Fituesit tek Filologjiku dhe Gjuhët e Huaja, ndarja e plotë sipas degëve

Elena Tase

Maturantët kanë nisur tashmë me procedurat zyrtare të aplikimit për universitetin. Ekspertët e dikasterit të arsimit kanë këshilluar maturantët si dhe kandidatët e tjerë që do të garojnë gjatë këtij viti, që para zgjedhjes së preferencave të rishikojnë me kujdes kuotat dhe kriteret e pranimeve të miratuara nga secili institucion i arsimit të lartë në vend. Kjo, në mënyrë që të listojnë në formularin A2 dhjetë degët ku kanë më shumë shanse për të qenë fitues që në raundin e parë të aplikimeve. Degët e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, si dhe ato të Fakultetit të Histori-Filologjisë rezultojnë ndër të preferuarat e maturantëve. Për pranimet e vitit të ri akademik 2019-2020 në degët e këtyre dy fakulteteve do mund të vijojnë studimet e nivelit të parë “Bachelor” 1675 studentë të rinj.

Kuotat e pranimeve të reja

Konkretisht, në Fakultetin Histori-Filologji mund të garohet për këto pesë programe studimi: gazetari, histori, gjeografi, gjuhë-letërsi, si dhe arkeologji, në të cilat do të pranohen 705 studentë të rinj. Ndarjen e plotë të kuotave për secilën degë e gjeni të detajuar në tabelën në vijim të shkrimit. Ndërsa në degët e gjuhëve të huaja mund të garohet për këto tetë programe studimi, anglisht, italisht, frëngjisht, gjermanisht, rusisht, turqisht, spanjisht, si dhe greqisht, në të cilat do mund të regjistrohen për herë të parë 970 maturantë dhe kandidatë të tjerë që do të rezultojnë fitues me pikët e grumbulluara.

Kushti për të hyrë në konkurim

Më herët janë përcaktuar edhe kriteret e pranimit për secilin program studimi. Ndërkohë që në garë për këto degë, do të mund të hyjnë vetëm maturantët dhe kandidatët e tjerë që kanë mesatare të shkollës së mesme nga nota 6.5 e më lart, duke përjashtuar këtu degët e mësuesisë për të cilat mesatarja e konkurimit nis nga nota 7.5 e më lart. Kandidatët e tjerë që kanë mesatare më të ulët mund të aplikojnë në për programet studimore profesionale 2-vjeçare.

Kriteret për të fituar degët e Filologjikut

Lidhur me kriteret që do të zbatohen për fituesit e rinj të 2019-s, bëhet e ditur se për degët e Filologjikut shpallja e fituesve do të bëhet në bazë të pikëve që maturantët do të grumbullojnë nga mesatarja e shkollës së mesme, si dhe ajo e provimeve të Maturës Shtetërore 2019. Sipas kushtit të përcaktuar, nëpërmjet notës mesatare aritmetike (e thjeshtë) të tre viteve të shkollës mesme maturantët do të sigurojnë 80 për qind të pikëve totale, teksa nga nota mesatare aritmetike e provimeve të Maturës Shtetërore do të sigurojnë rreth 20 për qind të pikëve. Çka tregon se peshën më të madhe në përzgjedhjen e fituesve të rinj që do të pranohen në këto degë e ka nota mesatare e shkollës së mesme.

Kriteret për të fituar degët e gjuhëve të huaja

Ndryshe nga sa ndodhur në vitet e shkuara, Fakulteti i Gjuhëve të Huaja ka rishikuar kriteret për pranimet e reja të këtij viti. Këto ndryshime janë reflektuar në programin e gjuhës angleze, në të cilën maturantët duhet të kenë njohuri të nivelit B2, teksa do i nënshtrohen edhe një testimi. Kështu, maturantët që duan të vijojnë studimet në degën e gjuhës angleze do t’i nënshtrohen edhe testimit mbi nivelin e njohjes së gjuhës. “Për programin e gjuhës angleze bëhet e ditur se: “Nota mesatare aritmetike (e thjeshtë) e tre viteve të shkollës së mesme, përfshirë dhe notat e Maturës Shtetërore vlerësohen me 60 për qind të ndikimit në shpalljen e fituesve të rinj që do pranohen në “Bachelor” të gjuhës angleze, teksa konkursi i pranimit për testimin e njohurive gjuhësore zë 40 për qind të ndikimit në shpalljen e fituesve të kësaj dege”, sqarojnë ekspertët e arsimit. Ndërsa në të gjitha degët e tjera të këtij fakulteti, shpallja e fituesve do të përcaktohet në masën 100 për qind nga mesatarja e shkollës së mesme.

Afatet e plotësimit të formularit A2

Maturantët dhe kandidatët e tjerë, përpara aplikimit për zgjedhjen e 10 preferencave në portalin e aplikimit universitar, duhet të kryejnë pagesën e tarifës së aplikimit në vlerën 2000 lekë, në zyrat e Postës Shqiptare apo në bankat e nivelit të dytë, nëpërmjet faturës për arkëtim, të cilën e shkarkojnë në portalin U-Albania. Pagesa duhet të kryhet deri në 25 korrik. Pas dorëzimit të mandatit të pagesës, sekretaritë e shkollave të mesme konfirmojnë pagesën e kryer brenda datës 26 korrik 2019, në portalin U-Albania. Ndërsa në periudhën 31 korrik – 5 gusht, maturantët që duan të ndjekin studimet në institucionet e arsimit të lartë, përfshirë edhe kandidatët që kanë përfunduar arsimin e mesëm të lartë jashtë vendit, pas pagesës së tarifës së aplikimit, do të aplikojnë në portalin përkatës nëpërmjet formularit online të aplikimit, mbi bazën e notes mesatare sipas vendimit të Këshillit të Ministrave, si dhe kritereve të tjera të përcaktuara nga universitetet, duke zgjedhur deri ne 10 programe studimi nga lista e programeve të studimit që ofron çdo institucion i arsimit të lartë publik dhe privat në vend. Lista e fituesve të raundit të parë do të zbardhet në fund të muajit gusht.

Përfundimi i ciklit të parë

Sipas kushteve të përcaktuara në ligjin për arsimin e lartë, studentët në programet e ciklit të parë të studimeve do të diplomohen me provim të përgjithshëm përfundimtar, ose punim diplome. Janë vetë universitetet ato që përcaktojnë në rregulloren e tyre pragun e notës mesatare, që i jep të drejtë studentit të ciklit të parë të diplomohet, duke përgatitur dhe mbrojtur një punim diplome. Në përfundim të programeve të ciklit të parë lëshohet diploma “Bachelor” në fushën e arsimimit të kryer.

Kuotat e pranimeve për Fakultetin Histori-Filologji

  • Histori                         180
  • Gjeografi         180
  • Gjuhë-letërsi    165
  • Gazetari           100
  • Arkeologji       80

Kuotat e pranimeve të reja në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja

Gjuhë angleze             240

Gjuhë frënge              120

Gjuhë italiane             130

Gjuhë gjermane          120

Gjuhë spanjolle             90

Gjuhë Turke                  90

Gjuhë Greke                 90

Gjuhë ruse                       9

3 kriteret për të fituar degën e gjuhë angleze:

1.Kërkohet zotërimi i gjuhës angleze në nivelin B2, në përputhje me kurrikulën bërthamë, gjuhë e huaj e parë, Shkalla VI, Klasa XII, bazuar në vlerësimet përkatëse me notë në vitin XII.

2.Nota mesatare aritmetike (e thjeshtë) e tre viteve të shkollës së mesme, përfshirë dhe notat e Maturës Shtetërore 60 për qind.

3.Konkursi i pranimit për testimin e njohurive gjuhësore 40 për qind.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *