Fituesit e fazës së parë ngurrojnë të regjistrohen

redaktor

 

Nga Pranvera Kola

Universitetet raportojnë se me mbylljen e regjistrimeve për fituesit e shpallur të fazës së parë, rreth 70 për qind të kuotave të pranimeve kanë mbetur bosh. Pjesa dërrmuese e maturantëve të përzgjedhur në raundin e parë kanë ngurruar të bëjnë regjistrimin online, ose pranë sekretarive mësimore të fakulteteve përkatëse, duke refuzuar marrjen e statusit të studentit të ri, për pranimet e vitit akademik 2016-2017, studimet e të cilit nisin zyrtarisht me 20 tetor.

Krahas universiteteve të rretheve, numër i lartë kuotash bosh raportohen edhe në degët që rezultojnë të jenë ndër më të kërkuarat në universitetet e kryeqytetit. Konkretisht, vetëm 25 për qind e maturantëve që janë shpallur fitues në programet studimore të gjashtë fakulteteve të Universitetit të Tiranës, kanë kryer procesin e regjistrimit.

Pjesa tjetër kanë refuzuar këtë procedurë, për të vijuar më tej me aplikimet e raundit të dytë, me shpresën për të fituar studimet në një tjetër degë që nuk e arritën dot gjatë fazës së parë. Sipas të dhënave paraprake të raportuara nga fakultetet sa i takon regjistrimeve të kryera, thuhet se vetëm në fakultetet e UT-së, janë të lira rreth 4000 kuota pranimi.

Rektori Mynyr Koni, ka pohuar gjatë ditës së djeshme që në fazën e dytë do të aplikohet me të njëjtin format, ku maturantët dhe kandidatët e viteve të shkuara, duhet të zgjedhin 10 programe, në të cilat duan të fitojnë studimet e larta.

“Universiteti i Tiranës ka në total 5378 kuota pranimi, nga të cilat, 4000 kuota janë të lira nga faza e parë dhe që do të plotësohen përgjatë raundit të dytë. Procedura e aplikimit është e njëjtë, por maturantët duhet të kenë më shumë kujdes, sepse tani duhet të bëjë një përzgjedhje të programeve në bazë të cilësive të vlerësueshme, që në raundin e parë nuk i ka vlerësuar siç duhet. Prandaj duhet të jetë më i kujdesshëm në këtë zgjedhje, natyrisht mbështetur në preferencën e tij të studimit. Ajo që ndryshon në raundin e dytë është që numri i kuotave është më i ulët”, vë në dukje rektori, Mynyr Koni.

Fakulteti i Histori-Filologjisë paraqet numrin më të lartë të regjistrimeve, ku rreth gjysma e fituesve e kanë kryer këtë procedurë, ndërsa Fakulteti i Shkencave të Natyrës raportohet të jetë me numrin më të ulët të regjistrimeve. Në Fakultetin Ekonomik, një ndër më të kërkuarit për vijimin e studimeve të larta, kanë mbetur 920 kuota bosh, teksa paraprakisht thuhet se janë regjistruar 250 studentë.

Kuota të lira raportohen edhe në programet e Universitetit të Mjekësisë, ku bëhet me dije se janë regjistruar rreth gjysma e fituesve. Degët që kanë regjistrimin më të ulët janë Fizioterapia dhe dega e Mamisë. Ndërkohë, ajo që bie në sy është braktisja e degës së farmacisë nga fituesit e fazës së parë, degë në të cilën deri paraditen e djeshme, nuk ka pasur të regjistruar asnjë fitues.

Me mbylljen e verifikimeve të plota mbi regjistrimet e kryera në të gjitha institucionet e arsimit të lartë, këto të fundit pritet të zbardhin gjatë ditës së sotme, listën zyrtare të kuotave të lira sipas të gjitha degëve. Ndërsa pas dy ditësh do të nisë edhe gara e aplikimit për raundin e dytë, ku maturantët do të regjistrohen online, duke përzgjedhur preferencat e reja sipas afateve të caktuara në kalendarin e Agjencisë Kombëtare të Provimeve.

 

Datat e konkurrimit për kuotat e lira

Sipas kalendarit të zbardhur nga AKP për garën e raundit të dytë, maturantët e Tiranës, si dhe ata të rretheve, do të plotësojnë preferencat në formularin online në data të ndryshme. Të parët do të nisin maturantët e kryeqytetit, për të vijuar më pas me rrehet. Kështu, në datat 23 dhe 24 shtator do të aplikojnë në sistemin online, maturantët e drejtorisë arsimore të Tiranës qytet dhe Tiranës qark.

Me pas me 25 shtator do të përzgjedhin preferencat maturantët e Tiranës qytet , Tiranës Qark, si dhe ata të drejtorive të arsimit të Kamzës, Kavajës, Durrësit dhe Krujës. Në datën 26 shtator do të listojnë preferencat maturantët e Elbasanit, Peqinit, Gramshit, Librazhdit, Korçës, Pogradecit, Kolonjës dhe Devollit.  Më tej në datën 27 shtator aplikimi vijon me maturantët e Fierit, Mallakastrës, Beratit, Kuçovës dhe Skraparit.

Në datën 28 shtator sistemi online i përzgjedhjes së preferencave do të vijojë me maturantët e Shkodrës, Malësisë së Madhe, Pukës, Lezhës, Kurbinit, si dhe të Mirditës. Në datën 29 shtator procesi i aplikimit do të vijojë me maturantët e Vlorës, Sarandës, Delvinës, Gjirokastrës, Tepelenës dhe Përmetit.

Ndërsa në datën 30 shtator, të fundit që do të aplikojnë në sistemin online të renditjes së preferencave për raundin e dytë do të jenë maturantët e Kukësit, Tropojës, Hasit, Dibrës, Matit dhe ata të Bulqizës. Gjithashtu, parashikohet që të jetë në dispozicion të aplikimeve, edhe data një tetor, për të gjithë kandidatët që nuk kryen dot procesin e renditjes së preferencave sipas afateve të përcaktuara më lart.

MAS pritet të zbardhë ndryshimet e tjera që do të zbatohen mbi problematikën e lindur sa i takon vlerësimit të lëndëve me zgjedhje që maturantët i kanë dhënë si provime, por që nga fakultetet janë vlerësuar me zero pikë.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *