Fitore tenistike dhe vendi i parë për Barcelonën

redaktor

Barcelona u rikthye pas 4 muajsh në krye të La Ligas, ndërsa Lionel Messi me tre golat e tij barazoi Cristiano Ronaldon në krye të listës së golashënuesve të Primera Division me 30 finalizime. Katalanasit shfrytëzuan hapin e gabuar të Realit të Madridit duke mposhtur me rezultatin 6-1 në “Camp Nou” Rayo Vallecanon, që e pati të pamundur t’i rezistonte furisë së vendasve. Mungesa e Neymar për arsye pezullimi nuk u ndje aspak në radhët e formacionit të Luis Enriques, që kishte aktivizuar Pedron në vijën e parë përkrah Suarezit dhe Messit. Pa u mbushur 5 minuta lojë Suarez i hapi rrugë suksesit të blaurganave me një gol të thjeshtë pas pasimit të marrë nga Xavi Hernndez.

Gjatë pjesës së parë Barcelona pati dhe dy mundësi të tjera të mira për shënim me Pedron dhe Messin, por gjatë këtij fraksioni nuk pati ndryshim rezultati. Në fillim të pjesës së dytë, Barcelona shënoi golin e qetësisë me Pique, i cili u gjend në kohën dhe vendin e duhur për ta dërguar topin në rrjetë. Ndërsa në të 55-n Lionel Messit iu desh të godiste dy herë nga pika e bardhë për të mposhtur portierin Alverez, pasi në rastin e parë gjyqtari dalloi futjen e parakoshme të futbollistëve të Rayos në zonë, duke vendosur përsëritjen e penalltisë.

Por argjentinasi nuk do të ndalej me kaq, aq me tepër që i jepej mundësia për të barazuar Ronaldon si kryegolashënues i La Ligas. Në minutën e 63, 27-vjeçari shtyu drejt rrjetës një top të kthyer nga portieri pas goditjes së Suarez, ndërsa 5 minuta më pas shënoi edhe të tretin personal pasi shmangu një mbrojtës dhe portierin mik. Në minutën e 80, Dani Alves shkaktoi një 11-metërsh dhe u largua me karton të kuq nga fusha, por goli Buenos nga pika e bardhë vlejti vetëm për statistike, pasi në minutën e parë shtesë Suarez i coi shifrat në 6-1. Me këtë fitore Barcelona u ngjit në kuotën e 62 pikë, një më shumë se Reali i Madridit.

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *