Fitorja në zgjedhjet rajonale konsolidon Renzin

redaktor

Partia Demokratike e Kryeministrit italian Matteo Renzi, fitoi zgjedhjet e mbajtura të dielën në rajonin e Emilia-Romanjas dhe Kalabrisë, zgjedhje në të cilat pati një pjesëmarrje të ulët dhe rezultatet e të cilave u bënë publike dje.

Konsideroheshin si provimi i parë që i nënshtrohej ish-kryebashkiaku i Firences, që prej zgjedhjeve europiane të kaluara, ku partia e tij fitoi më shumë se 40% të votave.

Sipas ekspertëve pakënaqësia me sistemin e qeverisjes së pushtetit qendror ishte arsyeja që çoi në pakësimin e pjesëmarrjes në zgjedhjet, në të cilat thirreshin për të votuar 6,2 milionë njerëz, sipas shifrave zyrtare: 4.3 milionë në Emilia-Romanja dhe 1,9 milionë në Kalabri. 37.7% e votuesve shkuan në votime në Emilia-Romanja, në krahasim me 68,1% në 2010-ën, ndërsa në Kalabri votuan 40,1% e votuesve, më pak se në 2010-ën kur shifra ishte 59,3%. Sipas ekspertëve janë shifra që reflektojnë pakënaqësi të përgjithshme me ekzekutivin e Renzit, i kritikuar në muajt e fundit për masat që kërkon të ndërmarrë, si reforma e diskutueshme e nenit 18 të Statutit të Punonjësve.

Ky nen nga 20 maj i 1970-ës mbron profesionistët e kompanive kundër shkarkimit të padrejtë dhe garanton të drejtën e tyre për kompensim ose rikthim në vendin e punës.

Qeveria tani propozon ta modifikojë këtë nen për të inkurajuar punësimin, një masë që është dënuar nga sindikatat, të cilat kanë njoftuar për grevë të përgjithshme më12 dhjetorin e ardhshëm.

Pavarësisht pjesëmarrjes së ulët, në të dy zonat fituan kandidatët e PD-së: Stefano Bonaccini është zgjedhur me 49,05% të votave për të qeverisur rajonin e Emilia-Romanjas dhe Mario Oliverio me 61,5% në Kalabri, bastion tradicional i partisë së ish-kryeministrit italian Silvio Berlusconit, “Forca Italia”.

“Pjesëmarrje e dobët, rezultate të mira: 2: 0. Kemi marrë 4 rajone në nëntë muajt e fundit”, shkroi Renzi në llogarinë e tij zyrtare në Twitter, pas përfundimit të numërimit të votave. Një rezultat të mirë nga këto zgjedhje, ashtu si parashikohej nga sondazhet, pati edhe partia konservatore e Matteo Salvinit, “Liga e Veriut”. 29,9% fitoi kandidati i tij Alan Fabbri në Emilia-Romagna dhe Wanda Ferro mori 23,9% të votave në Kalabri.

Më dobët u paraqit “Lëvizja me 5 Yje”, e komedianit Beppe Grillo, kandidatura e të cilit në Emilia-Romagna, Giulia Gibertoni, fitoi 13,3% të votave, ndërsa në Kalabri, Cone Cantelmi mori 5% të votave.

Share This Article
1 Comment
  • Mos ia fusni kot se shifrat e votuesve tregojne qarte se njerezit jane te zhgenjyer nga politika renziane. Nje diference nga 68% ne 37% eshte tregues se votuesit nuk kane me besim as tek propaganda dhe llafet e Renzi-t.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *