Historiani dhe analisti amerikan, Bernd Fischer, i cili është një njohës i mirë i Ballkanit, ka analizuar ngjarjet e fundit në Shqipëri.
Duke folur për vjedhjen e Bankës së Shqipërisë, ai ka thënë se Ardian Fullani duhet të mbajë përgjegjësi.
“Këto janë ngjarje që fatkeqësisht ndodhin në të gjitha vendet, si të mëdhenj, ashtu edhe të vegjël. Do të ketë gjithmonë njerëz të pandershëm që besojnë se janë më inteligjentë se pjesa tjetër e njerëzve dhe kryejnë krime të guximshme.
Pothuajse gjithmonë dështojnë. Besoj se ajo që është e rëndësishme këtu është se si menaxhohet situata.
Mendoj se është e rëndësishme të mos reagohet më shumë se sa duhet. Një investigim i plotë duhet të realizohet dhe masat mbrojtëse të vendosen në vend, në mënyrë që të mos ndodhin më gjëra të tilla.
Ardian Fullani, si guvernator i bankës, është në fund të fundit përgjegjësi për atë që ndodh nën drejtimin e tij dhe ai duhet të ballafaqohet me pasojat”, ka thënë ai për “GSH”.
Ndërkohë, Fischer ka thënë se Shqipëria po ecte mbrapsht nën drejtimin e Berishës, ndërkohë që me Ramën ka pasur disa gjëra pozitive.
Dy prej tyre, sipas tij, janë ndërhyrja në Lazarat dhe mbyllja e disa universiteteve private.
“Besoj se qeveria ‘Rama’ është përgjegjëse për disa arritje të rëndësishme në këtë aspekt. Në veçanti do të nënvizoja situatën në Lazarat, e cila ishte një turp kombëtar për më shumë se një dekadë.
Besoj se zgjidhja e shpejtë e kësaj çështjeje e shoqëruar me pak dhunë, bëri shumë që të sigurojë një votë pozitive në aspektin e statusit të vendit kandidat”, ka thënë ai.
“Z. Berisha është qartazi përgjegjës për shumë gjëra pozitive, por në vitet e fundit të qeverisjes së tij, Shqipëria po ecte mbrapsht. Çdo indeks i rëndësishëm, sidomos raportet e OJQ-ve nga organizata si ‘Freedom House’ dhe ‘Transparency International’, treguan përkeqësim të konsiderueshëm nën drejtimin e Z. Berisha.
Që kur Edi Rama ka marrë postin e kryeministrit, ka pasur një kthesë. “Freedom House” në raportin “Nations in Transit 2014” e spostoi Shqipërinë në drejtimin pozitiv për herë të parë që nga 2006”, ka thënë Fischer.
