Fituesit në degët e Filologjikut/ Formula për llogaritjen e mesatares

Ornela

Pranvera Kola – DITA

Mesatarja e shkollës së mesme, si dhe mesatarja e Maturës Shtetërore janë dy kriteret bazë që do të përdoren për shpalljen e fituesve në degët e Fakultetit të Histori-Filologjisë, i cili rezulton të ketë edhe programet studimore me fluksin më të lartë të kërkesave në garën konkurruese për të fituar studimet e larta.

Autoritetet e këtij fakulteti kanë detajuar për maturantët kushtet dhe kriteret për të qenë fitues në një nga programet “Bachelor” për vitin akademik 2017-2018.

Bashkangjitur shkrimit gjenden të plota edhe kriteret e pranimit në programet e ciklit të dytë dhe të tretë, duke detajuar edhe rastet kur lejohet transferimi dhe njohja e krediteve në këto programe.

Formula e fituesve për ciklin “Bachelor”

Në udhërrëfyesin e përgatitur për maturantët dhe studentët, autoritetet e këtij fakulteti thonë se ndikimin vendimtar në përzgjedhje do ta ketë mesatarja e thjeshtë e gjimnazit, e cila vlerësohet me 80 për qind të peshës, ndërsa mesatarja e Maturës Shtetërore 2017, do të ketë 20 për qind të ndikimit në shpalljen e fituesve.

Ndërkohë që për të qenë pjesë e garës për studimet e larta, çdo maturant apo kandidat i viteve të shkuara duhet që të ketë mesatare të shkollës së mesme në notën 6 e lart. “Pranimi në programet e ciklit të parë është i mundur për çdo kandidat që ka shlyer të gjitha detyrimet e shkollës së mesme, duke përfshirë edhe provimet e maturës.

Vlerësohet me 80 për qind të rezultatit përfundimtar mesatarja aritmetike e tre viteve të studimit të shkollës së mesme. Kjo mesatare del nga raporti i shumatores së notave të marra në të tre vitet e shkollës së mesme, me numrin total të lëndëve të zhvilluara po gjatë tre viteve të gjimnazit.

Nga ana tjetër, vlerësohet me 20 për qind të rezultatit përfundimtar mesatarja e aritmetike e lëndëve të Maturës Shtetërore. Kjo mesatare del nga raporti i shumatores së notave të maturës, me numrin e notave të provimeve të zhvilluara”, sqarojnë për maturantët autoritetet e këtij fakulteti.

Kriteret për fituesit e ciklit të dytë të studimeve

Pranimi në programet e ciklit të dytë të studimeve është i mundur për të gjithë kandidatët që kanë përfunduar një program të nivelit të parë dhe përmbushin kriteret shtesë të kërkuara nga fakulteti.

Kriteret e pranimit të kandidatëve në ciklin e dytë “Master”, përcaktohen nga vetë fakulteti, përjashtim në këtë rast bëjnë vetëm programet e integruara të studimit, për të cilat kriteret do të bëhen publike nga Qendra e Shërbimeve Arsimore.

Sipas kushteve të reja të përcaktuara në ligjin e arsimit të lartë, si kusht pranimi në programet e ciklit të dytë të këtij fakulteti, është edhe njohja nga kandidati e njërës prej 5 gjuhëve të huaja të BE-së, si: Italisht, anglisht, spanjisht, frëngjisht dhe gjermanisht, sipas testeve të nivelit ndërkombëtar.

Autoritetet drejtuese të Filologjikut bëjnë me dije se fakulteti mund të njohë kreditet e përfituara në programet e ciklit “Master profesional”, me kusht për t’i transferuar ato më pas në programet e “Masterit të shkencave”.

Programet e studimeve të nivelit profesional pajisin të diplomuarit me njohuri të thelluara, profesionale në një fushë të caktuar. Këto programe organizohen me 120 kredite dhe kohëzgjatja është 1.5 vite akademike. Studimet e këtij cikli përmbyllen me provim përfundimtar formimi, ose punim diplome dhe në përfundim të tyre lëshohet diplomë “Master Pofesional” në fushën e arsimimit të kryer.

Ndërsa programet e studimit të nivelit shkencor i pajisin të diplomuarit me njohuri të thelluara teorike, si edhe me aftësim për kërkim shkencor në një fushë të caktuar.

Këto studime organizohen në programe që realizohen me jo më pak se 120 kredite formimi në vijim të ciklit të parë dhe me kohëzgjatje normale dy vite akademike.

Studimet e ciklit të dytë të nivelit të shkencave përmbyllen me punim diplome dhe në përfundim të tyre lëshohet diplomë “Master i shkencave” në fushën e arsimimit të kryer.

Kriteret për fituesit e ciklit të tretë

Pranimi në programet e ciklit të tretë të studimeve është i mundur vetëm për kandidatët që kanë fituar diplomën “Master i shkencave” dhe plotësojnë kriteret e pranimit, të përcaktuara nga institucioni i arsimit të lartë.

Kriteret e pranimit në programet e ciklit të tretë përcaktohen nga njësitë bazë, në përputhje me standardet shtetërore të cilësisë.

Kriter pranimi në një program studimi të ciklit të tretë është njohja nga kandidati e një prej pesë gjuhëve të huaja të Bashkimit Evropian: anglisht, frëngjisht, gjermanisht, italisht, spanjisht, e vërtetuar përmes testeve të njohura ndërkombëtare, në përputhje me udhëzimin përkatës të ministrit përgjegjës për arsimin.

Nëse individi ka fituar një diplomë të një programi studimi të kryer në një nga këto gjuhë, diploma e fituar shërben si dëshmi për plotësimin e këtij kriteri.

Sipas ekspertëve të këtij fakulteti dhe specifikave të përcaktuara në ligji e arsimit të lartë, studimet e doktoratës ndërtohen mbi programe individuale për aftësim të pavarur të kandidatëve në kërkimin shkencor në fushat e përcaktuara nga njësia bazë, ose njësia kryesore.

Ato kanë në themel kërkimin shkencor dhe veprimtaritë krijuese. Studimet e doktoratës zgjasin jo më pak se tri vite akademike dhe jo më shumë se pesë vite akademike.

Në përfundim të studimeve të doktoratës lëshohet diploma e gradës shkencore “Doktor”. Institucionet e arsimit të lartë vendosin vetë kritere për vlerësimin vjetor të ecurisë së kandidatëve dhe vazhdimin e punës për zhvillimin e projektit kërkimor.

Mesatarja e gjimnazit=A/B

A=Shumatorja e notave të 3 viteve të shkollës së mesme

B= Numri i notave të 3 viteve të shkollës së mesme

Mesatarja e maturës=C/D

C= Shumatorja e notave të Maturës Shtetërore

D= Numri i notave të Maturës Shtetërore

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *