Fituesit e rinj, programet ku do të garohet në Universitetin e Mjekësisë

J L

Për pranimet e vitit të ri akademik 2022-2023 në Universitetin e Mjekësisë maturantët dhe kandidatët e tjerë, do të mund të garojnë për 12 programe të ndryshme studimi që zhvillohen në të tre fakultetet që janë pjesë e këtij institucioni të arsimit të lartë publik në vend. Sa i takon konkurimeve që do të zhvillohen në secilën prej këtyre degëve, tashmë është përcaktuar edhe mesatarja minimale që maturantët duhet të kenë për të hyrë në garë për kuotat e pranimeve të reja që do të realizohen përgjatë këtij viti. Ndryshe nga sa ndodh me universitetet e tjera publike, për të konkurruar në degët e Mjekësisë kërkohet mesatare më e lartë se sa nota 7, kjo në varësi të programit të zgjedhur.

Sipas vendimit të marrë, në Fakultetin e Mjekësisë në degët Mjekësi dhe Farmaci në garë do të lejohet të hyjnë vetëm maturantët që kanë mesatare të shkollës së mesme së bashku me provimet e maturës, duke nisur nga nota 8.5 dhe më lart, teksa në degën Shëndet publik kërkohet mesatare nga nota 8. Në Fakultetin e Mjekësisë Dentare në degën Stomatologji do të mund të konkurojnë vetëm maturantët që kanë mesatare të studimeve të shkollës së mesme duke nisur nga nota 8.5, ndërsa në dy degët e tjera si Teknikë dentare dhe Higjienist Dentar në konkurim do të përfshihen të gjithë maturantët që kanë mesatare nga nota 7.

Për Fakultetin e Shkencave Mjekësore Teknike gara do të zhvillohet në gjashtë programe të ndryshme studimi që janë: Fizioterapi, Infermieri e Përgjithshme, Logopedi, Mami, Teknike Imazherie dhe Teknike Laboratori. Në të gjitha këto programe studimi do të mund të konkurojnë maturantët dhe kandidatët e tjerë që kanë mesatare të shkollës së mesme duke nisur nga nota 7.5.

Në secilin prej këtyre rasteve, mesatarja e shkollës së mesme do të përllogaritet si mesatare aritmetike e thjeshtë e notave përfundimtare vjetore të lëndëve për të gjitha vitet e shkollimit në arsimin e mesëm dhe mesatarja aritmetike e thjeshtë e notave të provimeve të maturës shtetërore. Për vite me radhë programet e studimit të Universitetit të Mjekësisë janë edhe ndër degët më të preferuarat në radhët e maturantëve, kuotat e të cilave plotësohen që në regjistrimet e raundit të parë të fituesve.

Formula për fituesit e rinj të 2022

Krahas mesatares minimale që duhet për të hyrë në konkurim për degët e këtij universiteti, janë miratuar edhe tre kriteret mbi të cilat do të bazohet përzgjedhja e fituesve të rinj që do të dalin nga procesi i konkurimeve të këtij viti. Kriteri i parë ka të bëjë me mesataren e shkollës së mesme që vlerësohet me 30 për qind të ndikimit në shpalljen e fituesve të rinj. Kriteri i dytë ka të bëjë me mesataren e provimeve të Maturës Shtetërore që vlerësohet me 40 për qind të ndikimit në shpalljen e fituesve, ndërsa kriteri i tretë ka të bëjë me mesataren e tre lëndëve formuese që janë: Kimi, Biologji dhe Fizikë, që vlerësohen me 30 për qind të ndikimit në shpalljen e fituesve të rinj. Gjithashtu, Universiteti i Mjekësisë ka përcaktuar edhe koeficientin me të cilin vlerësohet çdo profil i shkollës së mesme në vend. Koeficientet sipas llojit të shkollës së mesme që kanë përfunduar kandidatët, janë për profilin gjimnaz i përgjithshëm 1.4, gjimnazet seksion dygjuhësh shqip-frëngjisht, shqip-italisht, si dhe shqip-gjermanisht po ashtu vlerësohen me koeficientin 1.4, ndërsa të gjitha llojet e tjera të shkollave të mesme vlerësohen me koeficientin 1. Gjatë javëve në vijim do të shpallen edhe kuotat e mundshme të pranimeve që do të realizohen në secilin prej këtyre programeve të studimit.

Provimet për maturantët

Maturantët kanë nisur tashmë me përgatitjet finale për provimet e Maturës Shtetërore 2022. Pak ditë më parë MAS miratoi edhe rregulloren se si do të zhvillohen dhe organizohen këto provime. Sipas vendimit të marrë testi i çdo provimi të maturës do të ketë 60 pikë, ku 20 pikë do të jenë për pyetjet me alternativa dhe 40 pikë për pyetjet me zhvillim. Maturanti do të jetë kalues nëse merr minimumi 25 për qind të pikëve të testit, që i bie të jenë 15 pikë të detyrueshme. Nxënësit që do të marrin më pak pikë se sa ky prag i vendosur do të duhet të rijapin sërish provimin gjatë sezonit të vjeshtës, dhe vetëm pasi të marrin rezultate kaluese, do të mund të vijojnë më pas edhe procedurat marrjen e diplomës së shkollës së mesme, si dhe vijimin e aplikimeve për studimet e larta universitare.

Katër janë provimet që do të zhvillojnë maturantët edhe përgjatë Maturës Shtetërore 2022, ku bëhet fjalë për 3 provime të detyruara që do të zhvillohen në lëndët: gjuhë shqipe dhe letërsi, matematikë, dhe gjuhë e huaj e parë, si dhe një lëndë që do të jepet si provim me zgjedhje, e cila është përzgjedhur sipas preferencave të maturantit nga lista zyrtare e miratuar nga MAS për çdo profil shkollor: shkollat e mesme të përgjithshme, ato artistike, si dhe shkollat profesionale.

Edhe për maturën e këtij viti do të vlejnë po të njëjtat rregulla për zhvillimin e testeve, çka do të thotë se maturanti do të përjashtohet nga provimi kur konstatohet se: “Ndryshon vendin që i është caktuar, merr, jep informacion apo kopje, ose komunikon me maturantë të tjerë, kur bën komente për përmbajtjen ose zgjidhjen e testit, kur mban telefon celular, radio ose çdo mjet tjetër komunikimi në mjedisin e provimit, si dhe kur refuzon kontrollin nga ana e administratorëve gjate hyrjes në qendrën e provimit”. Po sipas rregullores, maturantit nuk i njihet rezultati nëse përdor laps, stilolapsa me ngjyra jo si atë të përcaktuar në rregulloren e provimit, nëse ka hequr ose dëmtuar kodin e sekretimit të testit (barkodin), nëse ka dëmtuar testin (palosur, zhubrosur, grisur, vendosur shenja të dallueshme dhe të veçanta), të evidentuara në procesverbal, nëse vërtetohet kopja, e pjesshme, ose e plotë, gjatë procesit të vlerësimit dhe konfirmohet nga komisioni përkatës, si dhe në rastet kur është marrë masa e përjashtimit nga provimi.

 

DEGËT PËR TË CILAT DO TË GAROHET NË UNIVERSITETIN E MJEKËSISË

Fakulteti i Mjekësisë

  • Mjekësi
  • Farmaci
  • Shëndet Publik

 

Fakulteti i Mjekësisë Dentare

  • Stomatologji
  • Teknikë Dentare
  • Higjienist Dentar

 

Fakulteti i Shkencave Mjekësore Teknike

  • Bachelor në Infermieri e Përgjithshme
  • Bachelor në Mami
  • Bachelor në Teknike Laboratori
  • Bachelor në Fizioterapi
  • Bachelor në Logopedi
  • Bachelor në Teknike Imazherie
Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *