DO TË LEXONI:
-Deponimet e Fiqret Shehut: Urdhrin për krushqinë me Turdinjtë, Mehmet Shehu e mori direkt në radion marrëse-dhënëse nga agjentura amerikane.
-Dy takimet e mia agjenturore në Paris e Stokholm me agjentët e CIA-s dhe ultimatumi i tyre për ‘grupin armiqësor’ për veprime të shpejta për rrëzimin e pushtetit popullore në Shqipëri.
-Letra e agjenturës amerikane dhe premtimi i Mehmet Shehut për ekzekutimin me armë të Enver Hoxhës në muajin prill të vitit 1982.