Fitore me vlerë e Vllaznisë, mund 2-0 Tërbunin

Dita

2-0 ishte rezultati i sfidës në favor të Vllaznisë që falë këtij suksesi parakaloi pikërisht pukjanët në klasifikimin e Kategorisë Superiore por edhe Flamurtarin që të këtë Diel do të sfidojë Tiranën. Një ndeshje e dominuar e gjitha nga Vllaznia, madje rezultati mund të ishte edhe më thellë nëse portieri i Tërbunit Eglant Haxho nuk do të kishte bërë disa pritje shpëtimtare.

Në stadiumin Reshit Rusi Vllaznia diktoi ritmin e saj që në fillim. Në minutën e 4-t një goditje potente e Florind Bardullës nga distanca vendosi në vështirësi serioze Haxhon. Vetëm 1 minutë më pas gjithcka u bë më lehtë për kuqeblutë pasi kryesori Bardhyl Pashaj i nxorri kartonin e kuq në fytyrë sulmuesit të Tërbunit, Enco Malindi.

Pas një veprimi aspak sportiv të këtij të fundit ndaj Haxhibulic që më herët kishte ndërhyrë në mënyrë të gabuar ndaj Malindit, gjyqtari ndëshkoi me karton të verdhë lojtarin e Vllaznisë dhe me të kuq atë të Tërbunit.

Epërsia numerike u ndie në fushë dhe në minutën e 12-të skuadra e Armir Grimës arriti të zhbllokonte shifrat me Eraldo Cinarin. Sulmuesi i Vllaznisë i shërbyer në mënyrë të shkëlqyer nga Jetmir Sefa nuk pati të vështirë të mposhte Haxhon për t’i dhënë avantazhin vendasve. Në minutën 38-të Cinari u bë sërish protagonist pasi arriti të fitonte një 11-metërsh pas një ndërhyrjeje të gabuar të Ervin Rexhës ndaj tij.

Goditjen nga pika e bardhë e mori përsipër Polizoi Arbri i cili në goditjen e tij mori kundërpërgjigjen fantastike të Haxhos që evitoi në këtë mënyrë golin e dytë të Vllaznisë. Gjithsesi për të qetësuar trajnerin Grima në stol mendoi Berat Ahmeti që në minutën e 60-të realizoi edhe golin e avantazhit të dyfishtë për shkodranët. Mesfushori i kuqebluve përfitoi nga një krosim i Arbrit dhe nga një vendosje jo e mirë e mbrojtjes së Tërbunit duke ndëshkuar Haxhon.

1 minutë më pas portieri i Tërbunit bëri mrekullinë ndaj Kalajas duke shmangur golin e tretë të vendasve. Haxho i tha jo edhe golit të Shtubinës në të 76-tën ndërkohë që 6 minuta më pas kapiteni i Vllaznisë gaboi në goditje duke humbur një tjetër mundësi të mirë. Në Reshit Rusi gjithcka u mbyll me fitoren 2-0 të Vllaznisë që falë këtij suksesi u ngjit përkohësisht në vendin e 8-të të klasifikimit në kuotën e 11 pikëve.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *