Fakultetet kanë nisur tashmë të shpallin listat paraprake me fituesit e raundit të parë të pranimeve të reja në universitete për 2019-n. Përgjatë këtyre ditëve maturantët dhe kandidatët e tjerë që kanë aplikuar për studimet e larta, si në universitetet publike, ashtu edhe në ato private duhet të verifikojnë me kujdes renditjen e shpallur nga fakultetet për të gjitha programet e studimit.
E nëse janë të pakënaqur me renditjen mund të kryejnë edhe procesin e animimit në datën e përcaktuara. “Deri në datën 29 gusht çdo aplikant duhet të shikojë në faqen e internetit të universiteteve, ose të paraqitet në sekretaritë mësimore të fakulteteve për të parë renditjen e listës së fituesve.
Në rast se aplikantët kanë ndonjë pasaktësi, ata kanë të drejtën e animimit, kërkesën e të cilës duhet ta paraqesin detyrimisht në datën 30 gusht. Në mbyllje të kësaj date,institucionet e arsimit të lartë do të verifikojnë të gjitha kërkesat e paraqitura nga kandidatët dhe të pasqyrojnë në format elektronik, në portalin U-Albania, në datat 31 gusht dhe 1 shtator, vendimet lidhur me ankimimet e aplikantëve.
Pas kësaj date do të nisë edhe procesi i regjistrimit të fituesve të raundit të parë sipas kushteve të përcaktuara më herët nga dikasteri i arsimit. Aplikantët, pavarësisht paraqitjes së ankesës, nëse janë shpallur fitues në një ose disa programe të tjera studimi, mund të vijojnë procedurat e regjistrimit. Nëse ankesa e tyre është pranuar, ata duhet të çregjistrohen nga programi i studimit (nëse janë regjistruar) dhe të regjistrohen ne programin e studimit, në të cilin është pranuar ankimimi, në datën 16 shtator 2019.
Afatet e regjistrimit
Sikundër është deklaruar edhe më herët, procesi i regjistrimit të fituesve të raundit të parë do të zhvillohet ndërmjet datave 2-15 shtator, e ndarë në 7 faza 48-orëshe (2-3 shtator: 4-0shtator: 6-7 shtator, 8-9 shtator, 10-11 shtator, 12-13 shtator, si dhe faza e fundit në datën 14-15shtator), të gjithë aplikantët, të cilët kanë kryer procesin e aplikimit në raundin e parë dhe janë shpallur fitues, mund të kryeje procesin e regjistrimit, duke paraqitur dokumentacionin përkatës, në sekretaritë mësimore të secilit fakultetet ku dëshirojnë të vazhdojnë studimet.
Në rast se, pas çdo faze, konstatohen kuota të paplotësuara, zhvendoset vija e kuqe dhe shpallen fitues të rinj të asaj faze. Këta fitues të rinj mund të regjistrohen vetëm në fazën pasardhëse. Këto faza vijojnë deri në plotësimin e kuotave dhe përfundojnë në datën 15 shtator 2019.
Për regjistrim (mund t’i dorëzoni personalisht ose nëpërmjet një përfaqësuesi të autorizuar me prokurë nga ana juaj) duhet të dorëzoni këtë dosje dokumentesh: “Dokument identifikimi (pasaportë ose kartë identiteti), fotokopja e noterizuar e Maturës Shtetërore së bashku me certifikatën e notave, si dhe deklaratën përkatëse”. Pas plotësimit të deklaratës së shkruar bëhet regjistrimi menjëherë në portalin U-Albania dhe firmoset nga sekretarja dhe aplikanti në dy fotokopje formulari i printuar nga sistemi, një prej të cilave i jepet aplikantit.
Ndryshimi i degës së studimit
Nëse regjistroheni në degën e fituar në raundin e parë, nuk mund të garoni më për degë të tjera të këtij raundi, ose në raundet e tjera. Kjo me përjashtim të rasteve kur do të kërkoni të çregjistroheni nga dega e fituar. Sipas kushteve të përcaktuara, ju mund të çregjistroheni vetëm më datën 16 shtator.
Për këtë çdo kandidat duhet të paraqesë një kërkesë për çregjistrim pranë sekretarisë mësimore të fakultetit ku dhe është regjistruar, duke tërhequr dokumentet e dorëzuara. Më pas duhet të plotësoni sërish formularin A2 në raundin e 2 për të hyrë në garë për studimet e larta në një tjetër degë të preferuar. Duhet të bëni kujdes, pasi nëse nuk çregjistroheni me 16 shtator, nuk mund ta ndryshoni më degën e studimit brenda këtij viti akademik.
Procedurat për raundin e dytë
Nëse nuk regjistroheni brenda afateve humbisni të drejtën e aplikimit në raundin e parë dhe keni të drejtë të aplikoni në raundin e dytë. Në këtë raund mund të aplikojnë të gjithë kandidatët që nuk fituan dot në raundin e parë, ata që kanë kryer procesin e aplikimit online të raundit të parë dhe nuk janë shpallur fitues, ata që kanë kryer procesin e aplikimit online në raundin e parë dhe nuk kanë arritur të regjistrohen, si dhe kandidatët që janë çregjistruar në përfundim të raundit të parë me qëllim ndryshimin e degës së studimit duke hyrë sërish në garë me dhjetë preferenca të reja.
Procedura e aplikimit do të jetë e njëjtë si ajo e raundit të parë. Vetëm maturantët që aplikojnë për herë të parë në këtë raund të dytë do të shlyejnë tarifën prej 2, 000 lekësh për plotësimin e formularit të preferencave. Ndërsa kandidatët që kanë aplikuar në raundin e parë nuk do të shlyejnë më tarifë aplikimi.
Ndryshe nga raundi i parë, fituesit e raundit të dytë do të regjistrohen në 5 faza 48-orëshe. Procedura e regjistrimit do të jetë po e njëjta. Edhe në këtë raund kandidati që nuk është i kënaqur me degën ku është shpallur fitues mund të bëjë çregjistrimin për të hyrë sërish në garë përgjatë aplikimeve të raundit të tretë.
Dokumentet që duhen për regjistrim në universitet:
- Për regjistrim (mund t’i dorëzoni personalisht ose nëpërmjet një përfaqësuesi të autorizuar me prokurë nga ana juaj).
- Dokument identifikimi (pasaportë ose kartë identiteti). Në dosje mbahet vetëm fotokopja.
Fotokopja e noterizuar e Maturës Shtetërore së bashku me certifikatën e notave.
Deklaratën të cilën e gjeni në udhëzimin e plotë të MASR, duhet ta printoni dhe plotësoni te sekretaritë e degës së studimit ku do të regjistroheni. - Pas deklaratës së shkruar bëhet regjistrimi menjëherë në portalin U-Albania dhe firmoset nga sekretarja dhe aplikanti në dy fotokopje formulari i printuar nga sistemi, një prej të cilave i jepet aplikantit.
- Nëse nuk regjistroheni brenda afateve humbisni të drejtën e aplikimit në raundin e parë dhe keni të drejtë të aplikoni në raundin e dytë.
p.k/dita
