Vllaznia dhe Kastrioti i bashkohen “trenit” të skuadrave që luftojnë për dy vende në Europa League, pas fitoreve të arritura dje në transfertë. Shkodranët dhe krutanët luanin në fushat e dy skuadrave më të dëshpëruara të sezonit, Apolonisë dhe Tomorit, që mbajnë vendet e fundit në renditje dhe kanë shanse vetëm matematikore për të mbijetuar. Vllaznia ishte mundur në transfertën paraardhëse kundër Luftëtarit, që gjithashtu luan për mbijetesë, dhe rrezikoi të njëjtin hap fals edhe dje në Fier, përballë vendasve me nëntë lojtarë. Goli i parë i shkodranëve erdhi në minutën e 70-të, me anë të Hajdarit, por fierakët u përgjigjën me Ribajn, i cili barazoi me penallti, në minutën e 79-të. Vllaznia është me fat, teksa vetëm një minutë më pas fiton një penallti, të cilën e kthen në gol Smajli. Shkodranët kryesojnë përsëri, ndërkohë që fierakët mbeten me nëntë lojtarë dhe nuk kanë më fuqi për të barazuar. Në shtesë, është Rexha që shënon edhe golin e tretë, i cili e çon skuadrën e Artan Bushatit një kuotën e 26 pikëve, tri më pak se Tirana e vendit të katërt. Megjithatë, vendi që të jep garanci për kualifikimin në Europa League është ai i treti, pasi i katërti varet edhe nga fituesi i Kupës së Shqipërisë, apo finalisti, në rast se trofeun e merr skuadra kampione.
Një pikë poshtë Vllaznisë vazhdon të mbetet Kastrioti, i cili ka marrë fitoren 2-1 në Berat, përballë Tomorit. Vendasit kaluan menjëherë në avantazh, kur Xhejms shënoi pas katër minutash lojë, por pak para pushimit barazoi Fataki. Takimi po i drejtohej barazimit, kur Tanushi shënoi golin e fitores për krutanët, në minutën e 88-të. Kastrioti shpreson të kualifikohet në Evropë, ndërsa Tomori i bën shoqëri Apolonisë në rrugën e sigurt për një kategori më poshtë.