Të paktën nëntë drejtues të agjencive të udhëtimit në Izrael përfunduan në pranga për shkak se akuzohen se kanë fiksuar në marrëveshje të fshehtë çmimet për udhëtimin e gjimnazistëve drejt Aushvicit.
Ish-kampet e vdekjes së nazistëve gjatë Luftës së Dytë Botërore janë thuajse të detyrueshme për tu vizituar nga izraelitët.
Policia thotë se po heton rreth akuzave për një marrëveshje të fshehtë për fiksimin e çmimit nga kompanitë që organizojnë udhëtimet e studentëve. Hetuesit kanë bastisur shtëpitë e drejtuesve, ndërsa kanë ngrirë llogaritë bankare.
Të paktën gjashtë agjenci të udhëtimit janë akuzuar për shkelje të rregullave të konkurrencës.
Gjithashtu, të arrestuarit kanë bashkëpunuar midis tyre për të marrë një tendër të Ministrisë së Arsimit atje.
Rasti u zbulua pasi Ministria e Arsimit mori ofertat nga kompanitë, ku rezultoi se që të gjitha ishin thuajse identike. Që të gjitha ofertat ishin shumë më të larta se sa janë realisht çmimet. /Dita/
